in

Fermo. Mister mbi vdekjen e Mirand Boriçit

Nuk është aspak e qartë dinamika e aksidentit rrugor të ngjarë dje në mëngjes e që i ka marrë jetën 23-vjeçarit Mirand Boriçi, vetëm prej pak ditësh në provincën e Fermos, ku rrinte në shtëpi të kushërinjve

Sapo është zbuluar trupi i pajetë i Boriçit (foto Carlino)
Romë, 17 korrik 2013 – Një vello misteri po mbulon aksidentin e ngjarë mëngjesin e 16 korrikut në rrugën provinciale Fonte di mare, në drejtim të Sant’Elpidio-s, ku gjeti vdekjen Mirand Boriçi.

Trupi i pajetë i djalit u gjend poshtë makinës, një Fiat Punto, rreth orës 9 të mëngjesit, por sipas disa dëshmitarëve aksidenti kishte ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit. Për gjithë ato orë, trupi i të riut, i fshehur nga makina që e kish zënë poshtë, nuk është vërejtur nga automobilistët që kanë kaluar aty pranë dhe që nuk kanë lajmëruar policinë për një makinë që kish përfunduar në kanalin buzë rrugës.

Në fakt edhe kur është vendosur heqja e Fiat Puntos prej kanalit, ka qenë operatori i vinçit që e ka ngritur ai që ka vërejtur se nën makinë gjendej një trup i pajetë.

Ndërkohë forcat e rendit kanë zbuluar që makina nuk ishte në emër të djalit por të një shqiptari 52 vjeç, rezident në Itali e ndoshta i afërm apo mik i Boriçit. Agjentët që po hetojnë për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, kanë një sërë pikëpyetjesh: Kur ka ndodhur me të vërtetë aksidenti? Boriçi ishte i vetëm në makinë apo me të tjerë? A janë përfshirë në aksident edhe automobilistë të tjerë? Ndoshta do të gjejnë përgjigje nga informacionet që do të japë sot mjeku pas autopsisë dhe të dhënat mbi telefonatat e marra e të kryera me celular, të cilin e rikuperuan pranë trupit të djalit.

 

Dhuna në familje. 11 gra të vrara vetëm këtë vit

Ne, shqiptarët në Egjipt