Një uebsajt në 12 gjuhë (edhe në shqip) i promovuar nga qeveria gjermane jep “informacione lehtësisht të kuptueshme mbi seksualitetin dhe shëndetin riproduktiv”. Por për Il Giornale (e për shumë media shqiptare që e kanë përcjellë lajmin) është një manual që u tregon refugjatëve si të sillen në shtrat me femrat evropiane
Romë, 10 mars 2016 – “Ju mund të bëni seks në mënyra të ndryshme. Jo gjithkush do seksin në të njëjtën mënyrë”. “Të jesh homoseksual nuk është një zgjedhje. Ajo ndodh natyrisht”. “Disa gra mund të kenë disa orgazma në një periudhë të shkurtër, burrat kanë nevojë për më shumë kohë midis orgazmave”.
Janë shprehje të nxjerra nga Zanzu.de, një uebsajt i promovuar nga qeveria gjermane dhe (në versionin Zanzu.be) qeveria belge. U ofron imigrantëve dhe imigranteve “informacione lehtësisht të kuptueshme mbi seksualitetin e shëndetin riproduktiv” në 12 gjuhë: gjermanisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht në gjuhën hohandeze, arabisht, turqisht, bullgarisht, rumanisht, në gjuhën polake, ruse si edhe në gjuhën shqipe.
I ndarë në gjashtë seksione (trupi, planifikimi familjar dhe shtatzënia, infeksionet, seksualiteti, marrëdhëniet dhe ndjenjat, të drejtat dhe ligji) jep informacione të shumëllojshme nga kontracepsione te zonat erogjene, nga xhelozia te divorci, nga seksi gjatë shtatzënisë te depresioni pas lindjes, nga seksi real te pornografia. Shpjegime e figura të qarta, besnike ndaj motos së uebsajtit: “Trupi im me fjalë dhe imazhe”.
Me pak fjalë, është një kurs edukimi seksual që shtrin perspektivën edhe në jetën e çiftit në përgjithësi dhe në të drejtat dhe detyrimet e partnerëve. Ka lindur për të sapoardhurit, e kjo duket vetëm nga fakti që flet në 12 gjuhë. Mund të jetë veçanërisht i dobishëm për kë arrin në Gjermani nga vende e kultura ku argumente të caktuara janë akoma tabu, por është i vlefshëm edhe për autoktonët.
Por në Itali e përditshmja Il Giornale e presantoi si “doracaku që u shpjegon migrantëve si të bëjnë seks me gratë evropiane” apo si faqe interneti “kushtuar ekskluzivisht edukimit të refugjatëve lidhur me seksin me persona evropianë” (u trajtua në të njëjtën mënyrë si nga Il Giornale edhe nga media shqiptare). E përditshmja italiane sillte në vëmendjen e lexuesve vetëm imazhet në të cilat mashkulli është me ngjyrë e femra e bardhë, dhe arrinte në përfundimin se është fjala “padyshim” për një “kundërmasë” pas “episodeve të dhunës seksuale që ndodhi në Kolonjë natën e Vitit të ri”.
“Nuk është e vështirë të kuptohet pse Zanzu i transformua në diçka që nuk është” lexohet në analizën e botuar nga Shoqata Carta di Roma. “Stereotipi i burrit të zi seksualisht agresiv dhe dominues është i ngulitur, ndaj përmes tij është e lehtë të tërhiqet vëmendja e lexuesit. E kur kjo gjë bëhet gjatë mbërritjeve të refugjatëve dhe migrantëve, funksionon akoma më mirë”.
“Keqinformacion, me pak fjalë, të cilit lexuesit e Il Giornale i përgjigjen me komente në “lartësinë” e shkrimit. “Gjermanët dhe belgët e dinë mirë ç’shtaza po fusin në shtëpi!!!”, “Në vend që t’u shpjegoja këtyre hajvanëve si bëhet seks, unë do t’u jepja një shkelm bythëve e t’i ktheja nga strofullat e tyre ku të vazhdojnë të bëjnë seks si lepujt”, dy shembuj sa për të dhënë idenë.
Stranieriinitalia.it/Shqiptariiitalise.com
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)