Sot më 21 tetor, pas tre javëve nga nisja e tij, përfundon zyrtarisht procesi INSTAT i numërimit të popullsisë dhe të banesave.
Tiranë, 21 tetor 2011 – Sot mbyllet zyrtarisht procesi i numërimit të popullsisë dhe banesave në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një çast të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet social-ekonomike dhe kushtet e jetesës. Ky proces kryhet nga INSTAT.
Për këtë proces masiv në terren punuan 12 mijë anketues, 2.330 kontrollorë, 128 mbikëqyrës 36 koordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë çdo ditë pa ndërprerje, të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren. U shtypën 40 milionë faqe materiale. I gjithë procesi kushton 14 milionë euro.
Censusi numëron njerëzit që jetojnë në Shqipëri, përfshirë rezidentët e huaj, të gjithë që kanë qëndruar minimumi 1 vit, ose me qëllim për të qëndruar të paktën një vit. Vetëm diplomatët nuk numërohen. Ai jep një përshkrim të detajuar të të gjitha aspekteve ekonomike, sociale dhe të jetës në Shqipëri, sa njerëz banojnë në Shqipëri sot dhe si jetojnë ata, për çfarë shërbimesh kanë nevojë ata dhe shumë aspekte të tjera të shoqërisë.
Të dhënat e Censusit do të sigurojnë këtë informacion dhe do të ndihmojnë autoritetet përgjegjëse të planifikojnë mbi baza reale dhe të hartojnë politika për nevojat konkrete në fushat e shëndetësisë, edukimit, punësimit, infrastrukturës etj. Për më tepër të dhënat e Censusit mundësojnë krahasimin midis qyteteve dhe zonave, kështu që institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare mund të ndjekin me lehtësi zhvillimet dhe të planifikojnë aktivitetet e tyre më me saktësi.
Këto të dhëna do të përdoren nga qeveritë në nivel kombëtar dhe lokal, bizneset, institucionet kërkimore dhe akademike, agjencitë zyrtare statistikore, shoqëritë civile, individët, partnerët rajonalë, Bashkimi Evropian, organizatat ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, OSBE, organizata te Kombeve te Bashkuara si UNFPA, UNICEF, etj.
Rreth 200 shtete në të gjithë botën realizojnë Censuse të rregullta. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian inkurajojnë të gjitha shtetet që të mbledhin informacione të tipit të Censusit. Censuset janë zakonisht të realizuara në intervale 10 vjeçare në data të përafërta me shtete të tjera të botës. Kjo garanton që krahasimi i të dhënave midis shteteve të jetë i mundshëm dhe i besueshëm.