in

Elio Miracco nderohet me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Me një ceremoni të posaçme, presidenti Nishani i ka dorëzuar më 17 qershor titullin e lartë profesorit arbëresh të albanologjisë

Tiranë, 21 qershor 2016 – Kreu i Shtetit Bujar Nishani nderoi albanologun arbëresh Elio Miracco me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin: “Në vlerësim të lartë të kontributit të vyer akademik dhe albanologjik në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit ‘La Sapienza’ për nxjerrjen në pah të kulturës kombëtare dhe identitetit unik të shqiptarëve. Me mirënjohje të thellë për veprimtarinë e pakursyer në promovimin e vlerave dhe traditave më të mira të bashkësisë arbëreshe në Itali, si dhe përpjekjet e tij të pareshtura për shpalosjen e afërsisë kulturore dhe vokacionit evropian të shqiptarëve”.

“Jemi mbledhur këtu – u shpreh presidenti – për të nderuar dhe vlerësuar veprën e njërit prej personaliteteve më të spikatura të bashkësisë arbëreshe në Itali, albanologun e përkushtuar me aq pasion, profesorin e gjindshëm, promotorin e paepur të identitetit evropian të shqiptarëve, Profesor Elio Miraccon. E gjithë jeta profesionale dhe prodhimtaria shkencore dhe akademike e deri më tanishme e Profesor Mirakos ka qenë e lidhur pazgjithshmërisht me identitetin dhe gjuhën thelbësore shqiptare.

Presidenti, në fjalën e tij, renditi disa prej pikave kulmore në veprimtarinë e profesorit arbëresh, në lëmë të letrave, por edhe në mbështetjen që i ka dhënë të rinjve të pasionuar pas letërsisë, duke i ndihmuar dhe nxitur në rrugën e vështirë studimore.

Pas diplomimit në vitin 1967 në Universitetin “La Sapienza” të Romës, me temën e diplomës të udhëhequr nga Ernest Koliqi mbi “Historinë e traditën gojore në Shën Sofi” në lëndën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Miracco nisi bashkëpunimin me Institutin e Studimeve Shqiptare në këtë Universitet të udhëhequr atë kohë po nga Ernest Koliqi, e më pas nga Giuseppe Gradilone, duke kontribuar në pasurimin e mëtejshëm të veprës monumentale të institutit.

Hulumtimet e tij u përkasin degëve të ndryshme të albanologjisë, duke filluar nga çështjet filologjike e kritike me studimet e De Radës apo të Kadaresë e duke vijuar më tej me traditat gojore të arbëreshëve me materialet e mbledhura në shumë katunde të banuara nga kjo bashkësi në Itali, duke konsoliduar në këtë mënyrë filologjinë e bibliografisë tekstuale në albanologji.

“Kultura shqiptare ka qenë dhe është nyja e jetës së profesor Miraccos. Nuk mund të rri pa përmendur këtu qëndrimin e Institutit të Studimeve Shqiptare në ‘La Sapienza’ me në krye Ernest Koliqin, ku në momente dhe kontekste jo të lehta për historinë e kohës në Itali, ata nuk nguruan të denonconin shkeljet e lirive dhe të drejtave, si dhe krimet ndaj popullsisë shqiptare nga regjimi totalitar i Enver Hoxhës, duke e shndërruar atë Institut në qendrën e rezistencës antikomuniste shqiptare në Itali, në një institucion të lirisë kundër tiranisë.

Profesor Miracco ishte dhe është mediumi pasionant akademik, i cili nuk reshti së promovuari lidhjet e arbëreshëve me Shqipërinë, përkatësinë europiane të tyre”, vijoi Presidenti i Republikës, teksa shtoi se duke ndërthurur dijet me tiparet  e rralla njerëzore tipike shqiptare, ia ka përkushtuar gjithë jetën e vet trashëgimisë kulturore arbëreshe, gjuhës shqipe dhe ndërkomunikimit kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë, duke na zbukuruar hijshëm kurorën e krenarisë kombëtare edhe në anën tjetër të Detit Adriatik.

I pranishëm në këtë ceremoni, jo pa emocion, Miracco shprehu falënderimet e tij për këtë titull të lartë dhe u angazhua se do të vijojë punën e tij mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe e në kontributin e tij në mbajtjen gjallë të kulturës arbëreshe në Itali.

 

 

 

Servizio Civile, 35 mila posti. Ultimi giorni per le domande, anche di stranieri

Brenda rrjetit: tonelata drogë drejt Italisë, milionë euro drejt Shqipërisë