in

Edi Rama sot në Romë, për të takuar kryeministrin Letta

Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë do të ketë takim edhe ministren e Jashtme Bonino dhe në fondacionin Italianieuropei

Romë, 18 korrik 2013 – Nga Londra ku ndodhej të mërkurën, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë sot në Romë. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, ai do të takojë kryeministrin italian Enrico Letta dhe ministren e Jashtme Emma Bonino. Paradite ai do të marrë pjesë edhe në një takim në Fondacionin e Massimo D’Alemas, Italianieuropei.

Në Londër, Rama takoi ish kryeministrin Tony Blair, me të cilin diskutoi “për piketat e para të qeverisjes”. “Është kënaqësi që takimin e parë pas zgjedhjeve e kam zhvilluar me një mik të madh të shqiptarëve. Jam shumë i lumtur që kjo fitore na jep mundësinë të kemi ndihmën e një miku të madh, të kryeministrit që ka lënë gjurmë në historinë e Anglisë dhe botës”, është shprehur Rama. “Uroj Ramën për fitoren e jashtëzakonshme. Ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë, sfidat e vendit janë të mëdha, por ka vendosmëri për t’i kapërcyer ato. – ka thënë Blair që ka shtuar – Duhet ta dini se keni një mbështetje të madhe nga komuniteti ndërkombëtar që ta kryeni me sukses detyrën tuaj”.

Mbrëmjen e të mërkurës, Rama i ka dhënë intervistë gazetares Sara Montague për programin “Hard Talk” të BBC-së. Gazetarja është përqendruar kryesisht në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Ajo përmendi ryshfetet, sidomos në mjekësi, pastrimin e parave, dhe se çfarë do bëjë qeveria e ardhshme në këtë drejtim: “Njerëzit kanë zgjedhur alternativën e majtë dhe unë e kam treguar duke udhëhequr për 11 vjet bashkinë sesi mund të administrohet pa korrupsion dhe unë shpresoj se edhe qeverisja do të tregojë se çfarë jam i aftë të bëj.
Korrupsioni është diçka që duhet luftuar dhe mund të luftohet. Ka shumë histori të sukseshme që mund të tregojnë se korrupsioni është i luftueshëm; padyshim që kjo do reforma të qarta e të plota të cilat ne i kemi gati. Ne kemi një program special për bankat dhe stabilitetin e sektorit financiar.
Programi ynë është i aplikueshëm. Lufta ndaj korrupsionit do të na sjellë më shumë investime. Prandaj ne duhet të gjejmë mënyrën e duhur për të ndërtuar një shtet të suksesshëm. Kemi filluar të diskutojmë sesi mund të ndihmojmë qytetarët, sesi mund të qeverisim dhe kemi disa prioritete,”- shpjegon Rama.

Në vijim intervista e plotë:

Calderoli paditet për racizëm për fyerjet ndaj ministres Kyenge

Edi Rama në BBC: Kemi program special për të luftuar korrupsionin