in

‘Durrësi dhe Italianët’ një libër që sjell qytetin e viteve ‘30

Një sërë faktesh janë sjellë nga Ramazan Beja në librin “Durrësi dhe italianët”, një botim i ditëve të fundit, që hedh dritë në një nga periudhat e shkëmbimeve tregtare më të ngjeshura të qytetit antik me gadishullin Apenin

Tiranë, 30 janar 2012 – Mbi 120 biznese italiane operonin në qytetin e Durrësit në fundin e viteve 1930, ndërsa një pjesë e studentëve durrsakë të asaj periudhe në Itali, pas martesave me vajzat nga vendi fqinj kishin krijuar familjet e tyre në qytetin bregdetar.

Këto dhe shumë fakte të tjera janë sjellë nga autori Ramazan Beja në librin “Durrësi dhe italianët”, një botim i ditëve të fundit, që ka ndriçuar më tej një nga periudhat e shkëmbimeve intensive tregtare të qytetit antik me gadishullin Apenin.

Libri ka karakter thuajse tërësisht dokumentar, duke trajtuar në 12 kapitujt e tij tema të rëndësishme të zhvillimit të qytetit, veçanërisht në transport, tregti, shërbime dhe industri. Autori Beja, përveç dokumentacionit të gjërë, ka shfrytëzuar dorëshkrimet e bashkëkohësve, si dhe kujtimet e familjarëve.

Mbi 80 studentë nga Durrësi mësuan në ato vite në universitetet e Romës, Milanos, Torinos, Bolonjës, Napolit, Firences, Barit, Bergamos, etj, shkruan në librin e tij autori Beja, dhe mes tyre, edhe plot emra të njohur të jetës shqiptare në fundin e viteve 1940, si Shefqet Beja dhe Nako Spiru.

Një listë e familjeve të krijuara në Durrës nga lidhjet e studentëve durrsakë me vajzat italiane ka ardhur thuajse e plotë në librin e autorit Beja, i cili nënvizon edhe vështirësitë e shumta që kaloi pikërisht për këtë arsye një pjesë e tyre në vitet e diktaturës komuniste.

Bizneset e ngritura në vitet 1920-1930 në qytetin bregdetar, veçanërisht në fushën e shërbimeve të hotelerisë, sjellin një pamje pak të njohur të Durrësit në prag të Luftës së Dytë Botërore. Fotot e godinave 70-8-vjeçare, të cilat kanë zënë vend në botimin e ri, sjellin elementët e hershëm të arkitekturës që u shfrytëzua në periudhën mes dy luftrave botërore.

Libri “Durrësi dhe italianët” është punimi i katërt i autorit Ramazan Beja mbi vendlindjen e tij dhe i shtohet botimeve të mëparshme “Durrësi 1900-1939” të studiuesit Sali Hidri dhe “Durrësi”, të mjekut të njohur durrsak Ali Sula. (ATSh)

Djali im quhet Benz!

Humbet paratë e qirasë në videopoker dhe e shkatërron