in

Në ç’plazh të Shqipërisë të (mos) kalojmë pushimet

Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, të botuara në një raport nga “Open Data Albania” bie në sy që plazhe më të pastra janë Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara, ndërsa më të ndoturat janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë.

Tiranë 7 qershor 2011 – Sipas një studimi të botuar ditët e fundit nga Open Data Albania, derdhja e papërpunuar e ujërave të zeza në det është burimi më i madh i ndotjes si dhe vatër e sëmundjeve infektive. Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, plazhet më të ndotura janë në Durrës, Kavajë, Vlorë e Sarandë. Ndërkohë që me cilësi më të mirë paraqiten Borshi, Dhërmiu, Shëngjini, Velipoja e Himara.

Në Durrës “paraqiten shumë të ndotur sidomos plazhet pranë Torres, Plepat dhe Ish-kampi i pionierëve, rreth dhjetë herë mbi normën e lejuar. Ndotja në plazhet e qytetit të Durrësit është përkeqësuar shumë nga mungesa e kanalizimeve të ndërtimeve të reja, sidomos në zonën e Plazhit”.

Ndërsa në plazhin e Kavajës zona më e ndotur është ajo e Golemit dhe zona e Vaporit të Mbytur, që janë gjithashtu edhe ndër plazhet më të populluara, thuhet në këtë studim.

Edhe plazhi i qytetit të Vlorës paraqitet shumë i ndotur, sidomos zona e Shkollës së Marinës, e cila është vlerësuar jashtë çdo parametri të mundshëm dhe burim i jashtëzakonshëm infeksionesh.

Jo rastësisht Durrësi, Golemi dhe zona e qytetit të Vlorës janë më të ndoturit. Ndërtimet e shumta, pa kriter, pa plan urbanistik, pa shtrim rrjetesh kanalizimesh kanë qenë kanceri i këtyre plazheve. Miklimi si zona të bukura ishte në të njëjtën kohë edhe mallkim. Ajo çfarë është më shqetësuese është mungesa e planeve konkrete për përmirësim të situatës. Ndërsa ISHP jep sinjalin e alarmit dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme që prej shumë vitesh, masat duket se nuk ekzistojnë.

Studimi vë në dukje që situata është problematike edhe në plazhet “e reja” të shqiptarëve. Ndotja e lartë e plazheve më popullor në vend ka bërë që shqiptarët të eksplorojnë plazhe të reja. Kërkesa në rritje për destinacione si Shëngjini, Gjiri i Lalzit, Jala, etj, si dhe shtrimi i rrugëve ka ngjallur interesin e ndërtuesve edhe për këto zona. Që tani janë shfaqur hotelet e para nëpër plazhe. Mirëpo, nëse këto ndërtime nuk do jenë të kontrolluara dhe fillimisht të ngrihet sistemi i kanalizimeve, atëherë masakra urbane do të vazhdoj pafundësisht dhe 316 kilometra det i kthjellët e i pastër nuk do të ngelen gje tjetër vecse një kujtim i bukur për t’u treguar nëpër fotografi.      

Lexo studimin të plotë

Fiket ëndrra e Shqipërisë për kampionatin evropian

Forlì. Shqiptari dorëzohet “Dua të paguaj për gabimet e mia”