in

Emigrantët shqiptarë në Italinë e krizës / 1

Nga Rando Devole
Panoramë mbi situatën e të huajve në Itali

Të dhënat për praninë e përgjithshme të emigrantëve në Itali konfirmojnë ngadalësimin e fortë të rritjes së tyre në numër. Sipas vlerësimeve të Dossier Statistico Immigrazione 2011, prania e rregullt e qytetarëve të huaj në Itali, në fillim të 2011-s, shkon rreth 5 milionë vetë, përgjithësisht pa ndonjë ndryshim të madh nga viti i kaluar.

Raporti 2011 i ISMU (Fondazione Iniziative e Studi sulla Multietnicità) rezulton më optimist, duke e vlerësuar praninë e huaj rreth 5,4 milionë, me fjalë të tjera vetëm 70 mijë më tepër se viti i mëparshëm. Megjithatë, të gjitha institutet e studimit bien dakord me faktin se rënia e pranisë së imigrantëve është pa precedentë. Në fakt, që kur Italia është bërë objekt i migracioneve ndërkombëtare, tendenca e rritjes së qytetarëve të huaj ka qenë konstante.

Nuk është e vështirë të përfytyrohet se mosrritja e emigrantëve lidhet kryesisht me krizën ekonomiko-financiare që po përshkon prej disa vitesh vendet perëndimore e që ka pasur pasoja shumë të rënda edhe në punësim. Megjithatë, është e domosdoshme të bëhet një analizë serioze e të dhënave që kanë të bëjnë me punonjësit emigrantë dhe ecurinë e pranisë së tyre në sektorët e ndryshëm të ekonomisë. Duhet thënë që në fillim se prania e emigrantëve në Itali paraqitet tashmë gjithnjë e më shumë e qëndrueshme e strukturore. Sipas Dossier Statistico Immigrazione 2011, këtë e dëshmojnë një sërë treguesish statistikorë: përqindja e popullsisë rezidente (7,5%), numri i të punësuarve (më shumë se 2 milionë), përqindja mbi forcën e punës+ (përtej 10%-it), titullarët e ndërmarrjeve (228.540), marre e shtetësisë italiane (66 mijë), martesat e përziera (21.357), prania e nxënësve dhe e studentëve të huaj në shkolla, e kështu me radhë.

Rasti i shqiptarëve

Emigracioni shqiptar lindi në vitet nëntëdhjetë me eksodet spektakolare drejt brigjeve italiane. Që atëherë ka kaluar shumë kohë dhe tregu i punë s ka ndryshuar jo vetëm në Itali e Shqipëri, por në të gjithë botën. Gjatë viteve numri i shqiptarëve ka shënuar rritje të vazhdueshme, duke arritur në datën 1.1.2011 kuotën 482.627 emigrantësh të rregullt në territorin italian (10,6% të totalit të emigrantëve). Një vit më parë, domethënë në fillim të 2010-s shqiptarët ishin më pak (466.684), ndonëse si përqindje mbi numrin e përgjithshëm ishin më tepër (11%), shenjë se në kategorinë e emigrantëve ka edhe shtetësi të tjera që rriten më shumë. Sidoqoftë, puna është bërë arsyeja kryesore e emigracionit nga Shqipëria, si rrjedhim duhet t’u kushtojmë vëmendje punonjësve shqiptarë që punojnë në sektorët e ekonomisë italiane.

Pyetjet që kanë të bëjnë me punën janë të shumëllojshme. Sa janë shqiptarët që punojnë? Ku punojnë? Në cilët sektorë? Si është zhvilluar në kohë prania e tyre territoriale e lidhur me punën? E së fundi, a kanë ndikim emigrantët në botën ekonomike? Natyrisht, në konceptin e punës futen si të punësuarit, ashtu edhe të vetëpunësuarit. Pjesa më e madhe e shqiptarëve punojnë si të punësuar (me kontratë pune të varur) në ndërmarrjet italiane ose të huaja. Kjo prani përbën edhe objektin e studimit tonë. Para se të zhytemi në shifra e statistika për shqiptarët e punësuar, duhet të kujtojmë aspektin tjetër, d.m.th. atë të sipërmarrësve shqiptarë, me fjalë të tjera të vetëpunësuarit, të cilët janë rritur ndjeshëm në këto vitet e fundit të emigracionit (në fund të 2010-s rezultonin 23.752 shqiptarë titullarë ndërmarrjesh, ose 10,39% e numrit të përgjithshëm të sipërmarrësve të huaj). Gjithashtu, nuk duhet harruar se puna nuk përbën vetëm shtysën kryesore për migracion, por edhe rrugën qendrore të integrimit në shoqërinë e re.

Në datën 1 janar 2011, sipas të dhënave Inail (Istituto Nazionale Assicurazione contro gli Infortuni sul Lavoro – Instituti Kombëtar i Sigurimeve kundër Aksidenteve në Punë), në Itali punonin gjithsej 220.473 shqiptarë. Kjo e dhënë përfshin të gjithë llojet e punonjësve, si ata me kontratë me kohë të caktuar, ashtu edhe ata me kohë të pacaktuar, përfshirë punonjësit stinorë. Ajo që bie menjëherë në sy është se numri i punonjësve shqiptarë ka pësuar një rënie lidhur me vitin e mëparshëm. Në fakt, një vit më parë shqiptarët ishin 224.339. Nuk mund t’ia atribuojmë marrjes së shtetësisë italiane nga ana e qytetarëve shqiptarë as edhe një pjesë të vogël të rënies, sepse baza e të dhënave të Inail-it përfaqëson të gjithë ata që kanë lindur jashtë shtetit. Ulja pra i detyrohet krizës ekonomike, ecurisë së tregut të punës e masave për menaxhimin e hyrjeve të reja të punonjësve të huaj.

Gjatë gjithë vitit 2010 janë marrë në punë nga fillimi 13.855 shqiptarë, shumë më pak se shifra 15.472 e vitit 2009. Kjo do të thotë se tregu italian i punës ka tërhequr më pak shqiptarë. Për të pasur një vizion të saktë e dinamik të situatës së punësimit të shqiptarëve duhet gjetur diferenca midis të punësuarve dhe atyre që kanë dalë nga puna. Shenja, sikurse vitin e kaluar, ka qene negative. Është e qartë se kriza ka filluar t’i godasë seriozisht shqiptarët.

Një tjetër pikë vështrimi shumë interesante do të ishte brenda bashkësive të ndryshme. Si janë shqiptarët në raport ne kombësitë e tjera të pranishme në Itali? Para së gjithash duhet thënë se punonjësit shqiptarë përbënin gjatë 2010-s 7% të të gjithë punonjësve emigrantë. Krahasimi me Rumaninë ka qenë mjaft interesant derisa ishte vend jo komunitar, meqë është vend i lindjes me shumë pika të përbashkëta me Shqipërinë. Tani që Rumania është anëtare e Bashkimit Europian, qytetarët e të cilës gëzojnë liri qarkullimi edhe për punë, krahasimi mund të ishte devijues. Megjithatë, punonjësit rumunë në Itali në datën 1.1.2011 ishin 712.763 (22,7% të totalit), duke zënë vendin e parë absolut, të ndjekur pas nga shqiptarët (7%), nga marokenët 205.667 (6,6% të totalit) e nga ukrainasit (4,7%). Vijojnë për nga numri i të punësuarve kinezët, polakët, moldavët e kështu me radhë.

Po të studiohet diferenca e të punësuarve dallohet menjëherë se rumunët e kanë ndjerë më pak krizën ekonomike (-4.689): bëhet fjalë për diferencë negative pak më e madhe se ajo shqiptare, në terma absolutë, por e papërfillshme si përqindje duke pasur parasysh numrin e madh të komunitetit rumun. Ndryshe është rasti i punonjësve marokenë, që humbasin rëndshëm me 5.132 punësime; pra e kanë pësuar më keq se shqiptarët krizën ekonomike. Diferenca e punësimit të emigrantëve në përgjithësi ka qenë negative gjatë 2010-s. Siç u pa, edhe për bashkësi të mëdha si ajo rumune, shqiptare e marokene. Sipas Dossier Statistico Immigrazione 2011bashkësitë e huaja në Itali janë prekur nga kriza në mënyrë të diferencuar. Kjo varet jo vetëm nga sektorët ku punojnë, por edhe nga rrjetet sociale që kanë krijuar. E dhëna për papunësinë është shumë domethënëse: nga 2008 deri në 2010-n për shqiptarët ka kaluar nga 8,3% në 13,5%, për marokenët nga 10,7 në 19,2%. Gjithsesi, jo të gjitha shtetësitë e kanë mbyllur negativisht diferencën e punësimit me pushimet nga puna. Kanë pasur shenjën pozitive, praktikisht kundër rrymës, vendet e mëposhtme: Kina (2.139), Moldavia (762), Filipinet (612), etj. Me fjalë të tjera, numri i punonjësve të këtyre vendeve është rritur edhe kohët e fundit.

Përgatitur nga Rando Devole, sociolog e ekspert i migracionit dhe i marrëdhënieve ndërkulturore, ka dhënë një sërë të dhënash mbi situatën aktuale të emigracionit shqiptar në Itali, duke analizuar evolucionin e tij 20-vjeçar.

Lexo edhe: Emigrantët shqiptarë në Italinë e krizës / 2

Tabela e grafikë:

 

 

L’Albania, il Paese di fronte, ti aspetta

Emigrantët shqiptarë në Italinë e krizës / 2