Romë 18 nëntor 2010 – Është rënduar orët e fundit gjendja shëndetësore e Leonard Shehut, një prej punëtorëve të aksidentuar gjatë shpërthimit në Paderno më 4 nëntor. 37 vjeçari shqiptar që ka djegie të gradës së tretë në 95% të trupit, gjendet ende i shtruar në repartin e rianimacionit të Spitalit Niguarda të Milanos në komë farmakologjike, me një mushkëri artificiale që e ndihmon të marrë frymë. Natë e ditë qëndrojnë pranë tij e shoqja dhe e motra, e cila megjithëse shtatzënë, nuk është larguar asnjë minutë nga i vëllai.
Mjekët shpjegojnë se Leonardi ka një shok setiçemik (një proces infektiv të përhapur në të gjithë trupin), gjë që ka përkeqësuar gjendjen e tij. Gjithë këto ditë janë kryer ndërhyrje kirurgjikale për të hequr pjesët e djegura të lëkurës, por tanimë është e pamundur të vazhdohen këto ndërhyrje për shkak të infeksioneve që rrezikojnë të prekin organet. Mjekët shprehen se do të ndërpresin këto ndërhyrje të përditshme deri sa situata klinike të përmirësohet.
Mbetet shumë kritike gjendja e Harun Zeqirit, ndërsa Erjon Nezha dhe Kasem Xhani janë jashtë rrezikut. Tanimë janë në gjendje edhe të hanë vetë. Rehabilitimi i tyre do të jetë shumë i gjatë, por mosha e tyre e re do të favorizojë rimëkëmbjen. Ndërsa Ferit Meshi, që ka djegur vetëm duart, ka dalë nga spitali prej një jave dhe është në përmirësim të shpejtë.
Lexo edhe: Përtej xhamit