in

Durrësi. Magjia e qytetit të lashtë në foto

Nuk ka qytet në Shqipëri për të cilin të jetë shkruar më shumë se sa për Durrësin. Në 3000 vjetët e historisë së tij Durrësi është përmendur me mijëra herë nga udhëtarë, politikanë, oratorë, poetë e historianë.

Megjithatë, sot në shekullin XXI, magjia e qytetit, u përcillet vendasve dhe të huajve, përmes fotove të 100 vjetëve të fundit. Pamjet që kanë fiksuar Durrësin e viteve 1900 kemi filluar t’i shohim jo vetëm në institucione dhe ndërmarrje të mëdha, por edhe në lokale të të gjitha kategorive.

“Mund të jenë më shumë se 40 baret dhe restorantet që kanë zgjedhur fotot e Durrësit të vjetër për t’i dhënë “shije” lokalit të tyre”, thotë për ATSH-në, Gëzim Domi, një nga fotografët e njohur të qytetit. Ka bare në qendër të Durrësit ashtu siç ka edhe restorante të njohura në Shkëmbin e Kavajës apo në gjirin e Lalzit, që vitet e fundit kanë preferuar të vendosin fotot bardhë e zi të qytetit, që sjellin kryesisht pamjet mes dy luftërave botërore.

Shpeshherë në pritje të porosisë apo kamerierit, klientët e bareve dhe restoranteve të Durrësit ngrihen në këmbë për të shijuar nga afër pamjet e qytetit, duke u përpjekur të lidhin të djeshmen me të sotmen e bregdetit, të një lagjeje apo të një rrugice.

Foto që rindërtojnë historinë

Një foto rikthen një kujtim, shpeshherë rivendos në hapësirë diçka që nuk ekziston më, apo që koha e njerëzit e kanë zëvendësuar me një objekt tjetër. Duhet quajtur fat që dikush, shpesh anonim, ka ruajtur fotot e 70-80 vjetëve më parë, duke ruajtur një copëz të historisë që mund të humbasë. Regjisori Gjergj Vlashi thotë se ka shumë objekte në Durrës që janë shkatërruar, nga koha apo nga progresi. Do të ishte shumë mirë që institucionet vendore t’i identifikojnë këto vende, duke vendosur më pas pllakëza të thjeshta që kujtojnë institucionin apo personazhin, si dhe kohën kur punoi apo jetoi.

Gjergj Vlashi kujton kishën e Shën Gjergjit, pranë shkollës “Jan Kukuzeli”, e cila u prish në fund të viteve 1960. “Mos harrojmë se në atë kishë është dorëzuar prift Fan Noli, personaliteti ynë i madh dhe një shenjë që e dëshmon këtë do t’ia rriste vlerën qytetit”.

“Shembujt janë të shumtë, por unë po ndalem në dy raste të tjerë”, shprehet 83-vjeçari Gjergj Vlashi. Në vend të fabrikës së miellit “Vllaznit Shijaku”, pranë pallatit të sportit kohët e fundit është ndërtuar një pallat i madh. Një pllakë, ndoshta edhe me foton përkatëse që e kujton këtë biznes shumë të rëndësishëm të qytetit për më shumë se 60 vjet do të risillte edhe një copë të qytetit të vjetër. E njëjta gjë edhe me vendbanimin e Artistit të madh të teatrit, Nikolin Xhoja. Do të rikujtonim kështu një vlerë tjetër të Durrësit.

Të mësipërmit janë vetëm tre shembuj, por me siguri, nëse shihet me kujdes historia e re e qytetit, rastet janë të shumta. “Nëse njerëzit nuk i kanë harruar ende ngjarjet, vendet apo personat, kjo ndodh edhe falë fotografisë dhe të pasionuarve që i kanë ruajtur ato”, përfundon Gjergj Vlashi.

Një album fotografik për qytetin

Në fakt, një pjesë e fotove të hershme janë botuar edhe në librat historikë për Durrësin shkruar nga dr. Ali Sula dhe dr. Sali Hidri. Ndërsa të panjohurit që kanë ruajtur me fanatizëm pamjet e Durrësit të vjetër janë shumë më tepër.

Kristaq Xhimitiku jeton prej vitesh në Itali, por Durrësin vazhdon ta ketë me vete në çdo çast. Fotot e Durrësit që Xhimitiku i ri ka zbuluar në arkivat italiane i përkasin vitit 1902 e në vazhdim. Foto të që ripërshkruajnë përmes imazhit jetën e qytetit në periudhën historike më të stuhishme të vendit tonë: shkëputjen nga perandoria Osmane, instaurimin e Princ Vidit, bombardimet e luftës së parë botërore, tërmetin e vitit 1926, ndërtimin e portit detar dhe vetë rindërtimin e qytetit.

Fotografi Gëzim Domi prej vitesh përgatitet për një ekspozitë retrospektive. “Fotot e para i kam shkrepur në vitin 1982 në disa nga pikat më të njohura të qytetit – tregon Domi, i cili thotë se në 30 vjet shumë gjëra kanë ndryshuar. – Kjo është arsyeja që dua të sjell fotot më përfaqësuese të qytetit që lëviz dhe që ndryshon çdo ditë”.

Njerëzit e duan foton dhe shembulli më i mirë është ekspozita e fotoreporterit britanik Martin Parr. Galeria e arteve “Nikolet Vasia” në Durrës nuk ka pasur asnjëherë më shumë vizitorë se sa këto ditë. Fotot e vitit 1990 na rikujtuan edhe një herë se si kemi jetuar me banakët e dyqaneve bosh dhe biçikletat që i merrnin brenda në lokale. Ndoshta ka ardhur koha që qyteti të kujdeset për t’i grumbulluar fotot e tij të shekullit të kaluar. Do të kishim kështu një historik pa fjalë, por me imazhe, me fotografi, që siç dihet shumë herë kanë vlerë më shumë se 1000 fjalë.

Reportazh nga Gëzim Kabashi, ATSh

M. Shkurti, në luftë me tumorin dhe burokracinë italiane

Il Kanun e la convivenza religiosa in Albania