in

Dy ish krerë të KQZ-së, mendime të kundërta mbi numërimin votave të këtyre ditëve

Agjencia e lajmeve ATSh interviston dy ish kryetarë të Komisionit qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Çelibashin  dhe Çlirim Gjatën. Japin mendim diametralisht të kundërt për procesin e numërimit nga KQZ të fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara: për Gjatën është mëse i drejtë dhe i ligjshëm, për Çelibashin është krejtësisht i paligjshëm por nëse mendohej të bëhej duhej të përcaktohej kuadri ligjor përpara fillimit të zgjedhjeve dhe jo kur duhej të dilnin rezultatet.

Sipas mendimit të Çlirim Gjatës ajo çka po bën KQZ është e drejtë dhe mbështetja ligjore qëndron në nenin 122 pika 6 të Kodit Zgjedhor: “KQZ funksionon si KZAZ, sepse Tirana, ndryshe nga bashkitë e mëdha që kanë secila KZAZ-në e vet, nuk ka një të tillë të vetme për të gjithë Tiranën, por KZAZ-të e të 11 minibashkive i dërgojnë tabelat e tyre, me gjithë bazën materiale dhe kontestimet, për vlerësim në KQZ, e cila në bazë të nenit 123 të Kodit Zgjedhor nxjerr në mënyrë të veçantë rezultatin për Tiranën”. Por nga ana tjetër njeh edhe faktin që ligji nuk është shum i qartë në këtë pikë: “mund të jetë një e metë e ligjit që nuk ka parashikuar një të tillë për Tiranën, që kuptohet nuk ngarkon me përgjegjësi KQZ-në, por parlamentin”.

Gjithsesi ai është i mendimit që votat e hedhura në kutitë e gabuara duhen numëruar “s’mund t’i lësh kot, janë gjetur aty dhe kaq. Atyre u duhet dhënë një status. Pra duhen vlerësuar medoemos sepse lënia në këtë mënyrë, jo vetëm është e kundërligjshme, por është edhe një precedent i rrezikshëm për të ardhmen, pasi nesër mund të lihen fletë votimi pa numëruar për lloj lloj arsyesh”. Por anashkalon faktin që në të vërtetë në rastin konkret atyre iu ish dhënë një status (të kontestuara apo të pavlefshme) deri kur doli rezultati për Tiranën në favor të Ramës.

Sa për precedentë të këtij lloji ai përmend Durrësin që sipas tij nuk kishte të bënte me fletë të hedhura në kuti të gabuara por me fletë të nxjerra të pavlefshme që humbësi më pas kërkoi të rishikonte: “Ai ankimim nuk ka të bëjë me gjetjen e fletëve në kutinë e gabuar, por me kërkesë për rivlerësimin e fletëve të votimit të shpallura me vendim si të pavlefshme, për faktin se numri i tyre e kalonte diferencën në rezultat midis fituesit dhe humbësit. E thënë me thjesht nëse diferenca ishte 400 vota, numri i votave të pavlefshme ishte 800. Ajo kërkesë u rrëzua sepse nuk kishte prova dhe as indicie që ky vlerësim ishte bërë gabim dhe të shkaktonte rivlerësimin e tyre. Numëruesit partiakë nuk mund të thonë pasi del rezultati që tani që humbëm kemi gabuar”. A nuk kujton pak rastin e Tiranës: kur u pa që dallimi mes kandidatëve ishte vetëm 10 vota u kërkua të hapeshin edhe kuti e zarfe me fletë të kontestuara/të pavlefshme/të panumëruara, për të përdorur edhe terminologjinë e ditëve të fundit.

Jep një vlerësim krejt të kundërt për veprimtarinë e ditëve të fundit të KQZ-së një tjetër ish kryetar i Komisionit, Ilirjan Çelibashi, që konsideron në kundërshtim me Kodin Zgjedhor vendimin e KQZ-së për vlerësimin e fletëve të kontestuara për kryetarin e bashkisë Tiranë. “Në Kodin Zgjedhor, të paktën për këtë moment të procesit zgjedhor, është përcaktuar qartë ajo se çfarë aktesh dhe veprimesh do të duhet të kryejë KQZ”, thotë Çelibashi. “Në nenin 122, pika 6 të Kodit Zgjedhor përcaktohet: Për zgjedhjet e Kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, KZAZ-ja miraton Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve të Qendrave të Votimit të njësisë bashkiake përkatëse. Kopja origjinale e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve dhe Tabelat e Rezultateve për çdo qendër votimi i dërgohen KQZ-së për të nxjerrë rezultatin, sipas nenit 123 të këtij Kodi. Nga neni 123 është qartësisht e kuptueshme që KQZ, pasi të ketë marrë tabelat e rezultateve të 11 KZAZ-ve që përbëjnë njësitë zgjedhore të Bashkisë Tiranë, duhet të mbledhë të dhënat e tyre dhe t’i shpallë ato jo më vonë se 48 orë nga momenti që i ka marrë këto tabela”.

“Nuk ka Kodi Zgjedhor asnjë dispozitë që qoftë edhe indirekt, kur është momenti i nxjerrjes së rezultateve, apo i vlerësimit të votave, e “transformon” KQZ-në, për rastin e Tiranës, në një KZAZ”! “Për më tepër Kodi Zgjedhor e përcakton qartë që vlerësimi i votave të një qendre votimi të caktuar nuk mundet të bëhet nga një KZAZ e dytë, kur kjo gjë është bërë nga një KZAZ tjetër. KQZ në procedurën që ka nisur, me statusin e vetëmarrë të KZAZ-së, është duke rivlerësuar votat, të cilat më parë i ka vlerësuar KZAZ e njësisë bashkiake”, thotë Çelibashi.

Çelibashi shton një tjetër argument: “Procesi zgjedhor është një proces politik, por është në të njëjtën kohë edhe një proces ligjor. Si i tillë ai duhet të zhvillohet me rigorozitet në përputhje të plotë dhe të qartë me ato dispozita të ligjit në bazë të të cilit ky proces zhvillohet. Është e rëndësishme që kjo qasje të jetë e tillë ndaj ligjit, pasi vetëm kështu palët politike pjesëmarrëse në të mundet të kenë besim tek ky proces”. Gjithashtu, sipas tij, çdo rregull që ka të bëjë me të gjitha aspektet e Kodit Zgjedhor duhet domosdoshmërisht që të jetë miratuar të paktën përpara datës së zgjedhjeve dhe mundësisht me një konsensus sa më të gjerë. Ai thotë se “nëse KQZ (shumica e saj) vlerëson se për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, duhej një procedurë ekstra, ku sipas së cilës, KQZ duhet të marrë kompetencat e KZAZ-së, domosdoshmërisht kjo procedurë do të duhej të miratohej përpara datës së zgjedhjeve dhe të ishte bërë publike”.

OSBE/ODIHR: Nuk shohim bazë ligjore për hapjen e kutive nga KQZ

Topi i mbështetur nga ambasadorët: KQZ i përgjigjet ligjit, jo partive