in

Efektet e nacionalizmit të ri të Berishës

Kur një lider si Berisha, deri dje shembull i moderacionit në çështjet rajonale, që përdorte mjeshtërisht kartën e rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare, befas kalon në ekstremin tjetër, e ngre lart flamurin e nacionalizmit, me një gjuhë provokuese që ka kohë që s’e dëgjojmë së paku në nivele kaq të larta të politikës, kjo s’ka si të mos ngjallë reagime e të sjellë pasoja.
Nga Piro MISHA

Tashmë janë bërë jo pak hamendje për arsyet që e bënë kryeministrin Berisha të shpalosë papritur flamurin e nacionalizmit. Është përmendur nevoja që ai ka ndier për të neutralizuar dëmin që mund t’i shkaktojë gjatë zgjedhjeve të ardhshme AKZ, kjo forcë e re, populiste, që po luan fort në një terren që deri vonë Berisha e konsideronte të tijin. Është përmendur po ashtu, fakti që mbështetja që AKZ arriti të siguronte brenda një kohe relativisht të shkurtër, por dhe atmosfera e kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë, e kanë bindur se nacionalizmi është karremi i duhur për të peshkuar vota në disa segmente të shoqërisë shqiptare.

Sidoqoftë, pa u zgjatur më në shtjellimin e arsyeve, mendoj se ia vlen të diskutohet para së gjithash për efektet që kjo lëvizje e papritur e kryeministrit mund të prodhojë. Sepse kur në politikën rajonale të një vendi ballkanik ndodhin krejt papritur ndryshime të tilla radikale, kjo s’ka si të mos ngjallë pikëpyetje, madje dhe shqetësime. Kur një lider si Berisha, deri dje shembull i moderacionit në çështjet rajonale, që përdorte mjeshtërisht kartën e rolit konstruktiv të Shqipërisë në rajon për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare, befas kalon në ekstremin tjetër, e ngre lart flamurin e nacionalizmit, me një gjuhë provokuese që ka kohë që s’e dëgjojmë së paku në nivele kaq të larta të politikës, kjo s’ka si të mos ngjallë reagime e të sjellë pasoja. Sigurisht, që ende ka shumë pikëpyetje që e ke të vështirë t’i shpjegosh në veprimet e fundit të Berishës. Kështu, e ke vërtet të vështirë ta kuptosh përse, duke ditur sa e ndjeshme është bashkësia ndërkombëtare kur vjen puna për stabilitetin politik të Maqedonisë, kryeministri zgjodhi pikërisht Shkupin për të shpalosur tezën e tij të bashkimit kombëtar të gjithë shqiptarëve në Ballkan, përpara një turme të ekzaltuar që brohoriste për Shqipërinë etnike! I vetmi shpjegim i mundshëm që të vjen ndërmend është ajo që quhet efekti pasqyrë: pra, duke demonstruar popullaritetin e padiskutueshëm që ende gëzon ndër shqiptarët e Maqedonisë dhe të Kosovës, synohet të bindet elektorati në Shqipëri se është ai e vetëm ai që në të vërtetë është në gjendje të mbrojë çështjen kombëtare! Që në fakt, ky ishte qëllimi, duket dhe nga një shfletim i shpejtë i shtypit të Tiranës të kontrolluar prej tij, të nesërmen e ngjarjes së Shkupit. Berisha kryeministër i gjithë shqiptarëve e titullonte një nga këto gazeta editorialin e vet, ku ndër të tjera shkruhej: Thirrjet ‘Shqipëri etnike’ u dëgjuan në të gjithë qytetin (Shkupin) kur fjalën e mori Sali Berisha, ai që konferencieri e thirri si ’kryeministri i shqiptarëve’.

Që s’kishim të bënim me një episod të veçuar, u duk qartë në ditët e mëpasme, kur ky politikan që der dje shquhej për kujdesin madje të tepruar që tregonte në raportet  me faktorin ndërkombëtar, në vend që të përpiqej të zbuste efektin e fjalës së mbajtur në Shkup, shkoi edhe më tej, duke e bërë të qartë se s’është fjala për diçka të rastit, por për një linjë të re. Deklaratës së bërë tri ditë më parë në Vlorë, na njoftonte Ballkanweb, se‘Shqipëria etnike është nga Preveza në Preshevë’, Berisha i ka bashkangjitur dje (gjatë ceremonisë së përurimit të një rruge me emrin e ish ministrit të Jashtëm austro-hungarez)edhe faktin tjetër se ‘67 mijë kilometër katror janë tokë etnike shqiptare”.

Sigurisht, e gjithë kjo retorikë e beftë nacionaliste nga një anë të kujton shprehjen popullore, ‘të hash me lugë zbrazur’. Sepse nga historia dihet se projekte të ngjashëm si ai i Shqipërisë etnike, me fjalë të tjera, pretendimi për t’i bashkuar gjithë shqiptarët etnikë në një shtet të vetëm, kërkojnë më së paku një sërë parakushtesh që sot mungojnë tërësisht. S’është e rastit që termi ‘Shqipëri etnike’ ka gëzuar popullaritet pikërisht në dy çaste të historisë, kur gjithë ekuilibrat në Ballkan qenë prishur e rrjedhimisht, kufijtë qenë vënë në diskutim: në fillimet e shekullit XX, dhe gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur ishin së pari italianët e më pas gjermanët ata që me propagandën e qëllimet e tyre ushqenin përfytyrime të tilla. Por, të ngjallësh sot ëndrra të tilla mashtruese është sa e papërgjegjshme, aq edhe e rrezikshme. Si dhe padyshim komike, apo patetike, nëse përdorim fjalët e Ardian Vehbiut, i cili në një shkrim të tij merrej në përgjithësi me dalldinë nacionaliste që ka kapur një pjesë të bashkatdhetarëve tanë, e më konkretisht me dy hartat e mëdha të së ashtuquajturës ‘Shqipëri etnike’ të vendosura që prej dy javësh në një prej urave kryesore të Tiranës, fare afër qendrës. Në krah të hartave bëhet thirrja për t’i dhenë fund 1913 dhe Traktatit të Londrës. Pra, ajo që kërkohet s’është as më shumë e as më pak, por rishikimi i tërë kufijve tokësorë të shtetit shqiptar. Dhe këtë e bën një parti pjesë e koalicionit qeverisës. Një parti që e ndjerë e kërcënuar në terrenin e vet të antigreqizmit nga presioni në rritje i AKZ, befas nga një forcë e krijuar për të lobuar për të drejtat e një bashkësie të caktuar si ajo çame, shndërrohet në një forcë mirëfilli irredentiste. Nëse fqinjët tanë i marrin seriozisht këto harta, shkruan me të drejtë Vehbiu, do kishim dëgjuar për protesta diku, për nota proteste nga diplomacia ose për tërheqje të ambasadorëve.E meqë kjo nuk ndodh, kjo e bën rishikimin e kufijve edhe më patetik dhe të mjerueshëm, një ankesë të vonë që nuk i bën përshtypje askujt, por duket si boritë e një autobusi me tifozë futbolli, ekipi i të cilëve ka ngelur prej kushedi sa sezonesh në ligën amatore.

Berisha më mirë se kushdo tjetër e di se ide të tilla të nxjerra nga sënduqet e historisë si ajo e Shqipërisë etnike, sot s’janë veçse fraza boshe. Sepse çdo njeri normal e kupton se pavarësisht se s’ka asnjë dyshim se një shekull më parë shqiptarëve iu bë një padrejtësi, të dalësh sot me pretendime apo qoftë dhe të aludosh se qenka e mundur që gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi (Preshevë), Greqi, e ku di unë ku tjetër, të mund bashkohen sot në një shtet të vetëm etnik, duke venë kësisoj praktikisht në dyshim gjysmën e kufijve të Ballkanit, në mos demagogji është më së paku një aventurë. Po ashtu Berisha me siguri e di se termi ‘nacionalizëm’ që ai e riktheu pas kaq vjetësh në fjalorin e tij, në gjithë gjuhët europiane s’ka veçse një kuptim negativ (Vetëm në anglisht fjala ‘nationalist’ ka një domethënie disi më neutrale e deri diku përshkruese), sepse së paku që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, bëhet një dallim i qartë dhe thelbësor mes termit patriotizëm e atij nacionalizëm. Ndaj dhe sot është mjaft e vështirë të përfytyrosh një francez, një holandez apo italian dosido që të të thotë: unë jam nacionalist! Çka natyrisht, s’do të thotë aspak që ai nuk e do vendin e vet! Ndaj dhe bën aq shumë përshtypje kur kryeministri i një vendi, aq më shumë në Ballkan, ku dihet ç’drama ka shkaktuar një gjuhë e tillë,dele mburret me nacionalizmin shqiptar!

S’ka dyshim, një gjuhë e tillë të bën popullor përpara turmës, apo dhe në shtresa të caktuara të popullsisë shqiptare në Maqedoni, Kosovë, apo dhe në Shqipëri. Por pikërisht pasojat e këtij lloj populizmi që niset nga llogaritë e humori i çastit i turmave, i gatshëm për gjithçka, mjaft që kjo t’i sigurojë ca vota më shumë, pavarësisht nga pasojat e çmimi që më pas ka të ngjarë të duhet të paguajmë, duhet të na shqetësojë.

Pasoja e parë, tashmë është e qartë: tensionimi i raporteve me së paku dy prej fqinjëve tanë, si dhe ringjallja e perceptimit, deri më sot të ushqyer kryesisht nga qarqet më ekstremiste të vendeve fqinje, se ekziston një rrezik shqiptar. Dhe ka shumë të ngjarë që, nëse me afrimin e zgjedhjeve parlamentare ethet a garës nacionaliste vinë e shtohen në skenën politike shqiptare, dhe kriza në marrëdhëniet me vendet fqinje ka për t’u përshkallëzuar. Atëherë, natyrshëm mund të shtrohen një sërë pyetjesh: a është menduar vallë ç’pasoja mund të ketë kjo për emigracionin shqiptar në Greqi? Po për komunitetin shqiptar në Maqedoni? Dhe më tej, ç’efekt mund të ketë për Kosovën e çështjen e Mitrovicës? A duhet të shqetësohemi për efektin destabilizues që e gjithë kjo klimë e re nacionaliste, si dhe përpjekjet për të përdorur sërish shqiptarët e Kosovës apo Maqedonisë në funksion të lojërave të brendshme për pushtet në Shqipëri, mund të sjellë. Sidoqoftë, nëse gjykojmë nga gjuha e qëndrimet e matura të lidershipit kosovar, apo të Ali Ahmetit, gjatë kremtimeve të përvjetorit të pavarësisë, duket se ata janë mëse të vetëdijshëm për rreziqet e mundshme që mund të paraqesë për ta një lojë e tillë.

Por, ç’është më e rëndësishmja, ç’pasoja mund të ketë një klimë e tillë në raportet e Shqipërisë me partnerët tanë strategjikë, e para së gjithash në atë që prej vitesh ne e konsiderojmë objektivin strategjik të shqiptarëve, integrimin europian, kur dihet që një ndër kriteret e domosdoshme që duhet të përmbushë çdo vend mëtues për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane, është të mos ketë çështje e konflikte të hapura me vendet fqinje. Pra, kuptohet se vazhdimi i një retorike të tillë nacionaliste, s’ka si të mos ndikojë drejtpërsëdrejti në raportet tona me BE-në! Ambiguiteti i qëllimshëm që gjejmë në fjalimet e fundit të Berishës, ku shpesh referimin ndaj Europës e gjen krahas togfjalëshave ‘Shqipëri etnike’, ‘territoret etnike’, apo mburrjet për ‘nacionalizmin qytetar shqiptar’, përbën më së paku një paradoks konceptual. Le të shtoj këtu se ideja e hedhur në shtyp ditët e fundit, që rreket ta paraqesë lëvizjen e fundit nacionaliste të Berishës si një instrument për të ushtruar presion ndaj Brukselit, duke sjellë për këtë shembullin e Serbisë, s’më duket aspak bindëse. Janë dy situata krejt të ndryshme, ndaj dhe çdo iluzion në këtë drejtim do ishte më së paku naiv.

Një nga rreziqet kryesore që mbartin me vete politikat populiste, është pikërisht efekti boomerang. Le të mos harrojmë se shumë nga dramat e fundit në gadishullin tonë kanë pasur si shkaktarë pikërisht politikanë që pa shumë skrupuj e për llogari e interesa të çastit të luftës për pushtet, kanë nxjerrë djallin nga shishja, pa qenë më pas në gjendje ta kontrollojnë. Duhet të shqetësohemi nga kjo garë, që nga shenjat duket se mund ta kthejë fushatën elektorale nga një përballje vizionesh e politikash, në një garë se kush është në gjendje të ofrojë më shumë retorikë e ëndrra mashtruese për të ndezur turmat, duke luajtur me shpresat naive të segmenteve të caktuara të zhgënjyera të popullsisë.

Gazeta Mapo

 

 

Berisha: “Shtetësi për çdo shqiptar kudo që jeton”

Speciale sanatoria 2012