Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia, në emër të shtetit shqiptar, u ka siguruar mbështetjen e plotë që “kjo ngjarje të zbardhet, të dalin në dritë përgjegjësitë, dhe të plagosurit të kenë drejtësi”.
Konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia e cila po interesohet për të sjellë në Itali të afërmit e të plagosurve thotë për Botën Shqiptare: “paradrekën e të premtes kam qenë për disa orë bashkë me Presidentin e Provincës së Milanos, Guido Podestà, në spitalin Niguarda të Milanos ku janë të shtruar tre nga pesë të plagosurit në shpërthimin e fabrikës. E shoqëruar edhe nga drejtori i përgjithshëm dhe drejtori sanitar i spitalit kam vizituar të plagosurit në Terapinë Intensive dhe bisedova me stafin e mjekëve për gjendjen e tyre dhe u sigurova që ata po marrin maksimunin e mundshëm të kujdesit dhe asistencës shëndetësore”.
“Veçanërisht gjendja e njërit prej tyre, Leonard Shehu, 37vjeç, – shpjegon konsulli Spahia – ishte dhe ngelet edhe në këto çaste tepër kritike me djegie të gradës së tretë në 90% të trupit. Mjekët japin shumë pak shpresë por le të shpresojmë në një mrekulli. Në gjendje të rëndë është edhe Harun Zeqiri i dërguar në spitalin e Torinos. Fatmirësisht, të tjerët janë drejt përmirësimit dhe jashtë rrezikut për jetën”.
Konsulli ka takuar edhe të afërmit e të plagosurve “duke u ndenjur pranë në këto çaste dhimbjeje humane dhe duke u uruar që të afërmit e tyre të shërohen sa më shpejt”. Në emër të shtetit shqiptar, ajo u ka siguruar mbështetjen e plotë që “kjo ngjarje të zbardhet, të dalin në dritë përgjegjësitë, dhe të plagosurit të kenë drejtësi”.
“Mbështetja ime – përfundon konsulli – është plotësisht e koordinuar me institucionet italiane të angazhuara në ndjekjen e kësaj ngjarjeje të hidhur. Kam informuar për këtë edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Berisha i cili më kërkoi t’u përcjell punëtoreve të lënduar dhe familjarëve të tyre urimet më të mira për një shërim të shpejtë.
Lexo edhe: Shpërthimi në Paderno, kritike gjendja shëndetësore e Leonard Shehut