in

Dënohet me burgim të përjetshëm Fabrizio Morandi. Në vitin 2009 vrau dy shqiptarë

Burgim i përjetshëm për Fabrizio Morandin, 35 vjeçarin nga Modena për vrasjen me paramendim të Nikolla Ekonomit dhe të Shkëlzen Allkës në shtator të 2009-tës

Kanali ku u gjet makina me trupat e dy shqiptarëve
Romë, 30 janar 2012 – Gjykata e Bolonjës për krimet e rënda ka dhënë sentencën: dënim të përjetshëm për Fabrizio Morandin, 35-vjeçarin nga San Felice e provincës së Modenës, i akuzuar për vrasjen me paramendim, më 22 shtator të vitit 2009,  të Nikolla Ekonomit, 28 vjeç, dhe të Shkëlzen Allkës, 21 vjeç.

Sipas akuzës, Morandi ishte bashkëpunëtor me viktimat në trafik droge, dhe u kishte borxh atyre një shumë parash që nuk mund t’u kthente. Për këtë arsye ka organizuar vrasjen e tyre.

Dy shqiptarët u gjetën të vdekur në një makinë Fiat Punto në një kanal në Caselle Crevalcore në provincën e Bolonjës, dy javë pas vrasjes. Ekonomi ishte qëlluar me dy plumba, një pas qafe e një në ballë, ndërsa Allka me një plumb pas qafe.

Nga kontrollet e tabulateve të celularëve të viktimave dhe të Morandit, hetuesit arritën në përfundimin se ata ishin bashkë deri një orë para se makina me trupat e pajetë të shqiptarëve të hidhej në kanal. Kur është arrestuar, Morandit i janë gjetur edhe skeda telefonike e përdorur nga dy shqiptarët.

Morandi nuk e ka pranuar vrasjen, madje në gjyq ka thënë se të gjitha deklaratat i ka lëshuar sepse është ndier i kërcënuar nga policët.

Javën e shkuar prokuroria kërkoi për Fabrizio Morandin burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë me paramendim, kërkesë që është pranuar plotësisht nga gjykatësi i çështjes. Veç burgut të përjetshëm, gjykata ka dënuar Morandin edhe me dënimet dytësore të izolimit gjatë ditës dhe të pezullimit  të së drejtës së administrimit të pronave të tij.

Financierët ndalojnë tre persona për transferim të paligjshëm parash

L’ultimo approdo della Katër i Radës