in

Falconara. E nxjerrin nga shtëpia, familja Kozaj, me një vajzë invalide, jeton në plazh

Shtëpia e ofruar prej komunës po binte në tokë, ndaj vendoset të deklarohet e pabanueshme. Pa punë e pa të ardhura, Dashnor Kozaj me familjen e tij po kalojnë ditët e netët në plazh. Po për sa kohë mund të vazhdojnë kështu?

Romë, 11 gusht 2015 – Jetonin në rrugën Flaminia 162 të Falconarës në provincën e Anconës deri pak ditë më parë. Aktualisht, pasi janë nxjerrë me forcë nga banesa, jetojnë në plazh, burrë, grua e një vajzë e mitur 100% invalide. Është fjala për familjen e shqiptarit Dashnor Kozaj, prej 11 vjetësh në qytet.

Shtëpia ku jetonin po rrënohej dita ditës, deri edhe banjoja nuk po funksiononte siç duhej, kështu që ishte deklaruar e pabanueshme e për rrjedhojë familjen e kanë detyruar të mos jetojë më aty.

Por tani familja ka mbetur pa një çati mbi krye e për rrjedhojë po jetojnë në plazh. Dashnori që në të shkuarën kishte punuar si hekurkthyes e karpentier në port, tani është i papunë e kërkon ndihmë.

Nga anë e saj, komuna justifikon nëpunësit e saj duke treguar për mediat lokale se kishin diskutuar disa herë me Dashnorin e të shoqen përpara se të nxirrnin urdhëresën e largimit nga shtëpia.

“U kemi propozuar të marrin pjesë në projektin për shtëpinë por kanë refuzuar” thotë Fabio Marcatili, përgjegjësi i drejtorisë për Shërbimet Sociale të Komunës që shpjegon se projekti jo vetëm ndihmon familjet në nevojë të gjejnë një vend pune por u ofron atyre edhe qiranë e gjashtë muajve.

Gjithnjë sipas komunës, Kozajt kanë problem të madh ekonomik. Ata nuk kanë paguar asnjëherë qiranë për 11 vjet që ka qëndruar në rrugën Flaminia.

“Ne nuk mund të japim shtëpitë falas. Kemi me dhjetëra familje në situatë të dëshpëruar” – thotë Marcatili duke lënë të kuptohet se këtë nuk e bëjnë as për italianë.

Nëpunësi i Komunës shpjegon edhe se u kanë shpjeguar bashkëshortëve Kozaj që gruaja e vajzat (nga të cilat njëra e mitur e invalide, ndërsa tjetra në moshë madhore, në këtë periudhë ndodhet në Bolonjë) mund t’u besohen një strukture pritjeje, pasi komuna e ka për detyrë të tutelojë të miturit. Dashnori mund të shkojë sa herë të dojë, për të qëndruar pranë familjes. Por edhe në këtë rast, me krenarinë e kryefamiljarit është shprehur se i takon atij të mbajë familjen e vet.

Në këtë situatë, Dashnori është i detyruar “të sistemojë” familjen e tij në plazh, gjë që nuk mund të zgjasë shumë.

 

Jam bërë italian. Tani a mund të marrë shtetësinë edhe ime shoqe?

Lamtumirë Kapedan!