Spikati në Sanremo qoftë me këngën e tij Vietato Morire, me një tekst të fuqishëm e prekës, qoftë me interpretimin emocionues të këngës nga e shkuara që zgjodhi, Amara terra mia.
Çelësi i suksesit të Ermal Metës? Di të gjejë “frymëzimin në gjithçka që na rrethon”, dhe është “punëtor i palodhur në kërkim të lumturisë”
Mes personazheve që spikatën në Sanremo 2017 është padyshim Ermal Meta, që tregoi se është një “big” i vërtetë. Kënga e tij “Vietato morire” (E ndaluar të vdesësh), që prek një temë sa delikate aq edhe të dhimbshme siç është dhuna brenda mureve të shtëpisë, por edhe vlerën e marrëdhënieve ndërfamiljare, e shkruar nga ai vetë, u pëlqye shumë, mori duartrokitjet e publikut në teatrin Ariston, votën e jurisë së ekspertëve dhe të kritikës si edhe votën telefonike të publikut në shtëpi. Në fakt, 36 vjeçari i lindur në Fier, i bërë burrë dhe kantautor në Itali, meritoi çmimin e kritikës Mia Martini, si dhe u rendit i treti.
Ermal Meta fitoi, gjithashtu, edhe mbrëmjen që iu dedikua interpretimeve të këngëve që kanë bërë historinë e muzikës së lehtë italiane. Nuk mund të zgjidhte më mirë se “Amara terra mia” (e hidhura toka ime) e Domenico Modugnos, një himn për tokën, që Ermali ndien thellë në zemër dhe interpretoi aq bukur e me emocion sa nuk ishin të paktë ata që panë në këtë zgjedhje edhe një dëshirë të tij për t’i kënduar tokës së Shqipërisë së lënë vite më parë.
Një sukses vërtet i madh sanremez, ky i Ermalit, që sidoqoftë nuk është i papritur për kë njeh mirë muzikën e lehtë Itali. Merr pjesë në Sanremo për të katërtën herë: dy herët e para me grupet e tij, Ameba 4 (në vitin 2006) dhe La fame di Camilla (2010), ndërsa vitin e shkuar si solist në kategorinë e të rinjve. Edhe vjet spikati, kënga e tij “Odio le favole” (Urrej përrallat) u rendit e treta për kategorinë e të rinjve (më e votuara nga salla e shtypit).
Madje, gjatë karrierës së tij si solist, Ermal Meta, pas mbylljes së përvojës me grupet e tij, ka shkruar edhe për këngëtarë të mëdhenj italianë si Patty Pravo, Francesco Renga, Marco Mengoni, Giusy Ferreri, Emma, Chiara, Francesca Michielin, Francesco Sarcina, Lorenzo Fragola.
E pa u mbyllur akoma aventura e Sanremos, në dyqanet e disqeve në mbarë Italinë mbërrin albumi i tij i dytë si solist, që e mërr titullin nga kënga e prezantuar në festival. Përmban 9 këngë të reja, , një bashkëpunim të vyer dhe një dhuratë për publikun siç shpjegon vetë Ermal Meta në intervistën që na jep.
Shqiptari i Italisë: Ermal, vitin e shkuar pjesëmarrja në Sanremo mes të rinjve u mbyll me vendin e tretë, këtë vit u rendite i treti në kategorinë Big (i pari për jurinë e ekspertëve) dhe meritove çmimin Mia Martini. Gjithnjë e më mirë nga një festival në tjetrin…
Ermal Meta: “Kanë ndryshuar shumë gjëra nga viti i shkuar. Pjesëmarrja në kategorinë Big jep më shumë vizibilitet. Sigurisht që edhe kënga me të cilën merrja pjesë bashkë me Cover-in e zgjedhur kanë rolin e vet në sukses”.
Tekstet tuaja, të thella, prekëse, fjalët të zgjedhura me kujdes e asnjëherë bajate. Në këngën e fundit flisni për “buzëqeshje të vrara nga grushtet në fytyrë” për “sy të nxirë” që lënë të nënkuptohet një përvojë të hidhur… Çfarë ju frymëzon?
“Frymëzimi është në gjithçka që na rrethon. Mjafton të dish ta shohësh”.
Dhuna në familje është plagë që shpesh mbahet e fshehur, që lë shenja të thella tek viktimat, në të shumtën e rasteve gruaja e bijtë, ata bij që nesër do të bëhen prindër e që vetëm falë nënës mund të bëhen burra që nuk do t’u ngjajnë baballarëve. Si i shihni ju këto marrëdhënie familjare?
E si mund t’i shoh, në mos ashtu siç janë?! Të edukosh është shumë e rënësishme, të mos bindesh është akoma më shumë. Të mësosh të thuash “jo” mund të shpëtojë një jetë”.
Edhe zgjedhja e këngës për natën e tretë Amara terra mia di Domenico Modugno, u pëlqye shumë, aq sa ju fituat mbrëmjen dedikuar interpretimit të këngëve të të shkuarës. E kënduat me kaq emocion, në mënyrë kaq prekëse sa shumëkush mendoi menjëherë për statusin tuaj si italo-shqiptar. Shumë prej shqiptarëve të Italisë menduan se në njëfarë mënyre i kënduat edhe tokës së hidhur të Shqipërisë. Ç’mendoni për këtë kuptim që i jepet zgjedhjes suaj?
“Më pëlqen shumë. Sepse gjithkush është i lirë ta interpretojë si t’i pëlqejë më shumë. Është e bukura e muzikës! Terra e hidhur është ajo që shkelim çdo ditë duke e jetuar e jo duke ikur prej saj. Toka e hidhur janë lotët e një fëmije, të një nëne pa punë, të një babai të dëshpëruar. Toka e hidhur janë çastet e që ruajmë brenda vetes. Toka e hidhur është epoka jonë”.
Ermal, në festivale keni marrë pjesë në mënyr të ndryshme: me grupe, si solist por edhe virtualisht, me këngët e shkruara për të tjerë artistë. Mësoheni me emocionet e Festivalit, apo çdo herë është një emocion i ri?
“Emocioni nuk ndryshon asnjëherë, në disa raste. Si në Sanremo, që është skena më e madhe e muzikës së lehtë në Itali”.
Në fillim me Ameba 4, pastaj ju pamë në krye të grupit La fame di Camilla, tani solist. Çfarë ju shtyn të ndryshoni?
“Është kërkimi i lumturisë që më shtyn të ndryshoj. Secili prej nesh ka të drejtë të kërkojë lumturinë. Kur shoh që gjërat nuk ecin, e nis nga e para. Jam një punëtor i palodhur”.
Sapo ka dalë në treg albumi juaj i dytë si solist, një album i dyfishtë, në të vërtetë, pasi përmban edhe Umano të vitit të shkuar…
“Vietato Morire është një album me 9 këngë shumë të ndryshme njëra nga tjetra. Me këtë album kam dashur të pikturoj një tablo me shumë ngjyra, shumë aspekte.
Umano është thjesht një dhuratë që desha t’u bëj atyre që blejnë këtë album, të cilin, veç të tjerash e bën akoma më të vyer zëri i mrekullueshëm i një artisteje të madhe, Elisa”.
Multikulturalitet, racizëm, prapambetje politike. E nuk dua të flas për Dj Aniceto të tjerë si ai të mbetur mbrapa ndërsa Italia, bota ndryshon përditë. Do të dëshiroja një mendim tuajin mbi dy tema në veçanti:
Në Parma, në primariet e qendrës së majtë për kryebashkiakun – për të parën herë në Itali – ka edhe një kandidat italo-shqiptar. Është fjala për avokatin Gentian Alimadhi, i lindur në Fier edhe ai, një profesionist i vlerësuar, dhe goxha aktiv në komunitet.
“Më bëhet shumë qejfi dhe i uroj të bëjë më të mirën. Të them të vërtetën, nuk interesohem shumë për politikë”.
Tema e dytë ka të bëjë me brezat e dytë, që në të gjithë Italinë po protestojnë këto ditë për të nxitur Senatin të miratojë përfundimisht reformën e shtetësisë, që do t’u njihte fëmijëve të lindur dhe/ose të rritur në Itali shtetësinë italiane, reformë që në Dhomën e deputetëve është miratuar prej më shumë se një viti.
“Pse jo, duhet bërë. Sepse toka është e atyre që kujdesen për të e jo vetëm e atyre që kanë lindur mbi të. Pak a shumë, si me bijtë”.
Faleminderit Ermal dhe suksese!
Keti Bicoku, Shqiptariiitalise.com
In italiano: Ermal Meta, “alla ricerca della felicità”