in

Edhe Arkivi i Filmit feston 100 vjetorin e Pavarësisë

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i kushton vitit jubile të Pavarësisë shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve, kushtuar figurave të rëndësishme të kombit tonë  në të gjitha trevat shqiptare

Tiranë, 23 janar 2012 – Aktivitetet e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQShF), si ato të të gjitha institucionet kulturore, do t’i kushtohen vitit jubile të shtetit shqiptar.

Në një prononcim për mediat, drejtoresha e këtij institucioni, Elvira Diamanti, ka njoftuar programin e AQSHF-së, që konsiston në shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve, kushtuar figurave të rëndësishme të kombit tonë,  në të gjitha trevat shqiptare.

“Gjashtë mujori i parë do t’i përkasë promovimit të vlerave të kinemasë sonë artistike dhe dokumentareske, përtej kufijve të Shqipërisë, në trojet ku ka shqiptarë”, tha Diamanti.
Shfaqja e filmave do të fillojë nga Maqedonia, ku gjatë muajit shkurt do të shfaqen prodhime kinematografike kushtuar personaliteteve si Ismail Qemali apo Skënderbeu. Diamanti vlerëson bashkëpunimin që ka gjetur me institucionet jashtë kufirit të Shqipërisë, për të mundësuar këtë projekt.

“Na presin më shumë kënaqësi. Sallat na ofrohen pa qera siç ofrojmë edhe ne materialin filmik”, shprehet drejtorja e AQSHF-së.

Tradita e AQSHF-së për të mërkurën e filmit, që nisi një vit më parë, do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, por kësaj here kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë. Të mërkurën e çdo jave AQSHF, në kinemanë e tij, do të vërë në dispozicion, kryesisht për të rinjtë, prodhime kinematografike shqiptare.
Në fondin e tij filmik, AQSHF, përmban 4.187 tituj prodhimesh kinematografike shqiptare, 261 tituj të filmave artistikë, 1.204 tituj dokumentarësh, 1.006 filma kronikalë shqiptarë dhe 197 filma vizatimorë.

Lexo edhe:

 

Shpëton familjen nga flakët: “Mos më thërrisni hero!”

Kroatët votojnë pro hyrjes në BE