Në kështjellën e Duinos në Trieste, nga 21 deri më 27 mars mbahet konkursi ndërkombëtar i poezisë. I ftuari special do të jetë poeti Arben Dedja
Romë, 21 mars 2011 – Fillon sot, më 21 mars në Kështjellën e Duinos, në Trieste Konkursi Ndërkombëtar i Poezisë, një prej takimeve më të rëndësishme letrare ne vend, i njohur nga komisioni Kombëtar Italian për Unesco. Më 27 mars do të shpallet fituesi i medaljes së Presidentit të Republikës mes të rinjve nga e gjithë bota, i zgjedhur nga një juri me profil shumë të lartë, kritikë letrarë, poetë e docentë universitarë. Kjo juri shqyrton poezitë e dërguara nga konkurrentët në gjuhën amtare, gjë që dëshmon bindjen se fjala poetike dhe dialogu “pa kufij” mund të promovojë një ballafaqim paqësor mbi vlerat. Edhe këtë vit, fituesit do të dhurojnë për vepra solidariteti një pjesë të çmimit të tyre.
Konkursi letrar promovohet nga shoqata e vullnetarëve “Poezi dhe Solidaritet” e gjatë viteve kanë qenë të shumtë personalitetet e ftuara si simbol i kësaj fryme etike, shkrimtarë të njohur si Boris Pahor, Titos Patrikios e Dieter Schlesak
I ftuari simbol i këtij edicioni është poeti shqiptar Arben Dedja. Vepra e tij e fundit letrare është “La manutenzione delle maschere” e botuar në vitin 2010 nga Kolibris Edizioni.
I lindur në Tiranë në vitin 1964, megjithëse mjek i specializuar në fushën e transplanteve dhe të qelizave staminale, nuk ka lënë pas dore pasionin e tij për poezinë. Dy vëllimet e para i ka botuar në Shqipëri e më pas ka vazhduar në revista të ndryshne letrare italiane si “Semicerchio», «Pagine», «Sagarana», «El-Ghibli» e «Kúmá».