Parlamenti Evropian miratoi propozimin për mekanizmin e pezullimit të përkohshëm të regjimit pa viza për vendet e treta, për të cilat ka dëshmi se abuzojnë me lirinë e udhëtimit por ai do të hyjë në fuqi vetëm si “mjeti i fundit”, kur nuk shihet zgjidhje tjetër, dhe në situata emergjence
Pasi mori mbështetjen e shumicës së parlamentarëve (328 pro, 257 kundër dhe 46 abstenime), mekanizmi për pezullimin e përkohshëm të udhëtimit pa viza për vendet e treta u bë pjesë e sistemit të vizave të BE-së. Komisioni Evropian, që pati doli me këtë propozim para dy vjetësh me kërkesë të vendeve anëtare, përshëndeti miratimin e rregullit, i cili “në situata emergjence dhe pas një kontrolli të thellë nga Komisioni Evropian, do të mundësojë sërish, përkohësisht, vendosjen e regjimit të vizave për ndonjë vend të tretë”. Duke theksuar se ky mekanizëm nuk ka vlen për ndonjë vend apo rajon të caktuar, komisionerja për Çështjet e Brendshme të BE-së, Cecilia Malmstrom, theksoi se pezullimi i udhëtimit pa viza do të përdoret vetëm si “mjeti i fundit” në një situatë emergjence, të shkaktuar nga keqpërdorimi i regjimit të lëvizjes së lirë.
“Shpresoj se nuk do të përjetojmë situata, që të kemi nevojë të përdorim këtë mekanizëm. Gjithashtu unë besoj se të tillë “frena sigurie” do të forcojnë besimin e vendeve anëtare në regjimin e vizave, si dhe në të ardhmen e liberalizimit të vizave.”
A do të ndikonte rivënia e vizave në zgjerimin e BE-së?
Dhe ndërsa në Komisionin Evropian se do të qëndrojnë “të angazhuar për udhëtimin pa viza për vendet e treta”, socialdemokratët në Parlamentin Evropian shikojnë në vendosjen e mekanizmit të pezullimit kompromentimin e politikës së BE për vizat, si dhe të politikës ndaj fqinjëve:
Rrezik pë kufizimin e lirisë së udhëtimit?
“Mekanizmi i pezullimit të përkohshëm të regjimit pa viza është potencialisht i rrezikshëm dhe një masë e keqe, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi raportuesja për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon. “Pezullimi i mundshëm i regjimit pa viza mund të ketë pasoja edhe në procesin e zgjerimit dhe do të forconte qëndrimin antievropian dhe mostolerancën ndaj pakicave, të cilat kërkojnë në shumicën e rasteve azil”, shpjegoi Fajon duke shtuar se edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë më tej për përmirësimin e situatës të popullatës rome, “integrimi i romëve në Serbi dhe në Maqedoni është më i mirë se në disa vende anëtare të BE.”
Fajon: Momentalisht nuk ka rrezik direkt për Ballkanin Perëndimor!
Mekanizmi i sapomiratuar parashikon mundësinë që vendet anëtare të BE mund të ankohen për abuzimet e ndonjë vendi të tretë me regjimin pa viza. Pastaj Komisioni Evropian do të shqyrtojë, nëse ka prova për ta kthyer në “listën e zezë” në një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh, dhe do t’ua shtrojë atë për aprovim të gjithë anëtarëve të BE.
“Sot nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për rikthimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Numri i të ashtuquajturve “azil-kërkues të rremë” vazhdon të jetë i madh, por është më i ulët në krahasim me vitin e kaluar. Qeveritë evropiane nuk do të duhet të kenë arsye që të aktivizojnë momentalisht pezullimin. Rrezik është që ky mekanizëm të mund të shfrytëzohet nga ana e forcave nacionaliste dhe populiste në Evropë si “mjet politik” për të gjetur mbështetje në opinionin publik në vend”, shprehet Fajon.