in

Dhuna në familje. 11 gra të vrara vetëm këtë vit

Të dhënat janë të frikshme dhe tregojnë se në familjen shqiptare gruaja nuk ka një vend të respektuar. Vitet e fundit, numri i denoncimeve të grave të dhunuara në familje është shumëfishuar: nga 822 në vitin 2008 në 2.526 në vitin 2012

Tiranë, 17 korrik 2013 – Në një javë, tri grave në Shqipëri u është marrë jeta nga burrat e tyre. Shifrat e dhunës në familje po rriten në mënyrë dramatike nga viti në vit. Nëse u referohesh statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, të dhënat janë të frikshme, dhe tregojnë se në familjen shqiptare gruaja nuk ka një vend të respektuar.

Më konkretisht, në vitin 2008, ka pasur 822 denoncime për dhunë në familje dhe për 377 prej tyre gjykata ka lëshuar një urdhër mbrojtje. Por vit pas viti numri i grave që u drejtohen autoriteteve të policisë për të denoncuar dhunën që ushtrohet mbi ta, brenda në familje, thuajse është trefishuar. Kështu në fund të vitit 2012, plot 2.526 gra kanë denoncuar në polici dhunën që ushtrohet ndaj tyre, ndërsa gjykata ka lëshuar plot 1.526 urdhra mbrojtje për ta.

Dramatike janë edhe shifrat sa i përket humbjes së jetës së grave nga dhuna që është ushtruar mbi ta, nga një pjesëtar i familjes, që thuajse në të gjitha rastet ka qenë bashkëshorti ose ish bashkëshorti. Kështu viti 2012 është mbyllur me një bilanc prej 13 viktimash gra, nga dhuna në familje, ndërsa për vitin 2013, deri më sot, janë shënuar plot 11 viktima femra nga dhuna në familje.

Sevim Arbana, kryetare e shoqatës në “Dobi të Gruas Shqiptare”, thotë se ka dy vite që ka shpërthyer një valë dhune e madhe kundër grave.

Të tjerë mendojnë se duhen bërë ndryshime në mënyrën se si funksionon sistemi i mbrojtjes. “Ka ndryshime që duhen bërë edhe tek pjesa e urdhrit të mbrojtjes. E para, Urdhri i Mbrojtjes i menjëhershëm, qoftë 24 orë, qoftë 48 orë, e lë viktimën pa përkrahje për këtë pjesë kohore, e lë atë në mëshirë të fatit. E dyta, duhet përsosur edhe teknologjia për zbatimin e vërtetë të urdhrit të mbrojtjes.

Nëse Gjykata e jep një vendim me shumë të drejtë, që dhunuesi duhet të rrijë 500 metra, 1 kilometër larg viktimës, varet nga rrezikshmëria që paraqet dhunuesi, policia e ka të pamundur ta kontrollojë se sa metra apo kilometra ndodhet vërtet larg  dhunuesi nga viktima. Për hir të së vërtetës, kjo nuk është më një detyrë që i takon vetëm policisë sepse këtu tani të gjithë barrën ia kemi vënë policisë”, – sqaron Iris Luarasi, e “Linjës për Këshillimin e Grave dhe Vajzave”.

Ndërkohë që një tjetër fenomen që vihet re, është edhe fakti se një pjesë e grave i tërheqin denoncimet dhe në jo pak raste ata kanë rezultuar të kenë qenë edhe viktimat. Sipas atyre që merren me këtë problem kjo vjen kryesisht për arsye ekonomike, por edhe për shkak të mentalitetit. “Arsyet se përse viktimat tërhiqen nga paditë e tyre janë të shumta.

Mund të jenë arsye duke nisur që nga ato ekonomike, apo pjesa e presionit që kanë, qoftë nga familja e tyre e origjinës, qoftë edhe nga familja e dhunuesit. Në linjën e Këshillimit, kemi raste që gruaja futët në një strehëz, sepse familja e origjinës nuk është e gatshme ta mirëpresë atë bashkë me fëmijët”, thotë Luarasi.

Dhuna ndaj grave, 57 OJF marrin fonde për t’i mbrojtur

Dhuna ndaj grave duket se është kthyer në një oaz projektesh edhe për Organizatat jofitimprurëse. Në Ministrinë e Punës dhe të Çështjeve Sociale janë regjistruar plot 57 të tilla, që ofrojnë shërbime nga më të ndryshme për gratë, duke filluar që nga këshillimi, adresimi i problemit e deri tek dërgimi i tyre nëpër strehëzat e veçanta, ku ata marrin edhe ndonjë profesion. Sigurisht që midis kësaj morie të madhe OJF ka edhe nga ata që gjithmonë kanë qenë pranë grave në ditë të vështira, por ka edhe nga ato shoqata që janë hapur me qëllimin e vetëm për të përfituar ndonjë projekt dhe nuk dihet nëse në të vërtetë e ofrojnë këtë ndihmë për gratë që kanë nevojë apo jo.

Si funksionon asistenca për gratë

Iris Luarasi, drejtuese e “Linjës për Këshillimin e Grave dhe Vajzave” shpjegon për Shqiptarja.com edhe se si funksionon linja e këshillimit, kur një grua merr në telefon dhe kërkon ndihmë. “Gratë e dhunuara fizikisht, psikologjikisht apo edhe ekonomikisht ose vijnë direkt në qendrën tonë, ose marrin në numrin e telefonit që është falas dhe për çdo rast personat që janë në qendrën e këshillimit janë të specializuar për të identifikuar edhe nevojat që ato kanë.
Nëse një grua është në rrezik për jetën ne e rekomandojmë që ajo të largohet nga shtëpia dhe të vijë të strehohet në një nga strehëzat që janë për gratë e dhunuara. Nëse ka nevojë për një shërbim ligjor falas e rekomandojmë te “Nisma ligjore qytetare”, që është një qendër që ofron asistencë ligjore falas për viktimat e dhunës.
Viktima rri në strehëz për një vit dhe gjatë kësaj kohe çdo gjë e ka të paguar aty. Pasi gjen një punë, të gjitha kursimet i ruan për kohën kur do dalë nga strehëza. Problemi është këtu që shteti nuk ofron strehim falas, kur ti je grua e dhunuar. Asistenca sociale që ofrohet është vetëm 4 mijë lekë, me të cilat gruaja duhet të paguajë qira, të mbajë fëmijët, të ushqehet… E gjitha fillon dhe mbaron nga shteti, nëse shteti nuk do t’ju ofrojë mundësi këtyre grave që të kenë strehim falas dhe të kenë mundësi më të mëdha ekonomike dhe t’i ndihmojë të gjejnë punë. Sado që të marrin ato urdhra mbrojtjeje, sado të ndahen nga burri, vjen një moment që ato janë sërish në dorën e burrit, sepse ato do ushqejnë familjen”.

“Çdo ditë, 10-15 denoncime nga gratë për episode dhune”

Qendrat e këshillimit janë kthyer në një vend rrëfimi për gratë e dhunuara. Iris Luarasi na thotë se çdo ditë ka rreth 15 denoncime. “Në kohën kur nuk ka reklama në media, ka 10 deri në 15 denoncime. Kur ka reklama pastaj numri është më i lartë. Kjo nuk tregon nivelin e dhunës, por tregon se sa të ndërgjegjësuar janë njerëzit. Pasi ekziston një numër i madh njerëzish që janë të pandërgjegjësuar. Gra që kanë frikë ta denoncojnë dhunën, sepse thonë çfarë do fitoj unë nëse e denoncova. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen. Pastaj ka edhe nga ata që janë mësuar me dhunë dhe mendojnë që kështu është mënyra se si duhet të jetojë njeriu. Pasi ka vajza që janë rritur me atë ide, që janë pronë e babait ose e vëllait dhe në momentin që martohen janë pronë e burrit dhe kjo për to është një gjë normale dhe janë edukuar me këtë lloj fryme”.

Reagimet e politikanëve

Vrasjet e 3 grave vetëm brenda një jave ka sjellë një reagim edhe të kryeparlamentares Jozefina Topalli. Në një postim në rrjetin social Facebook, Topalli shprehet se vrasjet e grave janë një tmerr, nga i cili më shumë që e vuajnë dhimbjen janë fëmijët e viktimave. “Të dashur miq! Në tre ditë, 3 nëna, 3 gra u vranë barbarisht. Kjo është një çmenduri, një tmerr. Alketa Cani, Valbona Çarçani, Valbona Lleshi nuk janë më. Fëmijët e tyre jetojnë ferrin! Ato ishin nënat, të bukurat, të mrekullueshmet. Për të gjithë Valbonat, në tribut për çdo nënë, bëni share (nëse jeni dakord) për të thënë MJAFT!”, shkruan Topalli.

Pasojat që këto krime lënë mbrapa janë makabër për familjarët e viktimave, por edhe krijimi i ndjenjës së pasigurisë që përjeton e gjithë shoqëria”, shprehet deputetja e Partisë Socialiste, Klodiana Spahiu. “Strukturat shtetërore të cilat janë caktuar dhe besuar për të mbajtur rendin, nuk po marrin seriozisht luftën ndaj krimit që ka marrë përmasa alarmante në vend. Në disa raste viktimat e fundit kanë kallëzuar paraprakisht në polici për problemet që kanë pasur me bashkëshortët e tyre, por kjo gjë nuk është ndjekur në mënyrë aktive nga ana e policisë, por thjesht është dokumentuar. Policia e shtetit duhet të marrë menjëherë përgjegjësinë që i takon për të siguruar nënat dhe motrat tona nga dhuna qe nxitet kundrejt tyre për shkak të xhelozisë, varfërisë, alkolizmit apo çdo lloj shkaku tjetër që ka çuar deri në vrasje”, analizon Spahiu shkaqet e përshkallëzimit të krimit në vend për Shqiptarja.com.

Lidhur me çka ndodhur edhe drejtuesja e Forumit Rinor Socialist, Elisa Spiropali, ka reaguar në Facebook. “Pas një vrasjeje, gjendet gjithmonë një situatë sociale e papërballueshme. Duhen luftuar shkaqet që të zbuten pasojat. Edukim, dije dhe punë për qytetarët shqiptare. Ta shkulim shoqërinë shqiptare nga kthetrat e padijes dhe pamundësisë”, shprehet Spiropali.
Për deputetin e PS-së, Armando Subashi, shifrat e dhunës ndaj grave i ngjajnë një bilanci lufte. “Bilanc lufte për Shqipërinë me viktimat e fundit të krimit në vend, luftë kjo e nxitur nga mosveprimi e moszbatimi i ligjit e nga heshtja e drejtësisë. Kjo do veprim të menjëhershëm, ngritje në këmbë të gjithë strukturave të tanishme të policisë e të shtetit shqiptar”.

Esmeralda Keta Lexo më shumë në faqet e të përditshmes Shqiptarja.com

Vlorë. Bllokohen 1,2 ton marihuanë, arrestohen 2 persona

Fermo. Mister mbi vdekjen e Mirand Boriçit