in

Eduart Ndocaj, nga klandestin në sipërmarrës i suksesshëm

Në Itali erdhi më gomone, por shumë shpejt me punën e tij, me vullnet dhe guxim, Eduart Ndocaj ka çarë përpara. Sot drejton një grup të madh shoqërish ndërtimi, u jep punë mbi 200 punonjësve dhe ka kantiere të shumta në Lombardi e Trentino Alto Adige

Historia e Eduart Ndocaj, me origjinë nga Manatia (Lezhe) është historia e një integrimi. E një sërë  përpjekjesh për një jetë më të mirë dhe integrim në tokën e huaj.  Eduarti mbërriti në  Itali, në brigjet e Brindisit me një gomone, si klandestin, në vitin 1996.
Bindja se në Itali, përtej detit Adriatik, ishte e ardhmja e tij, e bëri të përballonte, si shumë të rinj shqiptarë në ato vite, rrezikun e këtij udhëtim. Për fatin e tij të mirë  gjeti ndihmë nga banorët, të cilët iu gjetën pranë dhe e mbështetën për të marrë rrugën drejt Veriut të Italisë ku jetonte motra dhe bashkëshorti i saj Gjoka, që ishin vendosur në Milano disa vite me parë. Kështu një strehë e sigurt dhe mbështetja e nevojshme për  ata muaj të parë në dhè të huaj nuk i munguan.

Motoja e tij ishte: me punë dhe vetëm me punë do të mund të ndërtonte të ardhmen që ëndërronte.
Toka e huaj mërgimtarin e vendos përballë provash e stërprovash tepër të forta. Kështu çdo ditë ishte një përpjekje qoftë për të mësuar zanatin, gjuhën  por dhe zakonet e vendit, sepse vetëm kështu mund të dish të respektosh e të respektohesh.

Eduarti me edukatën e korrektësinë të trashëguara nga prindërit e tij u angazhua përditë në punë duke përforcuar bindjen e tij se vetëm duke guxuar mund të shkonte përpara, të çante edhe në tokë të huaj.
Nisi punë si punëtor krahu në ndërmarrjet e ndërtimit dhe puna i hyri në zemër, aq sa të ëndërronte që të kishte dhe ai një ndërmarrje të tijën dhe kjo gjë një ditë u bë realitet. Hapi një ndërmarrje individuale në sektorin e ndërtimeve, e cila më pas u transformua  në kooperativë dhe më pas hapi një tjetër shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. e nuk u ndal me kaq. sot drejton një koncern, grup të madh shoqërish ndërtimi.

Kështu nga punëtor i thjeshtë, u kthye në punonjës privat e më pas në sipërmarrës duke mundësuar punësimin edhe të personave të tjerë dhe jo vetëm të familjarëve të tij por dhe të punonjësve të tjerë emigrantë. Cilësia, korrektësia e punës  së ndërmarrjeve të drejtuara nga Eduart Ndocaj dhe kontributi në hapjen e fronteve të reja të punës për punonjës të tjerë  u bënë dhe motivet që Ndocaj Costruzioni srl të vlerësohej në vitin 2008 me çmimin “Italia che lavora” me motivimin: “si një ndër ndërmarrjet që është shquar më shumë në sektorin e ndërtimeve duke ndihmuar kështu në përparimin e Vendit, qoftë nga ana ekonomike, qoftë nga ana shoqërore”. Një arritje dhe vlerësim i rrallë për një sipërmarrës shqiptar.

Viti 2011 shënoi 10 vjetorin e nisjes së aktiviteti të tij privat në Itali. E  takuam Eduart Ndocajn, në Solaro, pranë Milanos, ku punon dhe jeton me familjen e tij.

Bota Shqiptare: Keni arritur në Itali me një gomone dhe sot jeni një sipërmarrës i suksesshëm. Një rrugë pothuaj kjo e paimagjinueshme kur ju jeni nisur për të ardhur në Itali. E nisim pikërisht këtu bisedën. Cilat ishin synimet tuaja kur erdhët në Itali?
Eduart Ndocaj: Në vitin 1996 mora rrugën e mërgimit. Natyrisht nga gjendja e vështirë ekonomike që kishim në vendin tonë u detyruam të largohemi. Kur mora këtë vendim nuk ishte e thjeshtë, por ishte i vetmi vendim për të përmirësuar atë gjendje ekonomike.

Kishit ndonjë të afërm tuaj në Itali?
Po. E kisha një bazë, motrën që me burrin e saj kishin tre vjet që  ishin vendosur në Itali dhe të paktën një supë të nxehtë e një shtrat do ta gjeja, këtë e kisha të sigurt.

Sot ju mundësoni punësimin e të tjerëve me ndërmarrjet tuaja, po për ju sa i vështirë ka qenë punësimi kur arritët? Cilat janë hapat si sipërmarrës?
Ideja e asaj kohe ishte të gjeja një punë për vete dhe as mund të imagjinoja që më pas do të kisha mundësi të arrija të krijoja unë vende pune për familje të tjera. Pra ideja ishte të krijoja një mundësi për jetën time.
Në 2000 kur vendosa të hapja një biznes të vogël nuk ishte aspak e lehtë sepse do të lija një punë të sigurt por, vendosmëria ishte e madhe të krijoja një punë timen e jo të isha vartës. Fillimisht thjesht dola më vete, hapa “partita IVA”, pastaj puna po rritej dhe lindi nevoja të krijoja një bashkëpunim. Në atë kohë ishim unë, vëllai, më pas kunati Gjoka, dhe të tre arritëm të krijojmë një shoqëri që e quajtëm EFG Costruzioni srl. Por ka edhe italianë. Më pas, në vitin 2006 ngrita edhe Ndocaj Costruzioni srl. Të punësuarit në ndërmarrje janë familjarët tanë por edhe emigrante të etnive të ndryshme.

Në vitin 2008 keni arritur të merrni pikërisht me ndërmarrjen tuaj “Ndocaj Costruzioni” srl, një çmim shumë të  rëndësishëm në sferën e punës “Italia che lavora”. Si e pritët këtë vlerësim?
Çmimi ishte një surprizë, mbasi u vlerësua puna dhe impenjimi ynë në aspektin e cilësisë, që është edhe çelësi i suksesit tonë. Por me çmimin u vlerësua edhe puna jonë gjatë këtyre viteve në aspektin social, për integrimin e personave.

Kohët e fundit keni krijuar një koncern (consorzio). Çfarë objektivash dëshironi të arrini me këtë formë të re sipërmarrjeje?
Të jemi më konkurrent në sektorin e ndërtimeve dhe t-u ofrojmë më shumë klientëve tanë.  Ky koncern u  jep punë 200 personave dhe përfshin 12 ndërmarrje.

Në cilat zona kanë aktivitet ndërmarrjet tuaja?
Në rajonin e Lombardisë. Aktualisht po punojmë dhe në Trento, Alto Adige, ku kemi një kantier të madh. Dhe aty është vëllai që punon e jeton pjesën me të madhe të javës. Nuk duam të përqendrohemi vetëm në një krahinë të Italisë.

Aktiviteti juaj ka nisur në Itali, po a keni menduar të zgjeroni aktivitetin tuaj dhe në Shqipëri?
Sigurisht që e kam menduar. Edhe sepse atje kam vëllanë dhe babanë dhe dua që të jenë aktivë dhe ata me një ndërmarrje ndërtimi që e kemi ngritur. Shpresojmë që edhe aty të krijojmë sa më shumë mundësi punësimi.

A ju mungon Shqipëria?
Çdo shqiptari i mungon Shqipëria. Atdheu, vendi i të parëve është në zemër të çdo shqiptari. Na mungon sado të mira t’i kemi kushtet këtu. Jo më kot një fjalë e urtë e jona thotë “guri i rëndë në vend të vet”

Në Itali përveç punës keni ndërtuar dhe familjen tuaj?
Jam i martuar me Valentinën dhe kam tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, që kanë lindur në Itali dhe frekuentojnë shkollat këtu.

Si e mendoni të ardhmen për fëmijët tuaj?
Jetojmë në një botë të vështirë dhe situata më të vështira do të vijnë, por njerëzit jetojnë me shpresa dhe mendoj se e ardhmja e fëmijëve të mi do të jetë më e mirë se e sotmja.

Megjithëse jeni në Itali prej kohësh nuk jeni shkëputur nga Shqipëria mbasi atje  keni edhe prindërit dhe njërin nga vëllezërit. Sa ka ndikuar familja në formimin tuaj?
Sigurisht ndikimi është i madh. Prejardhja nga një familje e konsoliduar, siç është familja jonë është baza themelore që ka ndikuar tek unë, të kem një edukatë, të jem korrekt në marrëdhëniet me të tjerët,  të jem i vendosur, i sinqertë, i rregullt nga çdo pikëpamje. Të gjitha këto trashëgohen nga familja.

Kë mund të përmendim nga personat që ju kanë qëndruar pranë gjatë këtyre viteve?
As diskutohet që vetëm nuk arrihet asgjë. Iniciativa mund të jetë individuale, por përkrahja duhet të jetë shumë më e gjerë që të arrish suksese. Një ndër personazhet që dua të falënderoj është burri i motrës Gjoka, që më ka qenë një mbështetje e madhe që ditën e parë që kam ardhur  në Itali, vëllai Alfredi, që është një person shumë i rregullt dhe që plotëson gjysmën time me pak fjalë në ambientin e punës dhe një person tjetër Agronin, që punon me ne prej disa vitesh dhe ka arritur të integrohet dhe të jetë një ndër personazhet kryesore të grupit tonë për nga puna dhe sinqeriteti i tij.

Një të riu shqiptar që vjen në Itali e që kërkon të ketë arritje në jetën e tij, nga përvoja juaj çfarë këshillash mund t’i jepni?
Kushtet e vështira na detyruan të vijmë në Itali por unë sot shoh se Shqipëria ka kushte shumë të mira, ndaj do të dëshiroja para së gjithash që të rinjtë tanë të hedhin bazat dhe të ngrenë familjet e tyre në atdhe. Patjetër duhet sakrificë , patjetër duhet punë, por jam i bindur se po t’i dedikohen punës në vend të vet do të arrijnë të çajnë përpara. Sot Shqipëria i ka të gjitha kushtet, mungesa e të cilave na detyroi vite më parë të merrnim rrugët e botës. .

Albana Temali
Janar 2011, Solaro (MI)

Organet e të moshuarit shqiptar shpëtojnë dy jetë

Gripi, sëmundja e stinës, arrin kulmin e përhapjes