Në një vizitë dyditore në Firence, kryetari i opozitës takon studentët shqiptarë që i kanë shprehur “dëshirë për t’u angazhuar në projektin e të ardhmes” dhe kryebashkiakun Matteo Renzi me të cilin ka diskutuar mbi krizën aktuale e “aspiratat e përbashkëta për të ndërtuar një të majtë të re, moderne, europiane dhe për të nxjerrë nga kriza shoqëritë ku jetojmë”
Romë, 5 maj 2012 – Situata politike e dy vendeve, por edhe teknologjitë e reja, çështjet e mjedisit, kriza ekonomike ndërkombëtare dhe papunësia. Këto kanë qenë në qendër të bisedës mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryetarit të Bashkisë së Firences Matteo Renzi.
Rama është pritur të premten në Palazzo Vecchio nga kryetari Renzi, drejtori bashkiak për Universitetin, Cristina Giachi, dhe nga kryetari i këshillit bashkiak Eugenio Giani, që ka bashkëpunuar me Ramën, kur ky ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, qytet i binjakëzuar me Firencen nga viti 2001.
Renzi është shprehur se ndihet “i nderuar” të takojë Ramën, “me të cilin Firence ka bashkëpunuar kur ky ishte qytetar i parë i Tiranës”. Duke qenë të të njëjtit kah politik (që të dy të majtë), kryebashkiaku i Firences ka shprehur besimin se “Rama mund të përfaqësojë të ardhmen e të majtës shqiptare dhe se ai mund t’u japë një kontribut forcave progresiste europiane”. Së fundi, Renzi ka shprehur vullnetin e tij për të gjetur “forma bashkëpunimi mes Firences dhe Shqipërisë”.
Për Ramën, takimi ishte “jashtëzakonisht i kënaqshëm sepse folëm si dy miq të vjetër edhe pse në fakt jemi vetëm dy miq të rinj, por e kaluara e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Firences ka lënë gjurmët e veta. Dhe njëkohësisht aspirata e përbashkët për të ndërtuar një të majtë të re, moderne, europiane dhe për të nxjerrë nga kriza shoqëritë ku jetojmë na bën shumë më të afërt dhe njëkohësisht i bën shumë më konkrete dhe planet e afërta të së ardhmes për programin që në aspirata është i përbashkët, për bashkëpunimin që është shprehje e një vullneti të përbashkët dhe sigurisht për miqësinë që është kushti themelor i garantuar prej kohësh”.
Më 3 maj, kryetari i Partisë Socialiste, ka zhvilluar me studentë shqiptarë në Firence. Sipas tij, me ta “ka këmbyer opinione mbi taksat, shërbimin shëndetësor, arsimin publik e zgjedhjet sigurisht. Thuajse 3 orë debat plot pyetje, shqetësime, dëshirë për t’u angazhuar në projektin e të ardhmes. Ideja e Rilindjes Shqiptare penetron përditë”.
Në të dyja takimet nuk mund të mos zinte vend edhe skandali i fundit i diplomimit të Renzo Bossit në universitetin privat shqiptar Kristal në Tiranë. Për kryebashkiakun e Firences, diploma e blerë e Troftës është në vazhdën e historive të fundit të Legës. “Lega Nord në Itali po tregon fytyrën e vërtetë më të trishtë dhe më të shëmtuar. Ndodhi me Umberto Bossin me të gjithë ato çka ka thënë dhe ka bërë në këto muaj. Ndodhi me financimin publik të gjërave shumë të diskutuara madje ilegale që nga marrja e fondeve për të marrë diamantet dhe investimet në Tanzani. Tani Bossi që ka bërë tre herë provimin e maturës në Itali sepse nuk arrinte ta merrte, ka shkuar me paratë e financimit publik e është regjistruar në një universitet në Londër dhe ka marrë një diplomë në Tiranë. Besoj se nuk shkon. Është e dukshme se Italia, Renzo Bossi, Padania, siç e quajnë ata, ka bërë një figurë të shëmtuar. Pastaj të dy vendet tona Italia dhe Shqipëria duhet të evitojmë që të kemi universitete që japin diploma fallco. E kjo vlen për fat të keq, si për vendin tuaj ashtu edhe për vendin tonë. Padyshim që sikur të mos kishte persona si Renzo Bossi që t’i blejnë do të ishte më mirë”.
Me studentët, Rama ka komentuar çështjen e diplomës së Renzo Bossit duke thënë se “në Shqipëri pas reformës së vitit 2005 që ka liberalizuar sistemin e arsimit të lartë, janë hapur shumë universitete private, disa të mirë, por shumë janë fabrika diplomash me pagesë. Një prej këtyre të fundit është edhe ai ku ka marrë diplomën Trofta”.