Bosnjë-Hercegovina mund Shqipërinë me rezultatin 2-0
Tiranë, 7 qershor 2011 – Kombëtarja jonë e futbollit u mund me rezultatin 2-0 në stadiumin “Belino Polje” në Zenica të Bosnjë Hercegovinës nga ekipi vendas. Në këtë ndeshje, në kuadrin e eliminatoreve të kampionatit europian të futbollit Euro 2012 për grupin D kombëtarja shqiptare zhvilloi një ndeshje të dobët dhe fryt i saj ishin edhe dy golat e pësuar në minutën e 67-të dhe në të 92-tën.
Ndeshja në Zenica ka nisur mjaft mirë për kombëtaren shqiptare, e cila e ka zhvendosur lojën në sulm. Boshnjakët janë parë në panik, sidomos në mbrojtje, ndërkohë që një gjuajtje e Salihit në zonë dhe një e Skelës fluturimthi, kanë trembur tifozët e Zenicës. Xheko dhe Misimoviç kanë paraqitur rrezik për Bosnjën. Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë, me shanse për të dy ekipet.
Por në pjesën e dytë futbollistët boshnjakë u treguan më agresivë, duke e shpërngulur krejtësisht lojën në gjysmëfushën tonë dhe duke shënuar dy herë radhazi. Pas një momenti hutimi, në minutën e 67-të, Medunjanin gjendet i lirë në zonë dhe arrin të mposhtë Samir Ujkanin, duke i dhënë avantazhin e merituar skuadrës vendase. Edhe pas këtij momenti, loja e kuqezinjve ka qenë e paqartë, ndërsa kartoni i kuq i marrë nga Andi Lila 4 minuta para fundit, ka prishur gjithë planet. Në minutën e parë shtesë, një kundërsulm i shpejtë i boshnjakëve është finalizuar nga Maletiç, që ka mposhtur Ujkanin për herë të dytë.
Me këtë rezultat kombëtarja shqiptare mbetet në vendin e parafundit në grupin D, në kuotën e 8 pikëve, po aq sa Rumania. Bosnja ngjitet në vendin e tretë, në kuotën e 10 pikëve, 3 më pak se Franca dhe 2 më pak se Bjellorusia. Ndërsa Shqipëria mbetet në vendin e parafundit me 8 pikë, po aq sa Rumania.