Mbi 70 piktura bëhen pasqyrë e rrugës së kërkimit artistik të piktorit Gjergj Kola në vite emigracioni.
Titullohet “Il mio Diario”, ekspozita personale e piktorit Gjergj Kola e hapur në Fano, nga 16 deri më 30 maj 2015.
Me një ditar jo me shkronja por me ngjyra, me mbi 70 telajo piktori Gjegj Kola gjen mënyrën për t’i treguar publikut të Fanos, e jo vetëm, rrugëtimin e tij artistik, kërkimin e përsosmërisë teknike e artistike në këto vite emigracioni.
Gjergj Kola është një nga artistët shqiptarë që ka emigruar nga Shqipëria që në fillim të viteve ’90. Fillimisht në Greqi e më pas në Itali, ku dhe jeton me familjen e tij.
Është pikërisht ky udhëtim mes emigrimit e integrimit, familja, qeliza e parë e shoqërisë, pika e referimit, ajo shtyllë ku mbështetet identiteti formimi e transformimi, që mbizotëron temat e punimeve të kësaj ekspozite personale pikture. Per shqiptarin kjo temë, familja, fatmirësisht mbetet kryesore e te punimet e piktorit Gjergj Kola shpaloset me madhështi e me forcë ngjyrash. E dallojmë këtë që në imazhin që kuratorja, profesoresha Silvia Kupini ka zgjedhur si prezantues të ekspozitës – një pikturë ku paraqiten dy fëmijë ndërsa luajnë në një park lodrash në një atmosferë pranverore si vetë stina e jetës së tyre. Një përzgjedhje mëse e goditur e Cuppinit (kujtojmë që është kuratore e Muzeut Lin Delia, në Antrodocco) që me këtë pikturë jo vetëm informon për ekspozitën e përmbajtjen e saj por e përfshin publikun në atmosferën e viteve të fëmijërisë që pazgjidhshmerisht kanë lidhje me figurën e prindërve, të familjes.
E goditur edhe zgjedhja e vendit të ekspozimit, Rocca Malatestiana (ose “la Fortezza”), struktura më e rëndësishme historike dhe antike e Fano-s, dëshmi e lashtësisë ashtu si dhe vetë tema e ekspozitës.
“Rruga e kryqit që në thelb është rruga e familjes së artistit, e mërgimtarit në përgjithësi, – theksoi profesoresha në fjalën e saj të prezantimit të ekspozitës – është rruga e integrimit, një përvojë e dhimbshme dhe impenjuese që gërsheton dhimbjen e largimit, e braktisjes me mundin për të përvetësuar zakone e stile të reja bashkëjetese.
Pothuaj në të gjitha pikturat e ekspozuara është në qendër Njeriu. Rreth tij Gjergj Kola trajton temat që më shumë e prekin, më shumë i ka për zemër e të cilat pas një përpunimi emocional e një studimi psicologjik i shpreh mes stilit të tij origjinal, mes penelatave që japin u formë imazheve në telajo.
“Fëmijët, gruaja, të afërmit, miqtë janë në qendër të punimeve. Familja përballë rrugës së kryqit është siguria, ky është mesazhi i Gjergj Kolës. Rruga e kryqit, kjo hapësirë e re që është shqiptare o fanese, është si një lumë, i cili rrjedh dhe artisti mund ta shprehë këtë më mirë se cdo emigrant tjetër. Është një përpunim dhimbjeje. Të pikturosh është një mënyrë për të treguar, një dhunti e madhe. Ne pasurohemi më shumë – vazhdon Cuppini – nëse arrijmë të kuptojmë e bëjmë tonën pjesë të një bote më të madhe se e jona.”
Ekspozita personale e piktorit Gjergj Kola “Il mio Diario” ishte edhe i pari takim kulturor që shënoi hapjen e stinës pranverore-verore të kalendarit të kulturës për Komunën e Fanos. “Piktori shqiptar Gjergj Kola është për ne një mundësi njohjeje. Shpresojmë të kemi raste të tjera si ky – tha në fjalën e tij përgjegjësi i kulturës së Komunës Fano, Marchegiani – përmes artistëve si Kola mund të njohim më mirë një botë afër nesh me të cilën duhet të ngremë ura lidhjeje në interes të të gjithëve, me shpresën e një bote me vlera, paqe, e drejt një zhvillimi të vërtetë”.
Ekspozita e piktorit Gjergj Kola trasformohet kështu jo vetëm në ngjarje kulturore, por në një pikë lidhje-takimi ku dialogohet mes Shqipërisë dhe Italisë me bukurinë e artit.
Njerëzit e Ditarit të piktorit Gjergj Kola tregojnë, dhe tregimi në vetvete është një akt guximi e besimi për t’u kuptuar, pranuar. Ata prej kohësh udhëtojnë në hapësira të ndryshme nga Shqipëria në Botë (në mëse 35 ekspozita kolektive në vende të ndryshme në Europë dhe Amerikë)
Ekspozita “ il mio Diario” në Rocca Malatestiana është e veçantë për Kolën sepse aty ka vendosur rrënjët familja e piktorit. Ekspozita përcjell një mesazh integrimi, sipas të cilit, arti, me gjuhën e tij universale, mbetet mjet i vyer bashkëbisedimi.
Albana Temali