in

Elhaida Dani, uragani shqiptar në The voice of Italy, gjithnjë e më pranë titullit

Elhaida Dani, 19-vjeçare nga Shkodra ka kaluar me sukses tri fazat e para të kualifikimit, me vlerësimet më të larta të anëtarëve të jurisë dhe duartrokitjet e zjarrta të publikut. Për popullin e internetit është ajo fituesja e këtij edicioni të The voice of Italy

Romë, 3 maj 2013 – Elhaida Dani, 19 vjeç e vjen nga Shqipëria drejt e në The voice of Italy ku që natën e parë të konkurrimit në skenë meriton vlerësimet më të larta të jurisë: “Forcë e natyrës”, “Uragan”, “Fantastike”. Elhaida ka nisur të këndojë që kur ishte vetëm 6 vjeçe. Në vitin 2009 ka fituar edicionin shqiptar të “Star Accademy” ndërsa në vitin 2012 ka zënë vendin e parë në “TopFest” me një këngë të re që ka korrur sukses të madh.

Më 28 mars, Elhaida i hyri një sfide të re asaj drejt titullit “The voice of Italy”. E nisi më së miri me një interpretim të shkëlqyer, të një kënge të vështirë si “Mama knoës best” të Jessie J. Më zërin e saj mahniti anëtarët e jurisë Raffaella Carrà, Piero Pelù, Noemi e Riccardo Cocciante, e gjithë publikun. Secili prej të parëve i kërkoi ta kishte në grupin e vet por Elhaida Dani ka zgjedhur Cocciante. E ndërsa ky shprehte kënaqësinë, Carra e përgëzonte me fjalët: “Ke marrë një bombë”.

Në sfidën pasuese, atë të 18 prillit në Cocciante, e vë të këndojë në duet me italo-amerikanen Francesca Bellenis. Kënga e zgjedhur për to ishte “No more tears” e Donna Summer dhe këngëtaret mrekulluan publikun e profesorët me zërin e tyre.

‘Betejë mes titanësh’ e konsideroi atë sfidë Noemi pas interpretimit të këngës. “Na keni përgëdhelur e gërvishtur me gamën e zërit, nga më i ëmbli deri tek më i larti. Jeni me të vërtetë të mrekullueshme” u shpreh Pelù. “Duet i mrekullueshëm” edhe për Carrà.

Por Cocciante, në fund të një vlerësimi të lartë për të dyja artistet, zgjodhi të çojë përpara Elhaidën, edhe me njëfarë keqardhjeje për Francescan që në të shkuarën ka qenë edhe koriste e tij.

Më 2 maj gara e radhës: interpretim live. Ndryshe nga emisionet e shkuara, këtë radhë edhe telespektatorët mund të çojnë përpara konkurrentin që kanë më për zemër përmes televotës.

Për Elhaidën Cocciante zgjedh “All by myself”. Me zërin e saj të ëmbël dhe të fuqishëm edhe këtë radhë ngre peshë publikun në sallë. E meriton sërish vlerësimet e larta të anëtarëve të jurisë. Raffaella Carra ngrihet në këmbë për ta nderuar: “Ndryshon zërin në mënyrë të pabesueshme” Je e tmerrshme!”. Për fuqinë e zërit, Pelù e quan “Një makinë lufte muzikore e gëzueshme”. Ndërsa vetë Cocciante i emocionuar në maksimum arrin të thotë vetëm “Faleminderit, faleminderit për atë që na përcolle”.E ndërsa për publikun nga shtëpia që jep votën e tij me telefon,  fituesi i grupit është Mattia Lever. Cocciante zgjedh Elhaida Danin, pa asnjë hezitim.

Elhaida Dani vazhdon garën drejt titullit, por për popullin e internetit, është ajo “The voice” i këtij viti.

Red. Shqiptari i Italisë

Elhaida Dani fiton e vazhdon garën në The voice of Italy (VIDEO)

Anija di Roland Sejko finalista per il Nastro d’Argento