in

FIFA i njeh Kosovës të drejtën e ndeshjeve miqësore

FIFA njeh pjesërisht shtetin më të ri të Europës. Kombëtarja kosovare e futbollit mund të luajë këtej e tutje ndeshje miqësore. Proteston Serbia

Romë 28 maj 2012 – FIFA ka lejuar kombëtaren kosovare të futbllit të luajë ndeshje miqësore. Vendimi është marrë nga komiteti ekzekutiv i FIFA-s që u mblodh në Budapest pak ditë më parë. Ka protestuar menjëherë Serbia e cila ka kërkuar një mbledhje urgjente me kryetarët e UEFA-s dhe të FIFA-s, përkatësisht, Michel Platini e Josef Blatter.

Duke mos qenë Kosova vend anëtar i OKB-së, federata e saj e futbollit, FFK, nuk bën pjesë në FIFA. Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka konfirmuar vendimin e FIFA-s duke e quajtur “historik” dhe ka saktësuar se ndeshjet miqësore do të luhen me vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj.

Në letrën informuese mbi këtë vendim që Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valke, i ka dërguar FFK-së, mes të tjerash shkruhet: “Me mirësi ju informojmë se kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës për të luajtur ndeshje miqësore ndërkombëtare është debatuar gjatë takimit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, të mbajtur në Budapest më 21 maj të vitit 2012. Kemi kënaqësinë t’iu njoftojmë se në përputhje me nenin 79 të Statuti të FIFA-s, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s ka rënë dakord të lejojë anëtarët e asociacioneve të FIFA-s që të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare me skuadrat e FFK-së. Megjithatë, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s bëri të qartë se një autorizim i tillë nuk përbën një hap para drejt anëtarësimin në FIFA, i cili varet nga faktorë të tjerë. Ky vendim ka për qëllim vetëm lejimin e futbollistëve të lidhur me FFK-në të praktikojnë dhe të përmirësojnë lojën e tyre”.

Pala serbe ka kundërshtuar menjëherë vendimin. Për federatën e futbollit serbe, vendimi i FIFA-s është marrë pa asnjë konsultim me UEFA-n dhe palën serbe dhe mund të ketë “pasoja të rënda për të gjithë rajonin”.

Kombëtarja kosovare është krijuar në vitet nëntëdhjetë dhe ka luajtur ndeshje miqësore (pa pasur aprovimin e organizmave të lartë ndërkombëtarë të futbollit) me Shqipërinë, Zvicrën, Turqinë etj.

Studentët e ardhshëm shqiptarë në Itali. Nisin pararegjistrimet

Censusi italian. Komunat në kërkim të të huajve të zhdukur