33-vjeçari Edmond Panaori është ekstraduar nga Roma për të vuajtur dënimin që i është dhënë dymbëdhjetë vjet më parë nga drejtësia shqiptare për veprën penale ‘vrasje me dashje’
Tiranë, 24 gusht 2011 – Interpol Tirana ka ekstraduar nga Roma, 33 vjeçarin nga Fieri, Edmond Panaori, të dënuar nga drejtësia shqiptare në nëntor të vitit 1999 me 16 vjet heqje lirie, për vrasjen e një bashkëqytetari.
Policia shqiptare ka bërë të ditur se ngjarja për të cilën akuzohet 33 vjeçari Panaori, ka ndodhur në tetor të vitit 1996, në fshatin Mbres të Fierit, kur pas një grindje, ai ka qëlluar me thikë shtetasin Gazmend Selimi, duke i shkaktuar atij vdekjen. Për këtë ngjarje, në nëntor të vitit 1999 gjykata e Fierit e ka dënuar me 16 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “vrasje me dashje“ të parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal.
Falë bashkëpunimit të zyrave të Interpolit në dy vendet fqinje, më 9 janar të këtij viti është arritur që Edmond Panaori të arrestohej në Romë me qëllim ekstradimi në Shqipëri.
Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.