in

E ç’na duhet një ministër si Majko?

Darina Zeqiri letër kryeministrit Rama pas vizitës së ministrit Majko në Parma: “Ministri nuk është i denjë për rolin e tij. Nuk arriti të nderojë as ne e as Shqipërinë. Madje, vuri jo pak në siklet të gjithë që në heshtje përtypëm mbroçkullat e tij. … Ato si Majko janë figurat që përcjellin një imazh të rëndomtë mbi Shqipërinë. … Një ministër, që iu drejtua si popullit ashtu dhe intelektualve në të njëjtën gjuhë, si të fliste me një kope e pa dhënë asnjëherë një mundësi diskutimi, ballafaqimi, krijime idesh nën vizionin e një të ardhmeje”

Në një reagim të vetin në Facebook, Darina Zeqiri, gazetare e aktiviste e shoqatës Scanderbeg të Parmës, dje shprehte pa i rënë aspak përqark një shqetësim që ndihet, herë më shumë e herë në formë më të lehtë, mes shqiptarëve në emigracion: që shteti shqiptar nuk ka marrë e vazhdon të mos konsiderojë seriozisht qindra mijëra shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. E as Samiti i Diasporës e as ministri Majko nuk duket të kenë ndryshuar qasjen e shtetit ndaj thuajse gjysmës së popullsisë së vendit (e pohuar kjo gjë shpesh nga ministri Majko).

Zeqiri merr shkas nga vizita e fundit e ministrit Majko në Parma, vizitë për të cilën ajo e të tjerë aktivistë të Scanderbeg të Parmës u angazhuan fort për t’i siguruar të ardhurit nga Shqipëria një sërë takimesh jo vetëm me komunitetin por edhe me institucionet italiane. Ajo, si edhe të tjerë që kanë qenë të pranishëm në takimet e ndryshme të ministrit, ka mbetur shumë e zhgënjyer: për mungesën e një vizioni të qartë, për mosdhënien e mundësisë për një dialog të pastër mes komunitetit e përfaqësuesit të qeverisë, por deri edhe për arrogancën e shfaqur. E duke konsideruar që nuk ka ndryshuar deri tani asgjë kundrejt emigrantëve, Darina Zeqiri shtron pyetjen: “Pandeli Majko për çfarë na duhet?”. E për të mos u keqkuptuar e përfundon postimin e saj në Facebook me paragrafin “Vini re, s’po them ç’na duhet Ministria për Diasporën, madje kjo duhet përforcuar se kështu si është sot ngjan një provë teknike, një “bërje qefi” e një “t’lajmë gojën” me diasporën përderisa s’ka as buxhet të vetin – fundja jashtë Shqipërie jemi vetëm 1 milion e gjysmë( NJË MI-LION e GJYS-MË), – por pyetja e madhe sa pesëmbëdhjetë katëshi e akoma dhe më shumë është: Majko ç’na duhet?”.

Por reagimi i Darina Zeqirit nuk është vetëm ky i shprehur në rrjetin social. Para këtij postimi në Facebook, më 29 mars i ka nisur kryeministrit Edi Rama dhe stafit të tij një letër, akoma më të detajuar e më të ashpër, për t’i shprehur përshtypjet aspak të mira që i ka lënë vizita e ministrit Majko në Parma. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, pa i rënë në asnjë çast përqark problemeve, shpreh hapur opinionin e saj mbi Ministrin e Diasporës të krijuar gjatë vizitës: “Majko, ministri pa portofol, për fat të keq të gjithëve nuk është i denjë për rolin e tij. Përtej
 papagallit, d.m.th disa fjali mësuar përmendësh, nuk arriti të na nderojë as ne e as Shqipërinë. Madje, vuri jo pak në siklet të gjithë që në heshtje përtypëm mbroçkullat e tij. … Figura si Majko janë figurat që përcjellin një imazh të rëndomtë mbi Shqipërinë. … Një ministër, që iu drejtua si popullit ashtu dhe intelektualve në të njëjtën gjuhë, si të fliste me një kope e pa dhënë asnjëherë një mundësi diskutimi, ballafaqimi, krijime idesh nën vizionin e një të ardhmeje”.

Zeqiri rendit një pas një të gjitha situatat, jo vetëm të papëlqyeshme por edhe të sikletshme të krijuara nga ministri me qëndrimet e tij të diktuara nga padija apo nga arroganca, që kanë vënë në vështirësi përfaqësuesit e komunitetit (në mos ka dëmtuar punën e tyre shumëvjeçare) që e shoqëronin duke sqaruar kryeministrin: “Pështypjet që po ju përcjell janë të marra nga përgjithësimi i përshtypjeve të komunitetit, si anëtare e shoqatës, promuovuese e kulturës shqiptare, si gazetare”.

Vërtet Majko ishte figura e vetme e mundshme për rolin e ministrit për diasporën? – i shkruan Zeqiri Kryeministrit Rama – Kuptoj që është pa portofol, (e kjo cilëson mirë peshën e tij) kuptoj që qeveria ende nuk di se sa influencojnë shqiptarët jashtë shtetit në politikën e saj e duhet të analizoj mirë çdo projekt që mos ta dëmtoj atë e të ndihmoj Shqipërinë, por Majko z. Kryeministër ju garantoj se është figura më e papërshtatshme. As neve s’na duhet e as juve ju ndihmon. Pra askujt”.

Shqipëria ka plot probleme e askush nuk pret mrekullinë që të zgjidhen në një ditë, – vë në dukje Darina – por, problemet më të mëdha i shkaktojnë përfaqësuesit e saj që jo vetëm nuk japin zgjidhje por dhe dëmtojnë me arrogancën dhe injorancën e tyre punën e kryer ndër vite nga komunitetet shqiptare në botë, mbi të gjitha në Itali e akoma më shumë në Parma ku jemi komuniteti më i integruar e i përfshirë dhe në institucionet vendase”.

Pa lënë vend për strumentalizime të mundshme politike të problemeve që ajo ngre, Darina Zeqiri e mbyll letrën e saj duke shkruar: “Duke uruar që kritikat e përshtypjet që po ju përcjellë të konsiderohen një akt i pastër që nuk duhet të injorohet pasi për çfarë ju shkruajta kam fakte e dëshmitarë”.

Ja teksti i plotë i letrës që Darina Zeqiri i ka nisur Kryeministrit Rama:

I nderuar Kryeministër Sh.T. Z. Edi Rama,

më lejoni me këtë letër të prezantohem e t’ju shpjegoj arsyen për të cilën po ju shkruaj.

Quhem Darina Zeqiri, jam gazetare e banoj në Parma të Italisë. Jam gjithashtu anëtare e shoqatës më të mirënjohur e më aktive në Itali, ScanderbegParma që organizoi tour-in 2 ditor, 25- 27 Mars, të ministres Nikolla e ministrit Majko në rajonin Emilia Romagna.

Kjo letër është me cilësi personale, po ju shkruaj në emrin tim.

Kam ndjekur hap pas hapi organizimin e kam dhënë kontributin tim personal, kohor, intelektual, aftësitë e njohjen e sistemit universitar në Parma për të mundësuar në pak ditë paralajmërim ditarin e vizitave të ministrave në Parma e rajon.

Sëbashku me Bajram Hila, presidentin e shoqatës, me Vojsava Tahiraj, një ndër figurat më të mirënjohura në Parma si nga istitucionet lokale ashtu dhe nga komuniteti, me Marion Gajda, këshilltar i jashtëm i qeverisë bashkiake e shumë e shumë të tjerë, krejtësisht vullnetar, mundësuam një tour de force të pa parë ndonjëherë, me cilësi të lartë e prezencë masive të komunitetit e istitucioneve.

Pikërisht, gjatë këtyre dy ditëve gjeta fatkeqësisht material me bollëk për t’ju nisur këtë letër.

Përse?

Pasi Majko, ministri pa portofol, për fat të keq të gjithëve nuk është i denjë për rolin e tij. Përtej papagallit, d.m.th disa fjali mësuar përmendësh, nuk arriti të na nderoj as ne e as Shqipërinë. Madje, vuri jo pak në siklet të gjithë që në heshtje përtypëm mbroçkullat e tij.

Një ministër arrogant e që shprehet hapur që s’e ka idenë e jetës së migrantëve, që jep mësim se si këta ta përmisojnë jetën e tyre, (pa pyetur se si ia arritën deri sot), që shprehet se është e kot që presin nga qeveria, që IOM – Organizata Ndërkombëtare e Migrimit – e AICS – Agjencia Italiane për kooperim e zhvillim – s’është asgjë. Nje ministër që ka hatërmbetje me qeverinë e nuk stepet të shprehet me sipërfaqësi e pa vizion. Një ministër që takon dekanen e universitetit e cila në vetëm dy ditë paralajmërim u tregua e disponueshme, e në pritje të na nderonte prania e ministrit me mua mori impenjimin e një bashkëpunimi me universitetet shqiptare e me ofrimin e shkëmbimit të studentëve, por, zoti ministër ishte në astinencë të kafes e as dorën nuk i dha dekanes kur iu desh të largohesh. Një ministër që përçmoi punën e kryer nga të gjithë organizuesit e nuk i la mundësi të fliste figurës më të përshtatshme në atë sallë universiteti, ministres Nikolla.

Një ministër që mori pas studentët e çoroditur nga ç’po ndodhte dhe i përcolli në kafene. Studentë që lanë punën e leksionet për të qënë të pranishëm e nuk kuptuan asgjë nga projekti i IOM e AICS i mbështetur nga qeveria për të cilin ishin ftuar.

Një ministër që në sallën e Konfederatës kombëtare të artizanatit italian (CNA), pranë presidentit e drejtorit për inovacion, që ka ndërmarrë një iniciativë të madhe për të organizuar investimet në Shqipëri nga anëtarët e saj e që shkëmben informacione me Dhomën e Tregtisë në Tiranë, shprehet se nuk i intereson nëse këta investojnë në Shqipëri por kërkon një listë (tekstualisht: “pa nxitim, shihni e bëni, gjykoni e flasim”) të firmëtarëve shqiptarë në rajon. Listë, që po t’u kishte dhënë vëmëndje organizuesve do të dinte që ekziston e mbi të ka punuar komuniteti ynë ndërvite në rajon.

Një ministër që i kërkon komunës së Parmës të vendosi njohjen e rolit të mësuesve të gjuhës shqipe në sistemin e pensioneve italiane. Pra një ministër që nuk e ka idenë e asaj çfarë kërkon e ku e kërkon.

Një ministër që urdhëron “hajde ikim” duke e mimuar dhe me dorë, kur të pranishmit e këshillit bashkiak i shpjegojnë se Bashkia e Parmës ka bërë gjithçka mundet të bëjë; dhënien e ambjenteve e promovimin e aktiviteteve të shkollës por njohja që kërkon ministri vjen nga parlamenti jo nga bashkia.

Të mos kishte qënë ministria Nikolla turpësia do kishte marrë dhenë. Fal saj takimi shkoi më mirë e u përqëndrua në raportet e mira mes dy popujve e qytetit të Parmës me Tiranën.

Një ministër, zoti Kryeministër, që iu drejtua si popullit ashtu dhe intelektualve në të njëjtën gjuhë, si të fliste me një kope e pa dhënë asnjëherë një mundësi diskutimi, ballafaqimi, krijime idesh nën vizionin e një të ardhmeje. Sinqerisht, të mos dija kush ishte Majko do mendoja se këshilltari i tij, tjetër person i pacilësueshëm, mund të ishte ai. Një çift i përsosur për të groposur çdo nismë me vlerë të komunitetit dhe të shtetit.

Vërtet Majko ishte figura e vetme e mundshme për rolin e ministrit për diasporën?

Kuptoj që është pa portofol (e kjo cilëson mirë peshën e tij), kuptoj që qeveria ende nuk di se sa influencojnë shqiptarët jashtë shtetit në politikën e saj e duhet të analizoj mirë çdo projekt që mos ta dëmtoj atë e të ndihmoj Shqipërinë, por Majko z.Kryeministër ju garantoj se është figura më e papërshtatshme. As neve s’na duhet e as juve ju ndihmon. Pra askujt.

Pavarësisht përshtypjeve të mia mbi qeverinë, si të jenë një herë të mira e një herë jo, sipas nismave që ndërmerr, bashkëpunimi me IOM e AICS e shoh si diçka të vyer e ku Shteti mund të përfitoj të krijoj një rrjet produktiv të shkëmbimit ekonomik e intelektual që automatikisht do të ndikojë në përmisimin e situatës në Shqipëri. E nëse drejtohet si duhet dhe komunikohet si duhet mundet vetëm të përmisoj përshtypjet mbi nismën. Ndërsa ministria e diasporës me figurën e Majkos, ju garantoj, se shkul rrënjët pa u formuar ende.

Pështypjet që po ju përcjell janë të marra nga përgjithësimi i përshtypjeve të komunitetit e si anëtare e shoqatës e promuovuese e kulturës shqiptare e si gazetare më duhet të mbrojë mundin e madh vullnetar të të gjithëve që investuan fuqitë, paratë e njohuritë e tyre. Por, figura si Majko janë figurat që përcjellin një imazh të rëndomtë mbi Shqipërinë.

Në Parma së shpejti do të vendosim, me autorizim të sapoardhur nga Bashkia, bustin e Skënderbeut në një nga parqet e qytetit. Urojmë të jetë një vepër origjinale e që promovon jo vetëm historinë shqiptare por dhe artit e saj. Por si shoqatë vullnetare e pa të ardhura që jemi, na duhet të arsyetojmë gjatë mbi ku do gjejmë paratë për derdhjen e bustit, struktura, trasporti etj. Vazhdojmë të impenjohemi si gjithnjë në maksimum për të krijuar një Shqipëri të vogël dhe këtu që të mund ta njohin të gjithë. Ndërkohë që Shqipëria ka ambicje evropiane komunitetet shqiptare jashtë kufijve kanë hedhur baza të mëdha për praninë e saj në Evropë ndaj duhet vlerësuar dhe përfaqësuar nga figura që njohin punën e tyre e kanë një vizion të përbashkët bashkëpunimi.

Shqipëria ka plot probleme e askush nuk pret mrekullinë që të zgjidhen në një ditë por problemet më të mëdhaja i shkaktojnë përfaqësuesit e saj që jo vetëm nuk japin zgjidhje por dhe dëmtojnë me arrogancën dhe injorancën e tyre punën e kryer ndërvite nga komunitetet shqiptare në botë, mbi të gjitha në Itali e akoma më shumë në Parma ku jemi komuniteti më i integruar e i përfshirë dhe në istitucionet vendase.

Me keqardhje e me shpresën se “lufta” juaj kundër kujt bën qimen trà kur flet për një të metë në Shqipëri, apo nuk analizon mirë situatën, apo thjeshtë shprehet se i vjen për të thënë diçka pa logjikuar mbi pasojat që ka, të nisi nga ky pseudo ministër. E duke uruar që kritikat e përshtypjet që po ju përcjellë të konsiderohen një akt i pastër që nuk duhet të injorohet pasi për çfarë ju shkruajta kam fakte e dëshmitar

Ju uroj punë të mbarë!

Për çdo sqarim të mundshëm mbetem në dispozicion.

Darina Zeqiri

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Hiperbola në gjuhën tonë të përditshme

Majko, ministri që s’mundet