in

Fotokopja, modeli famëkeq dhe sharlatan

Po marr shkas nga një ditë e vrullshme, nga e cila më shumë humba se fitova diçka pozitive për zhvillimin e intelektit apo nxënien në përgjithësi. Humbja erdhi nga mërzia dhe ndjenja e neveritshme që rrezatoi venitshëm shpirtin tim, e cila edhe pse përballë kishte prezantimin e parë pozitiv të dy pedagogeve të reja, arriti t’i mposhte ato, pikërisht nga injoranca verbuese e ndoshta dashakeqe, e cila nuk mbledh kurrë dy gurë bashkë. Theksoj, që këtë diskutim e bëra edhe pasditen e sotme në median në të cilën isha i ftuar.

Së pari, nuk besoja dhe akoma nuk dua ta besoj që ka studentë në dhjetëvjeçarin e dytë të shek. XXI që nuk ka një adresë email-i personale. Ndërkohë që qeveria ka premtuar se çdo shtëpi do ketë edhe PC brenda mandatit të saj.

Së dyti, nuk e kapërdijë dot faktin që kur propozohet diçka (qoftë edhe shumë pozitive) reagimet kundërshtuese mbërrijnë menjëherë nga grupe studentësh lavirë dhe spordhjakë. Në vend që, këta të fundit së bashku me bashkëmoshatarët duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët, pasi problemet e njërit janë edhe të tjetrit. Jemi të gjithë brenda të njëjtit sistem shkollimi apo jo?! Apo mos ndoshta njëri nga ne është një alien në botën e çudirave shqiptare?!

Së treti, nga radha në radhë po shkojmë. Nuk na dhimbsen fare radhët e dikurshme të prindërve tanë, madje përveçse i kujtojmë me anë të bisedave, tashmë mundohemi e përpiqemi t’i vëmë edhe ne në praktikë. Çka do të thotë që akoma preferojmë të marrim leksione çdo ditë duke u ulur tek teta fotokopje duke kthyer rrotën e historisë prapa dhe duke inskenuar radhët e gjata njëri pas tjetrit.

Së katërti, edhe pse metodat që literatura të merret dhe përvetësohet nga studenti, si p.sh. libri apo dërgimi i materialeve përmes email është e mundshme, ne përsëri jemi kundra. Arsyeja është e thjeshtë se pëlqejmë mënyrën, pëlqejmë sistemin, pëlqejmë hallin, pëlqejmë orvatjen, madje pëlqejmë edhe legenllëkun tonë.

Së fundi, ndiej respekt dhe kënaqësi për çdo student vizionar, që studion, përpiqet, guxon, mendon ndryshe dhe shprehet, lodhet për të ardhmen e tij etj. Porse ndjej neveri për kokëpalarët, të cilët përveçse ndyjnë me praninë e tyre bankat e universitetit, ndyejnë edhe vetë qënien tonë. Niveli i tyre është niveli ynë. Standardet përherë i vendos i paudhi, pasi ai që mëson dhe studion nuk ka kohë (për momentin) të përkushtohet për të bindur kokëshkretët dhe anadollakët.

Redan Bushati – Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës

Festa e Letërsisë dhe e Poezisë

Flukset për punonjësit sezonalë: nis sot paraqitja e kërkesave