in

Dy herë të huaj

Nga Rando Devole

 

Romani “Due volte stranieri” (Dy herë të huaj) i shkrimtares Ismete Selmanaj Leba u kushtohet të gjithë emigrantëve që u është dashur të ikin nga vendi i vet. Në fakt, plot emigrantë, në një mënyrë ose një tjetër, mund të pasqyrohen në faqet e librit. Kemi të bëjmë me histori emigrantësh, ose më mirë me shumë histori emigrantësh, që sillen qark ngjarjeve të dy shoqeve, që për arsye të ndryshme e lënë pas atdheun dhe shkojnë në Itali.

Mirela largohet së bashku me burrin pas një ndodhie dramatike në shkollën ku jepte mësim. Një nxënëse e saj në Shqipërinë e trazuar të asaj periudhe rrëmbehet nga një bandë e armatosur keqbërësish. Pavarësisht kundërshtimit të saj, Mirela mbetet thellësisht e shokuar dhe e brengosur, duke e ndjerë veten në faj ngaqë nuk e shpëtoi dot vajzën e re.

Pasi shkon në Itali kërkon shoqen e saj Dorinën, që ishte larguar nga Shqipëria me anijen “Vlora” gjatë eksodit në drejtim të brigjeve puljeze. Vajzë e rritur mes shumë vështirësish, sepse vinte nga një familje të persekutuarish politikë nga regjimi komunist. Por vështirësitë e Dorinës nuk kanë sosur, të tjera probleme e presin në Itali.

Ngjarjet zhvillohen në vendin fqinjë, por vendi i nisjes është shumë i pranishëm në faqet e librit dhe jo vetëm në trajtë digresionesh e kujtimesh. Shqipëria nga ku janë nisur protagonistet është ajo viteve 1990. Emigrantët ikin nga vuajtjet që ka shkaktuar regjimi më i egër i Europës lindore, sikurse nga trazirat e shumta që karakterizuan atë dhjetëvjeçar. Personazhet e romanit kanë shumë dëshirë të rrëfehen, ta tregojnë historinë e vet, çka e bëjnë me një gjuhë të thatë e të prerë. Edhe krahasimet që bëjnë me jetën në vendlindje është njerëzisht e kuptueshme. Shpesh zakonet e traditat ballafaqohen me realitetin e ri, jo pa habi, keqkuptime e kundërshti.

Por jeta e emigrantit nuk është aspak e thjeshtë. E dëshmojnë disa personazhe të romanit që hasin në vështirësi pafund: diskriminime, indiferencë, racizëm, poshtërime, hipokrizi, cinizëm, injorancë, paragjykime … Shtohet edhe burokracia që shikon tek emigrantët qytetarët e kategorisë B. Pastaj janë edhe historitë e dhimbshme të grave të keqtrajtuara që duhet të luftojnë edhe me një farë mentaliteti maskilist e patriarkal.

Jeta e emigrantëve do të ishte e skëterrshme, si realiteti i vendlindjes, sikur të mos ishin njerëzit e mirë, “engjëjt” siç i quan protagonistja, që i mirëpresin dhe i ndihmojnë me bujari të jashtëzakonshme dhe luftojnë për të drejtat e tyre.

Mirela ia del ta gjejë shoqen e saj Dorina, por edhe nxënësen e saj Ana, e rrëmbyer nga bankat e shkollës në Shqipëri. Janë histori për t’u lexuar, histori për të reflektuar. Sigurisht kemi të bëjmë me një roman “femëror”, jo aq për autoren se sa për personazhet dhe historitë e grave dhe vajzave që përshkruan, ku nuk mungojnë brezat e dyta.

Personazhet e librit nuk janë vetëm shqiptare dhe italiane, ka edhe nga kombësi të tjera, por që duken të gjithë të lidhur nga vuajtjet, nga të ndjerit të huaj e nga ndryshmëria, që shpesh perceptohet si problem e jo si pasuri. Megjithatë, romani nuk është pesimist e nuk mund të ishte i tillë në një botë ku ekziston edhe mirësia e dashuria.

Romani është i mbushur me proverba shqiptare dhe thënie të urta të gjyshes, që ofrohen shpesh e me përpikëri nga rrëfyesja, si një farë udhërrëfyesi shpirtëror, busull në detin e hapur të jetës, ose një farë harte vlerash që e ndihmon të rrugëtimin e saj migrator. “Kur gjen mësime të urta, bëji të tuat, flutura e gjyshes”, kujton protagonistja e romanit dhe rrëfen se kur ishte fëmijë nuk e kuptonte deri në fund se fjalët e gjyshes së dashur ishin thesare të rralla, një filozofi e tërë e përmbledhur në pak rreshta të arta. Duke parafrazuar fjalinë e fundit të romanit mund të thuhej se të gjitha gjyshet e botës janë njëlloj.

Titulli i romanit: Due volte stranieri
Autorja: Selmanaj Leba Ismete
Botuesi: Salento Books

Ky shkrim është botuar fillimisht në italisht nga revista “Confronti“. Për ta lexuar klikoni këtu.

“The Albanian Code”, un film per rendere onore al popolo che salvò migliaia di ebrei

Shqiptarët e Italisë në limbon e pensioneve