Sekuestrohet 115,3 kg kanabis sativa me vlerë prej rreth 120 mijë eurosh
Durrës, 9 janar 2014 – Policia e Durrësit sekuestroi mbrëmë 115,3 kg lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, arrestoi 7 të rinj dhe shpalli në kërkim dy të tjerë.
Të arrestuar janë Sajmir Zotkaj, Ismir Plaku, Gazmir Baruni, Viktor Shkurti, Geris Agasi, Orges Shqopa, dhe Francesko Selishta, të gjithë nga Durrësi e me moshë nga 19 deri në 27 vjeç. Të përfshirë në këtë grup kriminal janë edhe dy të rinj nga Elbasani, të shpallur tashmë në kërkim.
Lënda narkotike, vlera e së cilës në tregun italian kap vlerën e rreth 120.000 eurove, u gjet mbrëmë në dy automjete.
Nga hetimet e deritanishme mësohet se të rinjtë e siguronin drogën në Lazarat dhe e transportonin atë drejt Durrësit, për t’a depozituar në dy banesa në zonën e plazhit, ku kryhej edhe paketimi.
Më pas, me anë të mjeteve të rënda të transportit të mallrave, droga përcillej me traget drejt Italisë, e më pas drejt Bergamos dhe Milanos.
Në realizimin e këtij operacioni, i cili ka nisur dy muaj më parë, është bashkëpunuar ngushtë edhe me Prokurorinë për Krimet e Rënda Tiranë. (ATSh)