Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku: “Kosovarët nuk konsiderohen azilkërkues nga vendet e BE-së pasi në vendin tonë nuk u cenohen të drejtat themelore askujt”
Prishtinë, 11 korrik 2013 – Migrimi ilegal është armiku më madh i liberalizimit të vizave, u tha në takimin bashkërendues me institucionet e Kosovës përgjegjëse për luftimin e trafikut të qenieve njerëzore, të mbajtur më 10 korrik në Prishtinë me iniciativën e ministres së Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, dhe ku morën pjesë Ministri i i Brendshëm, Bajram Rexhepi, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni dhe kreu i Divizionit Ekzekutiv të EUELX-it, Mattsson,
Në takim u diskutua shqetësimi i përbashkët rreth rritjes së numrit të azilkërkueve nga Kosova, të cilët janë duke shfrytëzuar territorin e Serbisë për të kaluar në mënyrë të parregullt kufirin hungarez. Ministrja Çitaku dhe të pranishmit pohuan që kosovarët nuk konsiderohen azilkërkues nga vendet e BE-së pasi në Kosovë nuk u cenohen të drejtat themelore individëve të cilësdo përkatësi etnike, fetare apo gjinore qofshin. Ndaj personat që bien pre e mashtrimeve e të premtimeve për marrje azili në vende europiane, rrezikojnë sigurinë e tyre personale, shpenzojnë më kot, për të përfunduar në qendrat e azilkërkuesve të BE-së e për t’u riatdhesuar në Kosovë brenda një afati shumë të shkurtër. Madje ndaj këtyre personave merret edhe masa e ndalimit të hyrjes në zonën Shengen për 3-5 vitet e ardhshme.
Por ajo çka është më e rëndësishme për mbarë Kosovën, është fakti që rritja e numrit të kërkuesve të strehimit bën akoma më të largët liberalizimin e vizave edhe për shtetasit me pasaportë kosovare.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Maxhuni, njoftoi se tashmë kanë nisur disa hetime, të cilat do të rezultojnë të suksesshme, të cilat kanë për qëllim hetimin dhe arrestimin e atyre që ofrojnë shërbime të kontrabandimit, por edhe atyre që e lehtësojnë këtë proces.
Nga EULEX u kërkua që të ketë një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së si Europoli dhe të sigurohet bashkëpunim i afërt mes institucioneve të Kosovës, Serbisë, por edhe të shteteve anëtare të BE-së për ta luftuar së bashku këtë dukuri, e cila është pjesë e krimit të organizuar. (Sipas ATSh-së)