in

“Dy vjet për të kërkuar punë e sanatore për ata që kanë humbur lejeqëndrimin”

Cgil, Cisl dhe Uil kërkojnë të shpëtohen punonjësit e huaj viktima të krizës ekonomike. Danesh (Cgil): “Italia të mos i lërë në hije e në shfrytëzim, janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe ekonomisë italiane”

Romë, 29 qershor 2016 – Kriza ekonomike dhe ligji mbi imigracionin kanë krijuar 400 mijë fantazma. Janë punonjësit e huaj që, sipas sindikatave, në pesë vjetët e fundit kanë humbur vendin e punës e për këtë motiv nuk kanë mundur më të përtërijnë lejen e qëndrimit.

Sipas atij ligji, duhet të largohen. Sipas logjikës, shumë më afër realitetit sesa normativat e lindura kur kriza akoma nuk ekzistonte apo nuk ishte kaq e egër, vazhdojnë të qëndrojnë në Itali në pritje që klima të ndryshojë, sepse në atdhe do ta kishin edhe më të vështirë e sepse këtu kanë familjet, këtu kanë rritur bijtë e tyre.

Këto fantazma jetojnë (keq) mes nesh. Ia dalin të shkojnë përpara duke punuar në të zezë, shpesh të shfrytëzuar në maksimum, sepse nuk kanë rrugë tjetër. Tashmë janë imigrantë të parregullt, të detyruar të refuzojnë edhe një kontratë (të mundshme) të shkëlqyer. E megjithatë, do të mjaftonte një ligj më i drejtë për t’u dhënë mundësinë të dalin në dritën e diellit e për të ndaluar që të tjerë të kenë të njëjtin fat të zi.

Dje, në mëse 60 qytete italiane Cgil, Cisl e Uil kanë promovuar manifestime dhe mitingje përpara prefekturave. Kërkesat e tyre janë shumë të qarta e prej vitesh i prezantohen qeverisë pa rezultat. Shpresa e sotme është që të bëhen përcjellës edhe përfaqësuesit e qeverisë në territor, aty ku shihet sheshit se si kriza ka goditur imigrantët: 17% papunësia mes imigrantëve, pesë pikë më shumë se ajo e italianëve.

Sindikatat kërkojnë “shtyrjen e kohëzgjatjes së lejes së qëndrimit për pritje punësimi në 24 muaj” kundrejt 12 muajve të sotëm, që veç të tjerash, shumë Kuestura shkurtojnë edhe më shumë. Është fjala që t’u jepet më shumë kohë imigrantëve të kërkojnë një punë të re pasi kanë humbur njërën para se t’u skadojë leja e qëndrimit.

Shtyrja e kohëzgjatjes duhet të jetë sidoqoftë e lidhur me vënien e tyre në lëvizje për të gjetur një punësim të ri, por në këtë aspekt duhet edhe të ndihmohen nga Shteti. Cgil, Cisl dhe Uilkërkojnë, në fakt, të vihen në zbatim “politika aktive të punës, që të kenë për qëllim përfshirjen shoqërore të të gjithëve”, pra politika orientimi, formimi profesional e pikëpjekje mes kërkesës dhe ofertës.

Mobilizimi i djeshëm u bë edhe për ata fantazma. Kërkon në fakt të “rishihet pozita e punonjësve që kanë humbur punën e lejen e qëndrimit”, fjala e saktë për atë që kërkohet, që ndonjërit do t’i krijojë ndonjë problem, është SANATORE. Një sanatore, legalizim i qëllimshëm, faktikisht një ri-legalizim, që të shpëtojë ata që ishin të rregullt e që kriza e lejeqëndrimi shumë i shkurtër për kërkimin e një pune të re i kthyen në të parregullt.

“Italia nuk mund t’i lejojë vetes të fusë në hije, të kthejë në të padukshëm e të zhysë në shfrytëzim qindra mijëra punonjës që për vite me radhë kanë paguar taksa e kontribute, kanë një bagazh aftësish e kompetencash, janë integruar shumë mirë bashkë me familjet e tyre. Është një politikë miope, që pret degët mbi të cilat mbështetet” thotë për stranieriinitalia.it Kurosh Danesh, përgjegjës imigracioni i Cgil.

“Edhe Confindustria – nënvizon sindikalisti – thotë që pa punonjësit imigrantë do të humbasim një kontribut themelor për ekonominë e vendit. E vërtetë që kanë përqindje papunësie më të lartë, por nga ana tjetër është po aq e vërtetë se futjet e reja në tregun e punës përfshijnë, në proporcion, më shumë të huajt se vendasit. Oferta dhe kërkesa ekzistojnë tashmë, treguesit ekonomikë thonë se do të rriten, e ky proces rimëkëmbjeje duhet shoqëruar me vetëdije dhe vullnet politik”.

Si? “me normativa të reja që të dyfishojnë kohëzgjatjen e lejeve të qëndrimit për pritje punësimi e që t’u japin sërish leje qëndrimi ayre që e kanë humbur” thotë Danesh. “Në përgjithësi, ne besojmë që kushdo që e ka një vend pune duhet të legalizohet, por të fillohet të paktën duke bërë diçka të drejtë [sanatore] për ata 400 mijë fantazma”.

Elvio Pasca 

 

Snai, gjithnjë e më shumë besim te fitorja e Italisë

Leja e qëndrimit. Si kontrollohet në ç’pikë është praktika