Romë 26 mars 2011 – Në Aprilia të Latinës, natën e shkuar është vrarë me plumb pistolete pas koke një 35 vjeçar. Edhe pse deklarohet që viktima është shqiptar, sipas agjencisë së lajmeve Ansa, nuk dihet emri i tij pasi karabinierët i kanë gjetur në xhep dokumente të rreme.
Ngjarja ka ndodhur në 3 të natës duke gdhirë 26 marsi, në rrugën Rutuli, pranë një lokali. Klientë e pronari i lokalit kanë dëgjuar të shtënën dhe kanë dalë jashtë dhe kanë gjetur 35-vjeçarin përtokë.
Një ambulancë e ka çuar të plagosurin fillimisht në një klinikë, dhe më pas në spitalin Santa Maria Goretti të Latinës, ku shqiptari ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur.
Karabinierët e Latinës po hetojnë mbi ngjarjen duke nisur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të parë, që sidoqoftë duket se nuk kanë parë gjë por vetëm kanë dëgjuar zhurmën e të shtënës. Viktima, sipas informacioneve të para, kishte ardhur në Itali prej vetëm një muaji dhe nuk ishte resident në Aprilia.