in

Fajon: “Shqipëria përmbushi kriteret për heqjen e vizave”

Gjatë një vizite në Tiranë, europarlamentarja Tanja Fajon shpreh kënaqësinë e saj për liberalizimin e vizave për shqiptarët, dhe këshillon të jepen të gjitha informacionet për detyrimet e të drejtat që rrjedhin nga ky vendim

Tiranë, 23 tetor 2010 – “Shqipëria tashmë i ka përmbushur të gjitha kriteret për të lëvizur pa viza në zonën “Shengen”, por e rëndësishme në këtë moment është që qytetarët shqiptarë të informohen për detyrimet dhe kushtet që duhet të plotësojnë, pas bërjes realitet të këtij vendimi”. Kështu u shpreh sot në Tiranë eurodeputetja Tanja Fajon, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, pas takimit më këtë të fundit.

Basha Fajon“Jam e lumtur të them edhe një herë që Shqipëria është Europë, ka qenë pjesë e saj. E ardhmja e Shqipërisë është në unionin e Bashkimit Europian dhe liberalizimi i vizave është një hap mjaft i rëndësishëm për vendin tuaj”, tha Fajon gjatë kësaj konference. Ajo që është e rëndësishme pasi vendimi të hyjë në fuqi, sipas eurodeputetes Fajon, është se “qytetarët shqiptarë duhet të dinë se sa mund të qëndrojnë në vendet Shengen, se cilat janë kriteret e udhëtimit”. Ajo shtoi se qeveria duhet të tregohet e kujdesshme në këtë drejtim, të ndërmarrë një fushatë sensibilizuese, me qëllim informimin e qytetarëve për kushtet e lëvizjes në zonën Shengen.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tha se e kishte informuar eurodeputeten Tanja Fajon për hapat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë për t’i paraprirë momentit historik të heqjes së vizave, ndërsa e kishte njohur atë dhe me konsolidimin e reformave në fushën e sigurisë së dokumenteve, sigurisë së kufirit, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit, terrorizmit dhe për garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë. Ai garantoi eurodeputeten se pas këtij vendimi historik “qeveria shqiptare do të intensifikojë përpjekjet e saj për të konsoliduar rezultatet e arritura për plotësimin e kritereve të Udhërrëfyesit, që janë edhe një çelës i këtij suksesi”.

Flukset. Forlani: “As që bëhet fjalë!”

Botohet në fletoren zyrtare ligji për pasaportat në konsullata