in

Dështojnë bisedimet e para PD-PS për presidentin e ri

Gramoz Ruçi (PS): “Katër kushte para zgjedhjes së presidentit”. Astrit Patozi (PD): “Platforma e PS-së ka synim të rrëojë qeverinë e jo të çojë përpara procesin për zgjedhjen e presidentit”

Tiranë, 27 maj 2012 – Vetëm tri ditë para nisjes së votive për presidentin e ri të Shqipërisë e dy forcat kryesore politike në vend nuk kanë gjetur ende një gjuhë të përbashkët, për të shpresuar në zgjedhje me shumicë të cilësuar.

Takimi i të dielës mes kryetarit tëgrupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi e deputetit Sajmir Tahiri me kryetarin e grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi dhe deputetin Edmond Spaho, të mandatuarit e Partisë Demokratike për të zhvilluar negociata me opozitën lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, ka dështuar.

Partia Socialiste ka kërkuar përmes Ruçit thirrjen e një tryeze të partive parlamentare për të zgjidhur katër çështje kryesore që kjo forcë politike i konsideron të rëndësishme për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian në nëntor të këtij viti.

“Ne i kemi propozuar Partisë Demokratike thirrjen e një tryeze me të gjithë krerët e partive parlamentare për të zgjidhur 4 pika të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Përmes kësaj tryeze ne kërkojmë finalizimin dhe miratimin me procedura parlamentare të reformës zgjedhore, të reformës parlamentare, kërkojmë ndryshime kushtetuese për heqjen e imunitetit të të gjithë të zgjedhurve shqiptare dhe së fundi të finalizojmë dhe miratojmë që në raundin e parë një president të pranuar nga të gjitha palët parlamentare”, deklaroi Ruçi për mediat pas takimit të zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit.

Ruçi tha se këto 4 çështje janë në shërbim të marrjes së statusit të vendit kandidat nga BE-ja në nëntor, që do të ishte edhe një dhuratë për të gjithë shqiptarët në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. “Pa plotësuar këto kushte do të mbetemi për herë të tretë në klasë”, nënvizoi ai duke shtuar se “shpresoj në maturimin e maxhorancës që të pranojë këtë propozim, në të kundërt do të ishte një ogur i keq për shqiptarët dhe  një lajm i keq për ndërkombëtarët”. I pyetur për emrin e presidentit të ri, kreu i grupit të PS-së, tha se “palët janë larg emrit, pasi tani për tani bëhet fjalë”.

Nga ana tjetër kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, deklaroi se takimi mori një rrugë të papritur, se “pala tjetër erdhi në takim me platformën e editorialit të Edi Ramës, e cila është një platformë bllokuese që synon të fusë në një rrugë pa krye procesin e zgjedhjes së Presidentit “.

Referuar katër pikave të PS-së, Patozi tha se tri të parat të kërkuara nga PS nuk kanë lidhje me pikën e rendit të ditës, atë për zgjedhjen e Presidentit. Për tri pikat e para, sipas Patozit, Partia Demokratike ka pasur gatishmërinë dhe vullnetin e mirë për t’i zgjidhur, nëse nuk do të ekzistonte politika bllokuese e Ramës, që, sipas tij, qëllimisht kërkon t’i lidhë ato.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ri, Patozi konfirmoi se PD ka hyrë në këtë proces për t’i dhënë vendit një President sa më konsensual, duke pasur parasysh edhe vlerën e shtuar që ai mund të ketë në një rast të tillë. “Në rast se edhe PS do të ndiejë të njëjtin detyrim, sikurse dhe PD, është plotësisht e mundur që të arrihet në një produkt dinjitoz, pra një President sa më konsensual”, vijoi ai, duke shtuar se “në rast se pala tjetër ka qëllime të tjera, për të rrëzuar Qeverinë apo synime të tjera, sikurse ka paralajmëruar më parë kryetari i tyre, sigurisht që ky është një mision tërësisht i dështuar”. 

Vlorë. Bllokohet skafi me 95 kg drogë e arrestohen katër vetë

Studentët e ardhshëm shqiptarë në Itali. Nisin pararegjistrimet