in

Emigrantët kthehen për festa. Fluks i lartë në porte e në kufirin me Greqinë

Vetëm ditën e sotme kanë hyrë në Durrës mbi 4 mijë shqiptarë, në Vlorë rreth njëmijë të tjerë dhe mijëra të tjerë hyjnë në vendkalimeve kufitare që lidhin Shqipërinë me Greqinë

Tiranë, 27 dhjetor 2011 – Në portin më të madh të vendit nga mëngjesi i sotëm deri tani kanë mbërritur 3000 emigrantë, për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri. Nga kapiteneria e portit të Durrësit bëjnë të ditur se, “me 4 tragetet e nisura nga porti i Barit kanë mbërritur 3.000 emigrantë dhe 1.000 automjete, ndërsa pritet që të mbërrijë edhe një tjetër traget, duke e çuar numrin e udhëtarëve në 4.200, ndërsa të automjeteve në 1.100”. Autoritetet portuale kanë vënë në dispozicion 28 sportele për përpunimin e pasagjerëve dhe automjeteve.

Mësohet se nga e premtja deri ditën e djeshme në portin e Durrësit kanë mbërritur 27.600 udhëtarë dhe 6.500 automjete. Tragetet që mbërrijnë në portin e Durrësit vijnë kryesisht nga Bari, më pak nga Ankona dhe Trieste.

Rreth 800 emigrantë kanë hyrë sot në pikën kufitare të portit të Vlorës, me dy tragete që përshkojnë linjën detare Brindizi-Vlorë. Ky fluks emigrantësh ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kur me këtë linjë detare janë kthyer deri më sot 4.500 emigrantë.

Edhe pse konsiderohet normal për këtë periudhë të vitit, burime të kapitenerisë së portit të Vlorës njoftojnë se ,”fluksi do shënojë rritje gjatë ditëve të ardhshme, deri në 31 dhjetor”.

Sipas të njëjtave burime, janë marrë të gjitha masat për të shmangur mbingarkesat në mjediset portuale përmes shtimit të numrit të sporteleve dhe personelit. Aktualisht në portin e Vlorës funksionojnë 8 sportele për përpunimin e pasagjerëve, ndërsa 4 prej tyre janë për përpunimin e automjeteve.

Akoma më i lartë fluksi i hyrjeve në Shqipëri nga Greqia. Të paktën 4 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi, kanë hyrë gjatë nga mesnata deri në orën 15 përmes vendkalimit kufitar të Kakavijës, rreth 25 km larg Gjirokastrës.

Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, pohojnë për ATSH-në se “numri i emigrantëve shqiptarë që pritet të vijnë në atdhe për të festuar ndërrimin e viteve, do të rritet në fundjavë”.

“Akualisht në dipozicion të emigrantëve funksionojnë 10 sportele, gjashtë në hyrje dhe katër në dalje”, thonë nga policia kufitare.

Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës në kufirin Shqipëri-Greqi, funksionojnë me kohë të plotë dy pika vendkalime kufitare, ajo e Kakavijës, që ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, në drejtim të jugut dhe “Tre Urat”, që ndodhet rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit, në drejtim të perëndimit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut, që ndodhet rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës në komunën e Pogonit, funksionon vetëm për këmbësorët.

 

 

Durrsakët në Festivalet e Këngës në vite

Banka e Shqipërisë: “Në vitin 2012, hidhet në qarkullim monedha 200-lekëshe”