in

Ermal Meta, shqiptari i Sanremove

Në festivalin e muzikës së lehtë italiane është i shtëpisë vitet e fundit, njëherë duke u ngjitur në skenë me grupin e tij “La fame di Camilla” e më pas si autor këngësh të interpretuara nga të tjerë. Ermali ka krijuar edhe për këngëtarë të njohur si Patty Pravo, Marco Mengoni, Francesco Renga, Giusy Ferreri, Zero Assoluto.
E për gjithçka që ka arritur deri më sot falënderon nënën e tij, “gruan që më tregoi rrugën për t’u bërë burrë”

Ermal Meta është 33 vjeç e sot është emër i dëgjuar në panoramën e muzikës së lehtë në Itali. Karrierën e nisi si pjesëtar i bandës pop-rock “La fame di Camilla”, të cilës i  jepte jo vetëm zërin, pianon dhe kitarën por edhe tekstet e këngëve që katër të rinjtë këndonin. Me grupin e tij, nga viti 2007 deri në vitin 2012, ka nxjerrë tri albume, ka dhënë një sërë koncertesh e, në vitin 2010, u ngjit në skenën e Sanremos, me këngën “Buio e Luce”, e shkruar dhe e kënduar prej Ermalit.

Por Sanremos nuk i është ndarë as në vitet në vijim, nuk është ngjitur vetë në skenë por të tjerë artistë që kanë kënduar krijimet e tij. Edhe këtë vit, Ermali ishte i pranishëm si autor i “Straordinario”, kënga e kënduar nga Chiara.

“Pas eksperiencës me “La fame di Camilla”, kam filluar aktivitetin tim me “Emi Music Publishing Italy”. Kam shkruar shumë për këngëtarë të njohur si Patty Pravo, Marco Mengoni, Francesco Renga, Giusy Ferreri, Zero Assoluto, Francesca Michielin, Antonella Lo Coco. – tregon Ermali – Në vitin 2013, për Sanremon, shkrova këngën “Non so ballare” (Nuk di të kërcej) që u këndua nga Annalisa Scarrone në kategorinë e kampioneve. Së bashku me Niccolò Agliardin, vjet krijuam kolonën muzikore “Tutto si muove” (Çdo gjë lëviz) të filmit serial “Braccialetti Rossi” (Byzylykët e kuq) i shfaqur në RAI 1.

“Straordinario”, kënduar nga Chiara, na kujtoi të madhin Modugno tek këndonte “Meraviglioso”, dedikuar jetës…

Të falënderoj për krahasimin! Është e vërtetë që më pëlqen Jugu i Italisë, deti i tij që më frymëzon. Mbase është mungesa e detit që më ka shtyrë ta shkruaj atë këngë. Në Itali unë kam jetuar për shumë kohë pranë detit. Kam një vit që nuk jetoj pranë tij, por e ëndërroj vazhdimisht.

Si ndodhi bashkëpunimi me Chiara-n? Njiheshit?

Po, kam shoqëri me Chiara-n. Ajo, sa e dëgjoi këngën, i pëlqeu shumë dhe më tha se do të shkonte në Sanremo me të…

Ti je kantautor, pra, këndon edhe vetë. Mendon se po ta kishe interpretuar vetë këtë këngë në Sanremo, do të kishe më shumë sukses? Po kujtoj se ajo zuri vendin e pestë dhe në një intervistë, Chiara Galiazzo, fituese e X Factor 6, u shpreh entuziaste për këtë renditje…

Nuk e di. Unë besoj se çdo këngë ka fatin e vet.

Në fakt, kënga jote u vlerësua më shumë nga televotuesit sesa nga juria teknike. Si e interpreton ti këtë fakt?

Ishte diçka që e prisja. Juria teknike e festivalit, në fakt, nuk vlerëson kurrë këngën, por artistin dhe ata që dalin nga X-Factor, historikisht, nuk para preferohen nga juritë e Sanremos…

Festivali i Sanremos është një skenë shumë e rëndësishme për prezantimin e artistëve. Ndihesh krenar me kaq pjesëmarrje, besoj… 

Është e vërtetë se Sanremoja është një festival i rëndësishëm, por për mua, akoma më e rëndësishme është të shkruash këngë të ndjera. E rëndësishme nuk është Sanremoja. E rëndësishme është ç’do të bësh pas Sanremos. Java e festivalit është më e shkurtër se çdo javë tjetër. Kur fiken dritat e skenës, atje fillon puna, karriera.

Ndonjë gjë interesante nga festivali, nga kontaktet me këngëtarët aty…?

Këtë herë, në Sanremo, isha vetëm për dy ditë. Të them të drejtën, nuk më pëlqen Sanremoja në kohën e festivalit. Qyteti duket si i bllokuar. Ka shumë njerëz në rrugë e ngado. Sa të shikojnë që je duke folur me ndonjë “të famshëm”, njerëzit të presin sa të mbarosh dhe të kërkojnë fotografi, edhe pa e ditur kush je. Ka shumë alegri ato ditë në Sanremo…

Lidhja jote me artin është pasion, rastësi, apo e lindur prej kohësh?

Ka lindur qëkur isha i vogël dhe them se nuk mund të jetë rastësi. E kam patur në gen…

A ka ndonjë varg që e përsërit shpesh me veten tënde?

Po, e kam shpesh në gojë një strofë të Ivano Fossatit: “Dicono che c’è un tempo per seminare e uno più lungo per aspettare, io dico che c’era un tempo sognato che bisognava sognare” (Thonë që ekziston një kohë për të mbjellë dhe një më e gjatë për të pritur, unë them që ekzistonte një kohë ëndrrash ku ishte e nevojshme të ëndërroje)

Cilat janë planet apo dëshirat për të ardhmen?

I vetmi plan është që ta largoj të ardhmen sa më shumë…

Të ndihmon muzika ta shikosh jetën ndryshe, ta shohësh atë për shembull me syrin e të bukurës?

Jo, muzika është si një palë syze pa të cilat nuk shikon mirë.

Është e zakonshme të themi ëndrrat në sirtar. Unë do të të pyesja për një ëndërr tënden të fshehur në pentagram…

Po realizoj albumin tim të parë si solist. Eksperiencë e vështirë, por e bukur! 

Ka ndonjë person që falënderon për gjithçka që ke arritur deri tani?

Falënderoj gruan që më tregoi rrugën për t’u bërë burrë, nënën time!

Intervistoi Anila Kadija

Tanto rumore per qualcosa?

Topi verso il gol nella “Realpolitik”