in

Duhet t’u trembet Italia zbarkimeve nga Shqipëria? Alfano: “Tani për tani jo”

Sipas ministrit të brendshëm italian, marrëveshja me Turqinë do të mund të ndalë migrantët para se t’i afrohen Evropës. “Nuk ka asnjë dëshmi për një itinerar të ri të refugjatëve përmes Adriatikut”
Gjithsesi po bashkëhunohet me Shqipërinë për të parandaluar edhe këtë mundësi

Bruksel, 10 mars 2016 – Mbyllja e rrugës ballkanike do të çojë migrantët e refugjatët në një drejtim të ri, atij që nga Shqipëria t’i sjellë në Itali përmes Adriatikut? Ministri i Brendshëm Angelino Alfano përpiqet të shuajë zërat e këtyre ditëve: tani për tani nuk ka sinjale që t’i japin të drejtë kësaj teorie e flukset duhet të ndalen në Turqi.

Alano mbërriti sot në mëngjes në Bruksel për Këshillin e Çështjeve të brendshme të BE-së. Gazetarëve që e pyesnin rreth kësaj rruge të re të Adriatikut për 150 mijë migrantë, iu përgjigj: “Jo, deri në këtë çast nuk kemi ndonjë të dhënë konkrete. Jemi mësuar të bëjmë parashikime, por edhe të vështrojmë realitetin, e në këtë çast nuk kemi asnjë dëshmi të këtij fluksi të madh”.

“Logjika – shtoi ai – na sugjeron që, nëse do të niset një fluks nga Turqia drejt Ballkanit e nëse muret do të ndërpresin udhëtimet drejt Evropës së Veriut, mund të hapet rruga adriatike; por sot për sot këtë na e dikton logjika, jo faktet. Ndaj jemi duke punuar për të hequr supozimet që mund të përcaktojnë këto pasoja negative”.

Bashkimi Evropian shpreson që marrëveshja me Turqinë t’ia dalë në bllokimin e migrantëve para se të kapërcejnë Egjeun. Mbi marrëveshjen e arritur javën e shkuar në Bruksel me Ankarën, Alfano thotë që dëshiron të  japë një gjykim konkret dhe realiteti na shtyn të themi që të frenosh fluksin nga Turqia nënkupton shfryrjen e të gjithë rrezikut që rruga ballkanike të mund të krijojë ndarje të mëtejshme në Evropë apo të mund të krijojë edhe rrugën e re nga Shqipëria në Itali”.

Ndërkaq punohet edhe për të pasur një plan B, këtë radhë me Shqipërinë: “Takova ministrin e brendshëm shqiptar që erdhi në Romë javën e shkuar – shpjegoi Alfano – e ditët në vijim do të shkoj unë në Shqipëri për të bërë gjithë ç’kemi në dorë për parandalimin e terrorizmit dhe të migracionit të paligjshëm”.

Në fakt, në 4 mars, ministri i Brendshëm italian Angelino Alfano priti në Viminale homologun e tij shqiptar, Saimir Tahiri. Temat kryesore të takimit  ishin çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, si dhe çështja e emigracionit, duke iu referuar në mënyrë të veçantë rrugës ballkanike e adriatike të flukseve të refugjatëve dhe migrantëve. Mes të tjerash, u ra dakord të rritet shkëmbimi i informacioneve në kohë reale, të përforcohet bashkëpunimi operativ, me pjesëmarrjen shqiptare në patrullimin detar në kuadër të “Triton” dhe mbështetjen nga pala italiane për ngritjen e qendrave të pritjes dhe identifikimit të emigrantëve në territorin shqiptar.

Edhe në Shqipëri vihen në lëvizje për t’i bërë ballë një ndërrimi drejtimi të flukseve të migrantëve të bllokuar në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Prej ditëve të fundit të shkurtit, 5 pika doganore në Jug të vendit ruhen edhe nga 450 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që janë shpërndarë në kufi në pikat doganore të “Qafë-Thanës”, “Kapshticës”, ”Tre Urat”, ”Kakavijës” dhe “Qafë-Botës”. Janë shtuar gjithashtu edhe kontrollet në linjat e zakonshme të autobusëve që lidhin qytete të Greqisë me ato të Shqipërisë.

Kontrollet janë shtuar edhe në bregdet në mënyrë që të shmangen përdorime gomonesh për trafikim të njerëzve drejt brigjeve të Italisë.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Edukimi seksual për imigrantët, ndokujt i ngjall frikë

Blushi: “T’u hapim dyert refugjatëve. Kujtoni anijet e ’91-shit që dyndën Italinë”