in

Dy bomba dhe një letër me fantazmën e Enver Hoxhës

Nga Visar ZHITI

Hapja për t’u vizituar nga të gjithë e bunkerit të nëndheshëm, i cili ishte ngritur për mbrojtjen e sundimtarëve të diktaturës në rast se do të kishte bombardim atomik në Tiranë, shkaktoi një habi, do të thosha, të përzier me mister, kuriozitet e kritika, duke shtuar dyndësit për ta parë e për të dhënë deklarata të angazhuarit në politikë, gjë që bëri që ata që e kanë urryer diktatorin Enver Hoxha, ta urrejnë edhe më shumë, kurse ata që e kanë adhuruar dhe nuk kanë mundur ende të çlirohen nga sindroma e tij, ndoshta janë shushatur edhe më, duke iu dukur tmerrësisht i zoti dhe i aftë për t’u rishfaqur.                               

Absolutisht po, Enver Hoxha ka qenë sundimtar i aftë, dinak deri në mizori, dyshues deri në vrasje, paranojak deri në frikën më të madhe, frikacak deri në aventurat më të çmendura, koniunktural virtuoz, sepse ka qenë hipokrit virtuoz, intelektual kundër intelektualëve, që bëri me vete intelektualë të shumtë kundër intelektualëve edhe më të shumtë etj., etj., që për të ruajtur sundimin e tij vetanak, sakrifikonte deri dhe me gjakderdhje popullin dhe vendin, teksa i mbulonte sakrificat dhe aventurat sikur i kërkonte koha që të bëheshin në emër të popullit dhe vendit dhe, mbi të gjitha, të sistemit utopik që po ngrinte dhe mbronte, të cilit mbase as Enver Hoxha vetë nuk i besonte.                     

BOMBA E DYTË:                 

Pra pritej një bombë atomike mbi kryet e Enver Hoxhës, e ndiente se duhej dhe ngriti atë strehim të nëndheshëm për të shpëtuar… jo popullin, por veten. Si do të hidhej ajo bombë? Nga kush? Në rast lufte botërore a të Shqipërisë së Enver Hoxhës në luftë kundër gjithë botës, për të cilën ai përgatitej rreptësisht duke jetuar si në rrethim. Dhe mundësitë e hedhjes së bombës atomike e kishin ata që e dispononin atë, dy superfuqitë e atëhershme, imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik me satelitët e tyre. Nëse do të kishte luftë të tillë, pra pas hedhjes së bombave atomike këtu, vështirë se do të mbetej këtu popull për të sunduar Enver Hoxha më pas. Besoj që dhe Enveri duhej ta kishte të qartë.                   

Ai e ngrinte atë strehim sekret për vete, për klanin e tij, familjen, se sulmi mund dhe duhej të ishte i pjesshëm, nga jashtë sigurisht, kundër Bllokut të tij a më saktë kundër shtëpisë së tij.                        Nuk besoj se një bombë e tillë do të binte ndonjëherë, por Enver Hoxhën e zbërthen më mirë një tjetër bombë, fare e vogël, e parëndësishme, artizanale, që s’ishte e aftë të thyente plotësisht as gjithë xhamat që kishte përballë, as syzet e zyrtarëve ku ra, ajo që tashmë njihet si “Bomba në Ambasadën Sovjetike në Tiranë”, për të cilën studiuesi dhe shkrimtari Uran Butka ka dhe një libër me rëndësi, i përkthyer dhe në gjuhën angleze.                           

Le të tregojmë paksa për bombën e parë të Enver Hoxhës, që lidhet me njërën nga superfuqitë që mund të hidhte bombën e dytë mbi kryet e Enver Hoxhës, për të cilën s’ka as data, as projekte, as taktika e as strategji.                 

BOMBA E PARË:             

Më 19 shkurt të vitit 1951, në orën 18:00, në hyrje të Ambasadës së Bashkimit Sovjetik në Tiranë plasi ajo, po e quajmë bombë artizanale, ca eksplozion mbështjellë me gazetë, që nuk vrau kurrkënd dhe nuk dëmtoi asgjë. Por menjëherë plasi një gjë tjetër më e madhe, plenumi i KQ, Byroja Politike e PPSH… ministri i Brendshëm foli i shqetësuar: “…kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne…”. Aq hata u dukej kjo e fundit, sa e përfytyronin me një bombë atomike.                    Me porosi të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës u morën masa shtypëse të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh as ligjet e tyre në fuqi, do të pushkatonin siç kishin bërë dhe herë të tjera. Urdhri ishte të arrestoheshin më parë 100, 150, më shumë, sa të mundnin, armiq, nga të gjitha trevat e vendit, dhe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, të spastrohej Tirana, se pa Bashkimin Sovjetik nuk kishte jetë tani që Jugosllavia kishte tradhtuar… Duheshin intelektualë. U përzgjodhën mizorisht 22 të tillë, që pa gjyq e asnjë procesverbal, do të pushkatoheshin. Dhe u pushkatuan.          

Dosja gjyqësore do të përgatitej më pas, kur ata ishin mbuluar me dhé, me mungesa firmash, se të vrarët nuk firmosin më, por i duhej raportuar Stalinit menjëherë që aksioni kishte përfunduar me sukses, miqësia shqiptarosovjetike ishte e pathyeshme dhe e përjetshme.                     

Dyzet agjentët e KGB-së, të instaluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Tiranë, vëzhgonin veprimet e vasalëve shqiptarë, sa të aftë ishin ata në realizimin e kësaj loje…                

Por vrasjet kishin qenë të vërteta. U shqyen dyer, u rrëmbyen njerëz të pafajshëm, i flakën në karroceri makinash, u hodhën thesin në kokë, i lidhën me tel të ndryshkur. Arrestuan dhe një grua, pedagoge, shkencëtare, Sabiha Kasimati, e bukur, e pafat… Sharje, gjak, britma, entuziazëm kriminal. Në tortura merrte pjesë vetë ministri i Brendshëm. Qysh në natën e parë nuk u përmbajt dot, goditi me qytë të revolverit qytetarin Jonuz Kaceli, ia çau kafkën dhe ai dha shpirt menjëherë, aty në qeli. Nuk u mjaftuan me kaq, kufomën e tij e hodhën nga dritarja dhe pastaj thanë se ishte përpjekje për ikje dhe vetëvrasje. Midis të arrestuarve ishte edhe një poet, Manush Peshkëpia. Birucat ishin plot. Lebeti, ngushtë, nuk shtriheshe dot po të të binte të fikët. Filluan të njihnin njëri-tjetrin në terr… intelektualë, nacionalistë, demokratë që diheshin, të diplomuar në Perëndim një pjesë: Pjerrin Guraziu, Gjon Temali nga Shkodra; Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana; Petro Konomi nga Gjirokastra; Thoma Katundi, Pandeli Nova nga Korça; Fadil Dizdari nga Kavaja; Hekuran Troka nga Kuçova; Niko Lezo nga Delvina; Anton Delhysa nga Prizreni; Tefik Shehu nga Gjakova; Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe; Mehmet Shkupi nga Shkupi; Lluka Rashkoviçi nga Mali i Zi… Lista e emrave të arrestuar iu dha Enver Hoxhës dhe ai shtoi me dorën e tij edhe katër të tjerë, i njihte vetë, tre i kishte gjirokastritë, duheshin zhdukur:             

Reiz Selfo (për të cilin, kur do ta merrte vesh që e pushkatuan, do të përlotej(?!), kështu u tha më vonë dhe e tregojnë ende ata që besojnë te Enveri…), Qemal Kasoruho… i biri i tij 17-vjeçar, Amiku, përkthyesi dhe shkrimtari i ardhshëm, ishte në burg…                  

Dhe… dhe një grua, Sabiha Kasimati… hë, hë, e kishte përtallur ajo dikur. E para vajzë që kreu Liceun në Korçë, shoqe klase me diktatorin e ardhshëm, e para që u laureua për Shkencat e Natyrës jashtë shtetit në Itali, në Torino, shkëlqyeshëm, donin ta mbanin atje si ihtiologe, por u kthye në atdhe, drejt peshkaqenit të madh, përbindëshit. Është gruaja e parë që punonte si shkencëtare në Institutin e Shkencave të Natyrës në Tiranë.              

Ajo habitej dhe e shprehte në mjediset intelektuale se si mund ta drejtonte këtë vend një mediokër pa ndonjë aftësi të veçantë, përveç donzhuanizmit të tij…             

Akuzës për terrorizëm zonja Sabiha Kasimati do t’i përgjigjej: “Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje ku është marrë vendim për akt terrorist. Unë jam evolucioniste…”. Vepra e saj vidhej dhe botohej me emra të tjerë… sovjetikë.

LETRA STALINIT:           

Dhe duhej çuar një letër atje, në Kremlin, Stalinit, për këtë bombëz të vogël, një mesazh nga Tirana në Moskë, në Bashkimin e madh Sovjetik, që kishte 2 vjet e ca që e kishte realizuar bombën e madhe, atë atomike, e cila mund t’i kthehej si kundërpërgjigje Enver Hoxhës një ditë e duhej bërë strehimi atomik. Të kthehemi te letra e Enver Hoxhës dërguar Stalinit dy ditë pas plasjes së bombës artizanale dhe 5 ditë para pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve shqiptarë, mes tyre dhe ajo, gruaja shkencëtare, të gjithë të pafajshëm, ja, letër-bombë, e skëterrshme, e ligë dhe plot hipokrizi të përgjakur.           

Enver Hoxha – mizor me popullin e tij, që e kishte vënë re se në ato kohë ishte shëndoshur edhe më shumë dhe i përulur edhe më shumë para Mizorit të madh, botëror fare dhe i premton atij se do të jetë edhe më mizor, dhe i betohet. Madje i kërkon falje për bombën, që mbase e hodhën vetë te shkallët e Ambasadës Sovjetike.         

E tmerrshme dhe e paturp! Enver Hoxha kërkon falje(?!). Në emër të të gjithë shokëve të Komitetit Qendror. Ja që ditkan, por jo atje ku duhet, një falje absurde, po aq dhe kriminale si të gjitha bëmat e tyre, një vrasje për së dyti brenda vrasjeve. Ja letra:            

21.02.1951          
Shokut Josif Visarionoviç Stalin       
Kremlin, Moskë.          
Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i Bashkimit Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë në datën 19.02.1951, në orën 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë.            
Ky akt politik terrorist i armikut na ka prekur jashtëzakonisht, sepse ai u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë tonë.            
Shoku Stalin, ne nuk kemi qenë vigjilentë sa duhet, sepse mund ta kishim evituar atë gjë të tmerrshme që na ngjau ne, atë mungesë vigjilence që ne e konsiderojmë një nga gabimet më të rënda tonat, nuk duhet të na falej lehtë nga populli dhe Partia jonë.                  
Ne, shoku Stalin, ju betohemi, juve dhe partisë bolshevike të lavdishme se do t’ia lajmë partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë. Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën tonë ndaj imperialistëve gjakatarë, luftënxitës amerikano-anglezë, ndaj tradhtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës dhe të Romës, dhe reaksionit të brendshëm, vegël e tyre.                    
Shoku Stalin, Partia jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik, të popullit tonë e të paqes. Partia jonë, si kurdoherë, do të vërë të gjitha forcat e saj për të çelikosur dashurinë e popullit tonë ndaj shpëtimtarëve të tij, Bashkimit Sovjetik, Partisë Bolshevike dhe jush, shoku Stalin. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm nuk do të arrijnë kurrë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e pakufishme që ka populli ynë për ju dhe Bashkimin Sovjetik.                      
Shoku Stalin, në emër të të gjithë shokëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të mbledhur në Plenum, ju kërkojmë ndjesë Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi do t’ia lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne. Ne do të jemi të pamëshirshëm dhe vigjilentë ndaj armikut të brendshëm dhe të jashtëm, do ta forcojmë dhe do ta çelikosim Partinë tonë, do ta bolshevizojmë atë dhe do të forcojmë çdo ditë e më shumë mbrojtjen e vendit tonë.                
Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjtë yni, pranoni të falat tona revolucionare.                 
Në emër të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm Enver Hoxha                   

Midis dy bombave, e para punë me dorë, ca eksploziv në gazetën “Pravda” a “Zëri i popullit”, por me pasveprim, që solli aq dëm, u pushkatuan njerëz dhe u rrënuan familje, kurse bomba e dytë hipotetike, e pandodhur dhe midis tyre letra e Enver Hoxhës, bombë dhe shkuar bombës, do të doja t’u thosha atyre që shfaqen “si diversantë” me portretin e tij, kur koha tashmë e ka rrëzuar, më shumë se sa koha, bëmat e tij kriminale që rrënuan vendin, që dhe nëse pati njerëz që e deshën gabimisht apo një pjesë e popullit, gjysma, më shumë, sa të doni thoni, ai, Enveri, nuk gaboi asnjëherë, nuk i deshi kurrë ata, as popullin.                    

EPILOGU SI MIRËKUPTIM

Janë aktuale dhe tani ato që tha 20 vjet më parë pedagogu i dikurshëm, piktori modern dhe rebel, Kryeministri Edi Rama në “Zërin e Amerikës”, se nuk po hedhim ne baltë mbi Enver Hoxhën, por po mundohemi të heqim baltën që ai hodhi mbi ne. Baltë e përzierë me gjakun tonë. Natyrisht që s’kemi pse i ngazëllehemi këtij fakti, kësaj dukurie, ngaqë jemi kundër diktatorit e çdo diktature. Edhe pse jam ish-i burgosuri i tij, nuk do të doja të kishim pasur një Enver të tillë dhe më dhimben adhuruesit e mbetur të tij. Ka të paktën dy Enverë, u them atyre me durim miqësor, siç ndodh me çdo sundimtar a prijës, janë dy, njëri ai që përfytyrohet e që do të donim të ishte, ndërsa tjetri ai që ishte dhe që e tregojnë bëmat e tij. Përputhen, afrohen dy shëmbëlltyrat? Të guxojmë të mos duam që s’e meriton, që na mashtroi, qoftë dhe vonë, qoftë dhe me dhimbje. Nëse ju duket se bëri për ju, “ju zbriti nga malet, nga barinj ju bëri kuadro…” etj., etj., ta dini se pa të do të bëheshit ende më mirë e do të kishim më shumë e jo këto halle, probleme ekonomike e mosmarrëveshje, si një lloj lufte klase në kushte demokracie. Nga historia nuk e nxjerrim dot diktatorin, nga ndërgjegjet po. Ishte aleat me ata që morën anën e drejtë të historisë, mund të thoni, po, vërtet, por për të siguruar sundimin e tij gjakatar. Do të mbetet në kujtesën kolektive, të paktën si një përvojë që nuk duhet lejuar të përsëdytet. Prandaj në muze të vihen jo vetëm kapelat e tij, por dhe letrat si ajo Stalinit, ka plot, kështu janë pothuaj gjithë botimet e tij, jo vetëm bastunët e diktatorit në muze, por dhe armët që pushkatuan njerëz, krahas bunkerëve të sofistikuar atomikë të bëhem muze turistikë dhe burgjet e tij primitive. Gjithçka të bëhet në emër të së mirës së përbashkët, për të qenë vend normal në botën normale.

Gazeta Panorama

Greqi. Arrestohet Arbër Bako për plagosjen disa ditë më parë të 15 vetëve

Bergamo. Arrestohen 8 persona për trafik droge, në kërkim dy të tjerë