in

Fermo. Kortezh në kujtim të kosovarëve të vrarë nga punëdhënësi

Me qindra vetë në shesh për të solidarizuar me familjet e Nexhmedin Mustafës e Valdet Avdylit e për të kërkuar drejtësi për ta e për të gjithë punonjësit “Sepse kjo tragjedi përbën edhe një precedent të rrezikshëm për të gjithë punonjësit, e veçanërisht për ata që janë imigrantë”.

Romë, 22 shtator – “Duam drejtësi”, “Kërkojmë të paguhemi e jo të vritemi”. Me këto parulla në duar por edhe me pishtarë e flamuj (shqiptar, kosovar, italian e sindikatash), rreth 500 vetë, shqiptarë, kosovarë, italianë e të huaj të tjerë kanë marrë pjesë të dielën në mbrëmje në një kortezh me pishtarë që u mbajt rrugëve të Fermos në kujtim të dy kosovarëve të vrarë një javë më parë. Ata ishin kunetërit Nexhmedin Mustafa 38 vjeç, baba i katër fëmijëve, dhe Valdet Avdyli 26, baba i një djali pakmuajsh e me gruan shtatzënë. Vrasësi është një ish punëdhënës i tyre, sipërmarrësi i ndërtimit Gianluca Ciferri, 48 vjeç, të cilit i kërkonin hakun e punës që kishin bërë për të muaj më parë.

Në kortezhin, veç miqve e të njohurve të familjeve kosovare, nuk kanë munguar përfaqësues të sindikatave dhe të autoriteteve lokale. Ai është nisur në orën 20.00 nga rruga XX Giugno ku jeton familja Mustafa. Në krye të tij janë vënë të afërmit e viktimave që në lot janë shprehur se kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre. “Duam të punojmë për të jetuar e për të mbajtur familjet tona – ka thënë Mustaf Mustafa, vëllai i Nexhmedinit – Për njerëzit tanë që humbën jetën duam drejtësi, asgjë më shumë”.

“Ishin vërtet të shumtë pjesëmarrësit, kryesisht shqiptarë e kosovarë – thotë për shqiptariiitalise.com Granit Muçaj, zëdhënës i shoqatës Skanderbeg të Fermos – Erdhën miq e të njohur edhe nga qytete të tjera, deri edhe nga Firence, për t’u gjendur pranë familjes, veçanërisht gruas së Nexhmedinit që në këtë tragjedi humbi të shoqin e të vëllanë”.

“Gruaja e Valdetit, shtatzënë e me një foshnje në gji gjendet në Kosovë. Edhe vetë Valdeti – sqaron Muçaj – kishte ardhur në Fermo të dielën, as 24 orë para se të vdiste, sepse kunati e kish lajmëruar se ndoshta Ciferri u jepte paratë që u detyrohej të nesërmen”.

Granit Muçaj tregon gjithashtu se gjatë kësaj jave shqiptarë e kosovarë u kanë ndenjur shumë pranë vëllezërve të Nexhmedinit, të shoqes së tij e fëmijëve të vegjël: “Në shtëpinë e hapur për mort të njërit prej vëllezërve Mustafa, kanë shkuar për ngushëllime me qindra vetë, edhe nga komuna të tjera si Macerata, Ancona, Pescara”.

Ndërsa lidhur me ndihmën ekonomike për familjet, Muçaj tregon se nga sindikatat është premtuar që do të diskutojnë me anëtarët e tyre në mënyrë që t’u jepet bashkëshorteve të viktimave një orë pune. Komuna ka premtuar gjithashtu se do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve për dërgimin në Kosovë të trupave të të ndjerëve. “Deri tani këto janë vetëm premtime, ajo që mund të bëjmë të gjithë, kudo qofshim, është të japim kontributin tonë në llogarinë rrjedhëse të hapur për familjet”.

E ndërkaq sipërmarrësit Ciferri i është konfirmuar masa e sigurisë me burgim. “Si shoqatë po shohim mundësinë të paraqitemi në gjyq si palë e lënduar. Sepse kjo tragjedi prek nga afër dy familjet kosovare por njëkohësisht përbën një precedent të rrezikshëm për të gjithë punonjësit, e veçanërisht për ata që janë imigrantë”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Dy kosovarë vriten nga punëdhënësi. Cgil: “Prej kohësh kërkonin rrogat e disa muajve”
Fermo. Ndihmoni familjet kosovare Mustafa dhe Avdyli

 

Lamtumirë Besa Imami, Donika Kastrioti e kinematografisë shqiptare

“Fotografia e vitit”