Më 23 shtator në Milano dhe më 24 e 25 shtator në Torino, shkrimtarja Elvira Dones do të prezantojë romanin e saj të fundit “Piccola guerra perfetta”
Romë 13 shtator 2011 – Shumë shpejt shqiptarët por edhe lexuesit italianë të dashuruar pas letërsisë së Elvira Donesit në Lombardi dhe Piemonte kanë rastin të takojnë shkrimtaren që prezanton romanin e saj të fundit “Piccola Guerra perfetta”, me parathënie të Roberto Savianos.
Në Milano, takimi me shkrimtaren do të mbahet në Sallën Grechetto të Pallatit Sormani (via Francesco Sforza, 7), të premten më 23 shtator në orën 19.00. Takimi organizohet nga Qendra e Kulturës shqiptare në bashkëpunim me shoqatat Illyricum, New Age, Dora e Pajtimit & biblioteka Sormani, IPSIA, Acli Lombardia & shtëpia botuese Einaudi, dhe me përkrahjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano.
Takimi drejtohet nga Benko Gjata. Dhe përveç shkrimtares do të marrin fjalën edhe Gjon Çoba, konsull i Shqipërisë në Milano, Gianbattista Armelloni, kryetar ACLI Lombardia, Paola Villa, kryetare IPSIA, Silvio Ziliotto nga ACLI/IPSIA, Mirela Gjyshja, kryetare e shoqatës Illyricum e Vasenka Rangu nga qendra e Kulturës shqiptare.
Elvira Dones do të ketë edhe dy takime të tjera në Torino. Të shtunën më 24 shtator në orën 17.30 dhe të dielën më 25 shtator në orës 20.30 në bibliotekën Italo Calvino (Lungo Dora Agrigento, 94). Edhe takimet e Torinos organizohen Qendra e Kulturës shqiptare në bashkëpunim me shoqatën Vatra, Bibliotekat e qytetit të Torinos, IPSIA, Acli Torino dhe shtëpia botuese Einaudi, me përkrahjen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano dhe të Federatës së Shoqatave shqiptare italo-shqiptare dhe arbëreshe të Piemontes.
Edhe këto takime do të drejtohen nga Benko Gjata dhe do të shoqërohen me muzikë nga Lindita Kopliku (pianoforte) e Diana Subashi (violinë).
Elvira Dones
Elvira Dones, është një nga penat shqiptare që ka ditur të rrëfejë e të perceptojë me nuhatje të hollë temat shqiptare. Por në krijimtarinë e saj nuk ka vetëm Shqipëri. Duke filluar që nga autobiografiku “Dashuri e huaj” e deri tek i fundit “Lufta e vogël e përkryer” lexuesit i ofrohet një mozaik copëzash Shqipërie, por edhe Ballkani, copëzash historie të dokumentuara nga afër në mënyrë të gjallë me jetët e personazheve të saj.
Është gruaja shqiptare e viteve ’80 që jeton regjimin me përvuajtje, dhe që i rebelohet nëpërmjet dashurisë së huaj që do t’i ndryshojë jetën, në “Dashuri e huaj”, më pas janë historitë rrëqethëse të prostitutave shqiptare që për vite të gjatë tronditën shoqërinë shqiptare dhe pjesët më të dobëta të saj, e më pas Virgjinat. Pasi ka lënë Shqipërinë në vitin e ’88, ndërsa ende diktatura ishte duke jetuar grahmat e saj të fundit, shkrimtarja shqiptare ka jetuar në Zvicër dhe në Shtetet e Bashkuar, ku përveç shkrimtarisë ka prodhuar dokumentare të ndryshme, të cilat kanë fituar jo rrallë herë çmime ndërkombëtare. Së fundmi ajo mund të cilësohet si shkrimtare dy-gjuhëshe, ndërsa gjatë 20 viteve jashtë Shqipërisë ka ruajtur me saktësi dhe shprehshmëri të kujdesshme gjuhën shqipe përtej vështirësive të natyrshme që shumëgjuhësia sjell.
Romani “Piccola gurra perfetta”
Nuk është një roman mbi luftën. Është lufta. E parë përmes brishtësisë së viktimave, gra shumë të ngjashme me ne, pjesë e botës sonë. Është lufta, për herë të parë kaq pranë nesh sa çdo tmerr, edhe më sfilitësi, do të na duket i mundshëm.
“Piccola guerra perfetta” është ajo e ndezur nga NATO në qiejt mbi Kosovë më 24 mars 1999, që do të përfundojë më 12 qershor. Duhej të ishte e vogël dhe e përkorë sepse asnjë ushtar amerikan nuk do të kthehej në shtëpi në arkivol, kështu u premtua. Por e parë nga terreni, qe krejt tjetër gjë.