in

Ekstradohen nga Italia e Greqia dy shqiptarë. Kërkoheshin për drogë e prostitucion

39-vjeçari Kola i dënuar për “trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, të mbetur në tentativë” është ekstraduar nga Italia, ndërsa 23-vjeçari Turullai i dënuar për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike“, nga Greqia

Tiranë, 11 prill 2012 – Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan të martën nga shtetet fqinj, Greqi dhe Itali, nën akuzën e  “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, si dhe “trafikut dhe shfrytëzimit të prostitucionit, mbetur në tentativë”.

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bën të ditur se, Interpol Tirana ekstradoi nga Roma, Itali, drejt Shqipërisë, 39-vjeçarin nga Mirdita, Luan Kola, i kërkuar nga drejtësia shqiptare për “trafik dhe shfrytëzim prostitucioni, të mbetur në tentativë”. Me këtë akuzë, në maj të vitit 2005, Gjykata e Apelit në Tiranë, e kishte dënuar 39-vjeçarin me 5 vjet heqje lirie. Gjatë viteve 2000- 2001, Kola, i arrestuar në Itali në korrik të vitit 2007, akuzohej se kishte mashtruar një shtetase në Kurbin dhe më pas, për qëllime përfitimi, e kishte detyruar  të ushtronte prostitucion në Itali.

Po dje, Interpol Tirana ekstradoi nga Athina drejt vendit tonë 23-vjeçarin nga Durrësi, Ferit Turullai, i dënuar dy vjet më parë nga Gjykata e rrethit të Durrësit me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike“.  Arrestimi i  këtij shtetasi u bë në nëntor të vitit të kaluar në shtetin fqinj, Greqi,  pas një bashkëpunimi  të Interpol Tiranës, me Interpol Athinën.

Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas , dy të ekstraduarit iu dorëzuan përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku do të vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

Shërbime – Ndërmjetësuesit kulturorë

Policia apo prokuroria e la të lirë Fatmir Kajollin?