Nga Prishtina janë optimistë , sepse “është më shumë çështje formale”
Prishtinë, 13 maj 2016 – Kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), për pranim në FIFA është një nga pikat e rendit të ditës së Kongresit të shtëpisë më të madhe të futbollit botëror, FIFA, që po mbahet në Meksikë.
Drejtuesit e FFK-së besojnë se pas pranimit në UEFA, Kosova do të pranohet edhe në FIFA. Eroll Salihu, sekretar i FFK-së, tha për KosovaPress-in, se Kosova do të pranohet në FIFA, edhe pse do të ketë kundërshtime të fuqishme nga kundërshtarët e Kosovës, ashtu siç ndodhi edhe në Kongresin e Budapestit.
“Konkretisht presim që Kosova të bëhet anëtare e FIFA-s. Ju e dini, ishit vetë dëshmitarë të procesit të vështirë në Budapest, çfarë vështirësish u deshën kaluar, sepse ka pasur probleme statutore, ligjore, politike e të tjera”, u shpreh Salihu.
Në fakt, vijon ai, Kosova shkon në Kongresin e FIFA-s me të gjitha kriteret të përmbushura.
“Kosova e ka fituar të drejtën ligjore nga vetë Konfederatat respektive në UEFA, prandaj nuk duhet të kishte problem, megjithatë, presim kundërshtime të rrepta nga ata që janë kundërshtarë të Kosovës në aspekt sportive, por unë mendoj se kësaj herë, duke qenë se është më shumë çështje formale, Kosova do të bëhet anëtare më drejta të plota e FIFA-së”, theksoi Salihu.