in

Eurostat. Rreth një e katërta e europianëve rrezikojnë varfërinë

115 milionë europianë, ose 23,4%, në rrezik varfërie në vitin 2010. Përqindja më e lartë arrihet në Bullgari me 42% ndërsa më e ulëta në Republikën Çeke me 14%

Romë, 9 shkurt 2012 – Rreth një e katërta e popullsisë së BE-së kërcënohet nga varfëria apo përjashtimi social, kryesisht në Evropën Qendrore, dhe rreziku prek më tepër fëmijët e të rinjtë se të rriturit. Janë këto informacionet që jep Raporti i fundit i institutit evropian të statistikave Eurostat, i përpiluar me të dhëna të vitit 2010. Kjo statistikë mbështetet në tre kritere: varfëria financiare, që korrespondon me të ardhura 60% më të ulëta si mesatarja kombëtare, privimi i rëndë nga të mirat materiale, që do të thotë pamundësi për të paguar borxhet, faturat e dritave dhe ujit apo pamundësi për të shkuar me pushime, dhe së fundi punësimi i ulët (konsiderohet në rrezik kush punon nën 20% të mundësive të tij).

Sipas Eurostat, përqindjet më të larta të personave të kërcënuar nga varfëria apo nga përjashtimi social gjenden në Bullgari 42%, në Rumani 41% dhe në Letoni 38%, ndërsa më të ulëtat gjenden në Republikën Çeke me 14%, në Suedi dhe në Holandë me 15% si dhe në Austri, në Finlandë dhe në Luksemburg me 17% secili. Në vlerë absolute numri më i lartë i personave që rrezikojnë varfërinë jetojnë në Gjermani, 15,9 milionë persona, por në përqindje Gjermania renditet nën mesataren evropiane.

Mbi vlerat mesatare renditet Italia me 14,7 milionë persona ose me 24,5% të popullsisë në rrezik varfërie. Ndërsa në Greqi rreziku i varfërisë prek mbi tre milionë banorë ose 27,7% e popullsisë.

E dhëna më shqetësuese është ajo që ka të bëjë me  të rinjtë e fëmijët. Në BE, 27% e fëmijëve dhe adoleshentëve nën moshën 18 vjeç janë përballur në vitin 2010 me rrezikun e varfërisë apo të përjashtimit social. Kjo përqindje zbret në 23 për  popullsinë në moshë për të punuar (18-64 vjeç) dhe në 20 për popullsinë e moshuar (mbi 65 vjeç).

Nga Lecce në Fier për të vjedhur. Policia shqiptare arreston dy italianë

Arrestohet në Macerata Enver Hajdari. Shpërndante 30 kg drogë në javë