Në dy aksidente të ndryshme në punë, një në Vicenza e një në Prato, janë lënduar rëndë dy punonjës shqiptar. Që të dy ndodhen në spital në gjendje të rëndë shëndetësore
Romë, 14 korrik 2011 – Ndodhet i shtruar në reanimacion 50-vjeçari shqiptar Islam Xhafa i cili ditën e mërkurë pësoi një aksident të rëndë në punë në Arzignano të Vicenzës. Mjekët bëjnë të ditur se ai ka një helmim nga gazrat që ka thithur në një tubaturë dhe se për disa minuta ka mbetur pa oksigjen.
Bashkë me një koleg, punonjësi shqiptar po punonte për riparimin e një pusete ku derdhen ujërat e një fabrike regjjeje. Ata do të rregullonin pjesën përfundimtare të kanalizimit dhe do të zëvendësonin kapakun prej gize. Për të evituar thithjen e gazrave helmuese që dalin kur hapen kanalizimit, masat e sigurisë parashikojnë vendosjen e një lloj balloni ose një si tape gjatë punimeve përreth.
Sipas rrëfimeve të para duket se Islam Xhafës i ka rënë një vegël punë në kanal dhe ai ka hyrë atje për ta marrë i lidhur me rripat e mbajtjes. Nuk dihet nëse nga nxitimi apo pakujdesia nuk ka vënë maskën antigaz dhe ka arritur të shpëtojë vetëm falë shpejtësisë së kolegut që ka arritur të ngrejë rripat duke rrezikuar edhe ai helmimin.
Personeli i urgjencës ia ka bërë një masazh kardiak për 40 minuta rresh dhe pesë herë është përdorur defibrilatori mbi pacientin. Rreziku tani është se mund të ketë pësuar dëme cerebrale, pas disa minutave të kaluara pa oksigjen.
Ndërsa një tjetër fatkeqësi në punë ka ndodhur në Toskanë: 34 vjeçari shqiptar me iniciale S.X., me banim në Prato ka rënë nga një lartësi katër-pesë metrash. Mjekët e seksionit të mjekësisë për punën të As kompetent bëjnë të ditur se pacienti është në gjendje kome farmakologjike dhe se ka pësuar një traumë të fortë në kokë e ka plagë të shumta në fytyrë. Nga shqyrtimet me skaner ka dalë se ka pasur dhe një hemorragji cerebrale.
Në kantierin në zonën që quhet “La Quercia” po punohej për transformimin e një restoranti të vjetër në apartamente banimi. I riu shqiptar, i cili prej pese vjetësh punonte për ndërmarrjen e ndërtimit “Nigro costruzioni” nuk dihet ende nëse ka rënë nga çatia apo siç deklaron punëdhënësi ka rënë nga shkallët e brendshme të kantierit. Punimet janë bllokuar në pritje të shqyrtimeve të mëtejshme që duhet të hedhin dritë mbi këtë aksident, i disati i ditëve të fundit që prek punëtorët shqiptarë.