in

Dokumentet shqiptare. Konsulli: “Ua dorëzojmë të gjithëve siç parashikon ligji”

Në shtypin shqiptar ngrihet problemi i “bllokimit në zyrat konsullore në Itali të rreth 50 mijë letërnjoftimeve të emigrantëve”. Konsullata: “Aktualisht në Zyrën Konsullore Romë dhe në Milano ka rreth 2500 pasaporta e letërnjoftime të gatshme. Që të gjitha në dispozicion të titullarëve që duhet të vijnë t’i tërheqin”

Javët e fundit, me afrimin e zgjedhjeve, “interesi” i rritur i politikës për emigrantët papritur preku edhe çështjen e dokumenteve për të cilat aplikohet në ambasadë e konsullata. “Në Itali, peng 50 mijë karta të emigrantëve” shkruante para disa ditëve gazeta Shekulli në bazë të shqetësimit të ngritur nga kreu i degës së PS-së në Itali, Edmond Kumaraku: “Emigrantëve në konsullata nuk u jepen kartat e identitetit. Ato mund të përdoren në zgjedhjet e 23 qershorit”. Në fakt artikulli, që shkonte në kah të kundërt me titullin, konfirmonte se konsullatat nuk bllokojnë dokumentet, por thjesht i dorëzojnë ato duke ndjekur procedurat ligjore. Ashtu siç është bërë që kur janë ngritur zyrat e aplikimit, letërnjoftimi i dorëzohet vetëm personit titullar, ndërsa pasaporta edhe një personi tjetër  të pajisur me prokurë.

Duke marrë shkas nga shkrimi në gazetën Shekulli dhe shqetësimi mbi rrjedhojat negative të një bllokimi të mundshëm të kartave, vendosim të ndjekim nga afër çështjen duke kërkuar të dhëna dhe shifra të sakta.

Ecuria e aplikimit për pasaportat biometrike e letërnjoftimet elektronike pranë konsullatës së Milanos dhe zyrës konsullore të Ambasadës shqiptare në Romë, është ndjekur rregullisht nga Shqiptari i Italisë, duke nxjerrë në dukje problemet, nga çmimi i tyre i lartë, apo nxjerrja e papritur nga qarkullimi i të tjerave.

Si çdo procedurë e re edhe kjo e pajisjes me dokumente në konsullata ka pasur problemet e veta, ndonjë është zgjidhur e ndonjë tjetër jo. Kështu fillimisht në Romë nuk ishte zgjidhur në mënyrë të kënaqshme çështja e sjelljes së pasaportave nga Shqipëria, që shkaktonte vonesë në dorëzimin e tyre, gjë që u zgjidh. Radhëve të mëdha, pasojë e nxjerrjes papritur të dokumenteve të vjetra nga qarkullimi, edhe pse akoma të vlefshme, konsullata e Milanos dhe zyra konsullore e Romës iu përgjigjën në dy rrugë të ndryshme: nëse në Romë personeli u detyrua të qëndronte gjatë në punë, deri kur të aplikonte edhe personi i fundit i ardhur para mbylljes së orarit zyrtar, në Milano u gjet rruga e marrjes së takimit me një call-center, kundrejt një pagese që mund të shkonte deri në 30 euro për një dokument. Redaksia griti zërin kundër praktikës së ndjekur në Milano, ia parashtroi këtë problem edhe ministrit të jashtëm të asokohe, Edmond Haxhinastos, eksponent i LSI-së, forcë politike që sot vjen e u premton votën emigrantëve. Haxhinasto tha se ishte dakord që “shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen nga konsullatat, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave”. “Do të reagojmë ndaj shërbimit të prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos” premtoi, por nuk mori asnjë masë për sa kohë ishte ministër i Jashtëm. As ndonjë forcë politike nuk e ndoqi këtë problem, as në parlament e as në qeveri. Shërbimi i prenotimit me pagesë është akoma në funksionim, por të paktën krahas tij është dhënë edhe mundësia e prenotimit on line, falas.

Me kalimin e muajve, situata e aplikimit për pasaportë u normalizua, fluksi ra natyrshëm, e radhët bashkë me të, siç na deklaroi pak para largimit të tij ambasadori Llesh Kola: “Fluksi në zyrën tonë konsullore është normalizuar, të njëjtën gjë mund të them edhe për Milanon”.

Plot një vit më parë ambasadori i atëhershëm Llesh Kola thoshte për Shqiptarin e Italisë “Po bëhet problematike mostërheqja e dokumenteve. Kemi me qindra që rrinë aty prej muajsh”. “Kemi shumë pasaporta të patërhequra, për disa prej të cilave është aplikuar prej shumë muajsh” konfirmonte konsulli Shpresa Shanaj. Në të vërtetë gjendja dukej alarmante. Pasaportat e letërnjoftimet e gatshme zinin dhjetëra kutia që në zyrat e ngushta të konsullatës nuk dinin nga t’i çonin. Ndoshta afrimi i pushimeve të verës apo ndoshta edhe falë shkrimit të botuar në gazetën Bota Shqiptare e në portalin Shqiptariiitalise.com,  situata në këtë aspekt dalëngadalë u normalizua.

Pa humbur kohë kthehemi këto ditë pa lajmëruar në zyrën konsullore, ku vërejmë që jo vetëm nuk ka ndonjë bllokim në dorëzimin e dokumenteve, por situata është shumë më e mirë nga ç’paraqitej një vit më parë. Duke na ilustruar gjendjen, konsulli Shpresa Shanaj thotë: “Situata e sotme është shumë më e qetë nga ajo e para një viti. Është pakësuar numri i aplikuesve, kanë rënë radhët, e dokumentet e gatshme mbërrijnë gjithnjë në 2-3 javë. Deri më sot procesi i aplikimit dhe i marrjes së dokumenteve ka vijuar normalisht. Tërhiqen njëherazi të dyja dokumentet (kur ka edhe letërnjoftim)”.

Gjithnjë nga zyra konsullore e Romës mbërrin edhe një sqarim me shkrim (e gjeni të botuar të gjithin nën artikull) ku mes të tjerash vihet në dukje që “Aktualisht në Zyrën Konsullore Romë dhe Milano gjenden dokumente të prodhuara deri më datë 19.04.2013 dhe janë: 530 pasaporta biometrike dhe 471 letërnjoftime në Romë dhe 840 pasaporta biometrike dhe 649 letërnjoftime në Milano”.

Problemet e emigrantëve shqiptarë mbeten të shumta (mësimi i gjuhës, pensioni, e drejta e votës, shërbimet e shtrenjta të zyrave konsullore), por “bllokimi” i letërnjoftimeve nëpër konsullata duket se nuk është një lajm i saktë. Gjithsesi urojmë që vëmendja e eksponentëve politikë, të cilitdo ngjyrim qofshin, të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve, duke kapur e zgjidhur çështje të vërteta që shqetësojnë emigrantët.

Shqiptari i Italisë

Sqarim i Zyrës konsullore pranë Ambasadës shqiptare në Romë mbi ecurinë e aplikimeve për dokumentet biometrike:

Në zbatim të ligjit nr. 8668 date 23.11.200 “për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit” i ndryshuar, Ligjit nr. 10066, datë 02.02.2009 për një ndryshim në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “për dokumentin e identitetit të shtetasve shqiptarë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, shtetasit aplikojnë për pasaportë biometrike në mjediset e përcaktuara nga koncesionari për këtë qëllim dhe në përputhje me rregullat e miratuara në programin e 19-të të shtesës së kontratës të miratuar me Ligjin nr. 10322, date 23.09.2010 “për ratifikimin e shtesës së kontratës koncesionare” Për prodhimin dhe shpërndarjen e letërnjoftimit dhe pasaportave elektronike”.

Procedura e aplikimit dhe e tërheqjes së dokumenteve biometrikë në përfaqësitë diplomatike është e njëjtë me procedurën që ndiqet në Zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes në Shqipëri.

Referuar akteve ligjore të sipërcituara kanë të drejtë të aplikojnë për dokumentet biometrike çdo shtetas shqiptar i regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Shqipëri. Shtetasit mbi 16 vjeç aplikojnë njëkohësisht për pasaportë dhe letërnjoftim elektronik, shtetasit nën 16 vjeç aplikojnë vetëm për pasaportë biometrike.

Aplikimi për dokumentin biometrik kërkon paraqitjen personale të shtetasit shqiptarë pranë Zyrave Konsullore. Verifikimi dhe nxjerrja e të dhënave për çdo shtetas i bëhet e ditur shtetasit/kujdestarit ligjor, ose prindërve për të miturit dhe operatorët sigurohen qe shtetasit të kontrollojnë mirë të dhënat e tyre personale.

Dokumentet biometrike mund të tërhiqen deri pas tre javësh nga data e aplikimit, duke konsultuar faqen zyrtare të ambasadës, ku afishohen herë pas here, dokumentet e prodhuara sipas datave të aplikimit.

Tërheqja e dokumenteve bëhet duke paraqitur kuponin e aplikimit dhe një dokument identifikimi.

Pasaporta, tërhiqet personalisht nga aplikanti, kujdestari ligjor për shtetasit nën 16 vjeç, ose persona të autorizuar me prokurë të posaçme si dhe pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija) me certifikatën familjare me vete.

Letërnjoftimi elektronik tërhiqet vetëm pas paraqitjes personalishttë çdo aplikanti (shtetasi) pranë Zyrës Konsullore, i cili në momentin e tërheqjes së letërnjoftimit lë shenjën e gishtit tregues të dorës së majtë ose të djathë, shenjë e cila duhet të korrespondojë me shenjën e lënë gjatë aplikimit, si dhe kod personal. Vetëm në këtë moment letërnjoftimi bëhet aktiv.

Deri më sot ky proces ka vijuar normalisht dhe tërhiqen njëherazi të dy dokumentet (kur ka edhe letërnjoftim). Aktualisht në Zyrën Konsullore Romë dhe Milano gjenden dokumente të prodhuara deri më datë 19.04.2013 dhe janë:

530 pasaporta biometrike dhe 471 letërnjoftime – Romë.
840 pasaporta biometrike dhe 649 letërnjoftime – Milano

Dokumentet mund të tërhiqen në çdo moment nga aplikuesit me paraqitjen e tyre pranë zyrave konsullore, pa asnjë vonesë apo pengesë procedurale për tërheqjen e tyre.

 

Elbasani vlerëson me titullin “Nderi i Qarkut” katër figura të komunitetit çam

ANIJA di Roland Sejko: cosa scrivono i media