Instituti italian i Kulturës në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit do të mundësojë projektimin e një filmi italian në teatrin Aleksandër Moisiu, çdo të mërkurë në mbrëmje
Tiranë, 26 prill 2012 – Artdashësit durrsakë mund të ndjekin çdo javë projektimin e një filmi artistik, megjithëse qyteti nuk ka ende një kinema. Bashkia e qytetit në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës ka vënë në dispozicion të shikuesve sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku çdo të mërkurë në mbrëmje do të shfaqen filma të autorëve italianë. Marrëveshja parashikon shfaqjen e rreth 30 filmave artistikë të metrazhit të gjatë deri në fund të muajit dhjetor, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga bashkia e qytetit bregdetar.
Mbrëmjen e kaluar u shfaq filmi “La febbre” (Ethet), i regjisorit Alessandro D’Alatri. Filmi, prodhim i vitit 2005 ka si personazh qëndror një gjeometër 30-vjeçar, i cili jeton me të ëmën dhe që projekton të hapë një diskotekë me një grup miash. Planet e tij ndryshojnë kur punësohet në bashki dhe kur njihet rastësisht me një studente. Jeta e Marios kalon një sërë peripecish mes ëndrrave në sirtar dhe makinës burokratike që fillon ta shtypë gjithnjë e më ashpër. Një film mjaft i këndshëm, me aktorë të talentuar si, Fabio Volo dhe Valeria Solarino, pa harruar një nga mjeshtërit italianë të aktrimit, Arnaldo Foa. Një vepër artistike që fatkeqësisht mundën të ndjekin pak shikues për shkak të mungesës së publicitetit nga ana e organizatorëve.
Në javët e ardhshme është parashikuar projektimi i filmave si “Vincere” i Marco Bellocchios, “La notte prima degli esami” me regji të Fausto Brizzit etj. (ATSh)