Dy shqiptarë e një kosovar ndalohen në portin e Barit sepse dilnin apo hynin në Itali me shuma të mëdha parash. Vetëm njëri prej tyre kishte në valixhe 105.800 euro
Romë, 30 janar 2012 – Financierët e Barit dhe agjentët e doganave të portit kanë ndaluar dy shqiptarë e një kosovar, teksa sillnin në Itali apo nxirrnin shuma të mëdha eurosh, mbi 10 mijë të lejuarat.
Gjatë kontrolleve të zakonshme të bagazheve të pasagjerëve në portin puljez, kanë zbuluar një shqiptar që po nxirrte nga Italia 58 mijë euro, dhe një kosovar me 16 mijë euro. Që të dy po merrnin tragetin për Durrës. I ndaluari i tretë vinte me traget nga Durrësi e në valixhe kishte plot 105.800 euro.
Në të tre rastet, personat kanë pranuar të shyejnë menjëherë shkeljen me pagesën e 5% të parave mbi shumat e lejuara.
Në bazë të ligjit, çdo person mund të sjellë apo të nxjerrë nga Italia deri në 10 mijë euro. Për shuma më të mëdha duhet të plotësojë një formular të ministrisë agjencisë së financave.
Shkelja e normativës mbi valutën dënohet me:
– sekuestrimin administrativ të 40% të shumave mbi ato të lejuarat
– aplikimin e një sanksioni administrativ deri në 40% të shumës mbi kufirin e lejuar
Në rastin e transferimit të parregullt të shumave nën 250.000 euro, dhe nëse gjatë vitit të fundit personi nuk ka shkelur më parë këtë normë valutore, ai mund të kërkojë të shlyejë shkeljen me pagimin brenda 10 ditëve të gjobës së reduktuar në 5% të shumës. Nëse paguajnë 5% menjëherë, paratë nuk u sekuestrohen e mesa duket është kjo zgjidhja e gjetur nga dy shqiptarët e kosovari, duke shpëtuar kështu nga sekuestrimi paratë e tyre.