in

Dëshmitë e shoferëve: “Aksidenti në qafë të Vishës, fatkeqësi e jashtëzakonshme”

Klearko Koçi nga Himara, dëshmitar i ngjarjes: “S’kisha parë kurrë një aksident të tillë rrugor nga afër. Autobusi pothuajse nuk ka frenuar dhe ra “brenda” në humnerë së bashku me 50 qeliza të reja”. Astrit Kurti, shoferi i dytë i ekspeditës: “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhëton”

Shoferi dëshmitar i fatkeqësisë

Ishte nisur si ekspeditë unversitare, por autobuzi me të cilin udhëtonin studentet përfundoi tragjikisht në humnerë me 13 të vdekur dhe 30 të plagosur dhe kjo ka tronditur thellë Klearko Koçin nga Himara: “S’kisha parë kurrë një aksident të tillë rrugor nga afër. Shoferi në përpjekje për të marrë në kontroll autobusin përfundoi rreth 80 metra në greminën e Vishës, 2 km larg Himarës”, thotë Koçi, 61 vjeç, babai i tre fëmijëve. Ai është një prej dëshmitarëve kryesorë të tragjedisë, pasi e ka parë me sytë e tij të gjithë aksidentin. Po udhëtonte nga Vlora drejt Himarës, ku do të prenotonte një lokal për dasmën e djalit.

 “Çfarë të them. Unë po mendoja të martoja djalin në fund të qershorit, përpara syve të mi më del aksidenti. Nuk kam zemër ta shoh e ta dëgjoj këtë gjëmë”, shprehet Koçi, ndërsa shton se “autobusi pothuajse nuk ka frenuar dhe ra “brenda” në humnerë së bashku me 50 qeliza të reja”.

Për të, kjo tragjedi është tepër e madhe për Himarën dhe himariotët. “Bashkëqytetarët e mi treguan një zemër të fortë dhe të madhe. Të gjithë, i madh dhe i vogël ,“rrethuan” qendrën e spitalit për të kontribuar sado pak”, rrëfen Koçi. “Të parët në vendngjarje, – tregon ai, – u gjendën banorët të zonës. Dëgjuan rrokullisjen e autobusit dhe ulërimat e studentëve. Policia erdhi shpejt, pasi dikush kishte gjetur kohë ta lajmëronte. Brenda 45 minutave kanë ardhur tre ambulancat e Sarandës”.

“Me intuitë banorët kanë nxjerrë të parët nga autobusi të plagosurit, ndërsa me të vdekurit u morrën zjarrëfikësit. Ata janë heronjtë”, pohon Koçi. Sipas tij, aksidenti tragjik i Himarës mund të ishte shmangur, ndonëse rruga ku ndodhi gjëma ka një pjerrësi të theksuar. “Personalisht udhëtoj në Himarë katër herë në javë. Shoferët zakonisht e ulin shpejtësinë. Për mua kjo është një fatkeqësi jashtezakonisht e madhe”, përfundon Koçi.

Kolegu i shoferit viktimë

Duart i dridhen, cigaret i konsumun pafund, fytyra zeshkane e tij është e zverdhur. “Nuk mund të ecja më tej. Sapo u informova për aksidentit kam gjetur një vendparkim përballë kalasë në Palermo dhe së bashku me studentët dhe dekanin e Letërsisë kemi parë në televizon tragjedinë”, thotë Astrit Kurti, rreth 55 vjeç.

Pavarësisht se shoferi i dytë i ekspeditës është traumatizuar, ai tregon për ATSH-në se kolegu i tij, tashmë i vdekur, kishte përvojë në drejtim e autobusit. “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhëton”, u shpreh Kurti, duke theksuar se ai po udhëtonte rreth 200 metra pas autobusit të parë që u aksidentua.

“Po udhëtoja drejt Sarandës. Në kilometrin e pestë një studente e plagosur lehtë mori në telefon shokët e vet dhe tregoi gjithçka”, pohon Kurti. “Në fillim, – vijon ai, – dyshova se mos ishte ndonjë shenjtallëk rinor, por më pas frenova përballë kalasë së Palermos, ku ishte një bar-restorant me një televizor të madh. Tragjedia kishte marrë dhenë, ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme”, thotë ai. 
Sipas tij, gjysmë ore pasi kishte ndaluar erdhën dy policë me makinën e tyre. “Me shumë mirësjellje policët më kërkuan të mos lëviz nga vendi. Një autobus tjetër do t’i merrte studentet dhe ashtu u bë. Rreth orës 22:30, studentet u shoqëruam drejt Elbasanit me një makinë eskortë policie”, përfundon Kurti. 

Lexo edhe: Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur

Elbasan. Homazhe në kujtim të studentëve që humbën jetën

Precedenti – Aksidenti në të njëjtin vend para 23 vitesh mori 23 jetë njerëzish